VV përkrah Rufki Sumën në Han të Elezit

0
131

Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubimin elektoral në Han të Elezit. Bartësi i listës së Kandidatëve për Kuvendin Komunal, Akif Shkreta, tha para të pranishmëve se që nga pas lufta e këtej, subjektet politike që garojnë në këto zgjedhje kanë pasur rastin të udhëheqin edhe në Komunën tonë, por këto subjekte nuk janë marrë seriozisht me problemet e qytetarëve sepse u ka munguar vullneti, guximi dhe dija.

“Me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, do të ndryshohet raporti i qytetarit me të zgjedhurit ,ata do të jenë padyshim zëri i juaj në institucione komunale. Vetëvendosje për Hanin e Elezit në bashkëpunim me Kryetarin e pavarur Rufki Suma, të cilin e mbështesim, u garantojmë qytetarëve ndërtimi i një çerdheje publike, shëndetësi cilësore, hapje të filialit të KEK-ut, shumë projekte të rëndësishme për fermerë dhe bujq, dhe shumë projekte tjera që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të komunës së Hanit të Elezit”, tha Shkreta.

Pas tij, fjalën e mori kandidatja për Kuvendin Komunal, Medina Imishti, e cila foli për problemet e të rejave dhe të rinjve në këtë Komunë. “Ne do të angazhohemi për arsimim cilësor, prej nga do të nxjerrim kuadro të cilëve duhet t’ua sigurojmë vendet e punës. Përmes Alternativës së Vetëvendosjes për Hanin e Elezit, do ta ndihmojmë sportin në këtë Komunë, fillimisht duke e riaktivizuar klubin e futbollit “Sharri”, dhe duke e mbështetur klubin e mundjes, e më pas duke”, tha ndër të tjera Imishti, e cila ftoi të rejat dhe të rinjtë e Hanit të Elezit që të bashkohen në Vetëvendosje, pasi që vetëm kjo lëvizje mund ta ndryshojë Komunën dhe Kosovën.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, në fillim të fjalës së tij tha se “kur hyra në Han të Elezit, mendova se hyra në Shqipëri, për shkak se gjithandej qyteti ishte i stolisur me flamuj kombëtar, por më pas e kuptova se vetë Hani i Elezit është Shqipëri”.

Në vazhdim, ai ftoi qytetarët e Hanit të Elezit që të dalin sa më masivisht në zgjedhje, për shkak se Vetëvendosje do ta mbrojë votën e tyre. “Ata që vjedhin vota nuk janë “krahu i luftës”, nuk janë luftëtarë, nuk janë UÇK, nuk janë shqiptarë. Luftëtarët dhe shqiptarët janë ata që i mbrojnë votat, që i mbrojnë interesat e qytetarëve, që garantojnë rend dhe qetësi në këtë vend, që nuk ndërrojnë flamurin e kombit, dhe ata të cilët e mbrojnë vullnetin e shqiptarëve të Republikës”, u shpreh Selimi.

Duke folur për ata që kërkuan votë në emër të luftës, Selimi shtoi: “Ku e lanë ata idealin, betimin e flamurin e luftës? E shkelën, e morën votën këtu në emër të luftës e bashkimit me Shqipërinë, erdhën në Prishtinë dhe e ndanë edhe Kosovën”, theksoi Selimi, duke shtuar se UÇK dhe lufta e lavdishme e saj i përket vetëm popullit, asnjë partie politike, dhe se Hani i Elezit është shembulli se çfarë flamuri duhet të valojë nëpër Kosovë.

Bartësi i listës së kandidatëve të Vetëvendosjes për Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit, doli sërish në skenë për t’i prezantuar me radhë të gjithë kandidatët, si dhe u bëri thirrje qytetarëve të kësaj Komune që ta votojnë listën e Vetëvendosjes, dhe Kryetarin aktual të Komunës, Rufki Sumën.

Në fund të këtij tubimi, fjalën e mori Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili tha para të pranishmëve se në çdo Komunë të Kosovë ne duam ta ndryshojmë edhe Kryetarin, edhe Kuvendin Komunal, mirëpo këtu në Han të Elezit dëshirojmë që ta ndryshojmë Kuvendin Komunal, por jo edhe Kryetarin.

“Qëndrimi ynë mbështetës për Kryetarin aktual të Komunës, Rufki Suma, është dëshmi që Lëvizja Vetëvendosje nuk është kundër gjithçkaje në Kosovës, por vetëm kundër të këqijave në Kosovë. Nuk kemi faj ne që i vetmi Kryetar i mirë i Komunës në Kosovës, është Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma”, tha Kurti. Ai shtoi se pushteti komunal me në krye Rufki Sumën, duke mbajtur anën e qytetarëve që e duan Kosovën shqiptare, e jo të qeveritarëve që e kanë sjellë planin shkombëtarizues të Ahtisaarit, ka ndryshim e vetëm pozitiv të Planit të Ahtisaarit në rrafshin institucional: largimin e toponimit serb, “Gjeneral Jankoviç”, gjeneral ky që kreu krime në vitet 1912-1913 me ekspedita pushtuese në trojet shqiptare.

Kurti më pas shpjegoi Alternativën Qeverisëse të Vetëvendosjes për Hanin e Elezit, duke vënë theksin në prodhim, punësim e mirëqenie. “Pa fitoren e Vetëvendosjes, qytetarët e Kosovës dhe të Hanit të Elezit kanë alternativë ose kampet e burgjet në Hungari, ose shtorët në Lion të Francës. Ne duhet ta ndryshojmë urgjentisht këtë model të mbrapshtë ekonomik që na e ka shpronësuar popullin tonë me privatizim, që e ka rritur punësimin vetëm për familjarët e mbiemrave Thaçi, Grabovci, Veseli, e të ngjashëm”.

“Thaçi iu nënshtrua Daçiqit, kurse AAK-ja e LDK-ja iu nënshtruan Thaçit. Mos votoni për këta njerëz që u janë nënshtruar armiqve. Mos votoni për këtë njerëz të varur, se këta edhe pavarësinë ta varin. Votoni për kandidatin e pavarur Rufki Sumën. Votoni për Lëvizjen Vetëvendosje e cila asnjëherë, për asnjë çmim, nuk i nënshtrohet askujt”, ishte thirrja e Kurtit.

Hani i Elezit është me fat që e ka kryetar Rufki Sumën, dhe Rufki Suma është me fat që e ka mbështetjen e Vetëvendosjes, sepse përkrahja jonë është garanci që Rufki Suma nuk është vetëm Kryetari aktual i Hanit të Elezit, por është edhe Kryetari i ardhshëm i Hanit të Elezit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu