Xhevdet Mustafa, rrethimi në shtëpi me 3 fëmijë peng

0
121

Naun Golloshi, ish komandanti i divizionit “Semani” të Lushnjës rrëfen për rrethimin e bandës në 25 shtator 1982. Ja si vepruan ministrat Kadri Hazbiu e Hekuran Isai.

Thotë se është i gatshëm të flasë vetëm për atë që ka parë me sytë e tij dhe ka dëgjuar nga po ata veshë. Dhe sipas tij kjo është e vërteta që mund të dijë njeriu, për më tej, atë që i thonë të tjerët, nuk mund të mbajë përgjegjësi. Dhe kështu, Nanun Galloshi, ish-komandanti i divizionit “Semani” vjen për gazetën “Sekulli” me një rrëfim interesant e të panjohur, që detajon çastet e fundit të Xhevdet Mustafës, i cili mbahej i rrethuar nga forcat e ushtrisë në një shtëpi të fshtatit Zharë në Lushnjë.

Jeni një nga dëshmitarët e rrethimit të Xhevdet Mustafës. Si e kujtoni atë ditë?
Ishte e diel 25 shtator 1982, kur u njoftova se një bandë diversantësh kishte hyrë në territorin shqiptar. Një ditë më parë, në 24 shtator, unë si komisar i Brigadës së këmbësorisë së Lushnjës isha thirrur nga Grupimi i Elbasani, nga ku kishim vartësi, që të njiheshim me një material sekret. U mblodhëm në Shtëpinë e Oficerëve të Elbasanit. I deleguar ishte Ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Atë ditë ne dëgjuam deponimet nga gjyqi i Fiqrete Shehut. Në darkë mbërrita në shtëpi dhe të nesërmen në ora 10.00 të mëngjesit, isha sërish në zyrën time në komandën e Brigadës, pasi më duhej të përpunoja materialet me qëllim që të njihja me to komunistët e organizatës bazë. Nuk kaloi shumë kur një oficer i Degës së Brendshme me njofton se në Lushnjë ndodhej një bandë diversantësh dhe se nga Brigada kërkohej ndihmë me ushtarë, për të shkuar në vendngjarje ku personat mbaheshin të rrethuar.

Çfarë menduat në çastin e parë, pas këtij lajmi?
Një herë mendova se mos ndoshta më provokonin, por oficeri u prezantua dhe më tha se për këtë njoftim përgjigjej me kokën e tij. Atëherë u lidha me komandën e Grupimit, të cilët më thanë që të dërgoja disa ushtarë në vendngjarje me qëllim që të forcohej rrethimi. Mund të kisha qëndruar në zyrë dhe të vazhdoj punët e mia, dhe vetëm të urdhëroja të shkonin në vendngjarje një togë me ushtarë, por vendi nuk më mbante. Komandanti i Brigadës, Petraq Salavaçi, ndodhej në Pogradec pasi i kish ndodhur një fatkeqësi familjare. Shefi i shtabit sapo ishte transferuar në një brigadë tjetër. Atëherë përgjegjësia më mbetej mua si komisar i brigadës. Mora 20 ushtarë, shefin e zbulimit të njësisë e një oficer tjetër, u armatosëm më armë e arka municioni të pahapura, hipëm më një makinë ushtarake ZIS dhe u nisëm.

Me çfarë do të përballeshit në vendngjarje?
Kur shkuam në vendngjarje te kodra e Zhamës në Lushnjë pashë që vendi ishte rrethuar me ushtarë. Në kodër kishte të paktën 30 persona ku njoha ministrin e Mbrojtjes Kadri Hazbiun, ministrin e Brendshëm Hekuran Isain dhe Sekretarin e Parë të Durrësit Muho Asllanin. Rrethimi mund të kishte 300-400 ushtarë. Kur pyeta se sa veta ndodheshin të rrethuar më thanë se ishte vetëm një, i futur në një shtëpi të vogël aty pranë. Mbaj mend që Hekuran Isai ishte shumë aktiv ndërsa Muho Asllani u largua pa mbaruar aksioni. Ai ishte aty pasi banda kishte bërë veprime në Rrogozhinë, që e kapte rrethi i Durrësit. Xhevdeti ishte futur brenda në shtëpi i armatosur. I zoti i shtëpisë kur e kishte parë me armë kishte marrë një sëpatë ta godiste, por Xhevdeti e kishte qëlluar, e në këtë e sipër duket se kishte plagosur dhe një nga 3 vajzat e familjes, ku më e madhja ishte 9 vjeç. Kur vajta unë nënën e fëmijëve e gjeta jashtë. Por në qoshe të shtëpisë kishte dhe një kufomë tjetër ajo ishte e inspektorit të kontrollit të ushtrisë Tomor Zyla nga Skrapari. Ai e kishte ndjekur Xhevdet Mustafën me tricikël sepse kishte dyshuar. Kur kishte pyetur banorët e zonës përreth, i kishin thënë se ishte futur në shtëpi. Ai ishte afruar pranë dritares, por meqenëse nga jashtë nuk dukej ishte afruar pranë xhamit. Aty Xhevdeti e kishte qëlluar në ballë.

Po me pengjet si do të veprohej?
Ishte arritur në marrëveshje që Xhevdet Mustafa të lëshonte njërën nga vajzat, atë që ishte e plagosur. Për këtë kishte kërkuar që të futej brenda e ëma por e pashoqëruar nga njeri tjetër. Atëherë Kadri Hazbiu i propozoi nënës së vajzave që ta mësonin shpejt e shpejt si të qëllonte, ta armatosnin me një pistoletë dhe të vriste Xhevdet Mustafën kur të futej në shtëpi. Por ajo ia ktheu: “Jo të keqën motra se s’di të qëlloj, e vras vajzat. Se bëj dot”. Xhevdeti do t’i mbante rreth vetes pengjet si mundësia e vetme për të mbetur gjallë. Kapllan Shehu, shefi i degës së Brendshëm të Lushnjës, u afrua fare pranë shtëpisë dhe i bëri thirrje të dorëzohej. Biseda dëgjohej qartë, pasi edhe Xhevdeti ishte brenda një shtëpie me mur tek-tullë, ndaj zëri i tij dëgjohej pasi fliste më zë të lartë. Kapllani iu drejtua: “Dorëzohu se do të të falim jetën”. Xhevdeti e pyeti se kush ishte ai që po i fliste. “Jam Kapllan Shehu”, – i tha shefi i Degës. “Të njoh Kapllan se ke qenë dhe shefi i policisë në Durrës. Por ti nuk ma fal dot jetën se unë kam vrarë njerëz” – i tha Xhevdet Mustafa nga brenda.

A kishte një plan tjetër për ta neutralizuar Xhevdet Mustafën?
Atëherë u mendua të ndërhyhej me një tank. U thirr një tankist dhe u pyet nëse kishte mundësi të dëmtonte me mjet cepin e murit të shtëpisë, aq sa Xhevdet Mustafa të mbetej i zbuluar, por pa dëmtuar kufomën e oficerit të kontrollit që ndodhej i vdekur anash saj. Ai pasi pa vendin tha se ishte në gjendje ta bënte atë punë. Mori një transportues të blinduar dhe e goditi murin. Kur Xhevdeti pa që mbeti i zbuluar vrau veten duke e shkrepur këmbëzën e revolverit tre herë rresht. Sipas logjikës time ai duhet të kishte mbetur vetëm me 5 plumba, pasi në çastin e fundit mendoi se po e sulmonin nga lart dhe qëlloi dy herë në tavan. Me tre të fundit vrau veten.

Çfarë do të ndodhte pas këtij veprimi?
I pari që hyri brenda ishte Kujtim Duro shefi i sigurimit të brigadës. Ai i kapi pistoletën me shami dhe ua tregoi të tjerëve. Pastaj morën trupin e Xhevdetit. Mbaj mend që kishte një këmishë të bardhë me mëngë të shkurtra e me vija. Nuk kishte kanotiere se kur e ngritën këmisha iu hap dhe iu dukën vrimat e plumbave. Kishte pantallona blu që ishin zhubrosur dhe një palë këpucë me anë të ngrëna. E hipën në një makinë ushtarake ZIS dhe e larguan prej aty. Pastaj morën dhe trupin e të zotit të shtëpisë. Mbaj mend që vajzat dolën të llahtarisura jashtë pas 6 orësh qëndrimi me të. Ato sapo dolën pyetën: “Ju jeni amerikanë, se kështu na tha ai xhaxhi, që jeni amerikanë dhe donit ta vrisnit”.

Do të binte gatishmëria pas eliminimit të bandës?
Përkundrazi. Pas ngjarjes filloi kalvari i gatishmërisë dhe i analizave. Bënim shërbim një herë në dy ditë. Gjatë analizave mora vesh se kishte qenë vetë Enver Hoxha, i cili kishte telefonuar në Grupimin e Elbasanit, ku në telefon i kishte dalë Shefi Operativ i Grupimit, Zyk Zykaj, dhe atij i kishte dhënë urdhrin që në ngrinte në alarm brigadën e metalurgjikut për të kapur ose asgjësuar një grup shumë të rrezikshëm terrorist.

Stërvitja “Myzeqeja ‘87”
Riorganizimi, ushtria shqiptare me tre armata

“Kam qenë komandanti i brigadës 132 të këmbësorisë në Lushnjë. Pastaj jam transferuar si komandant brigade në Shkodër dhe pas reformës që u bë në vitin 1983 me shkrirjen e korpuseve dhe krijimin e divizioneve u emërova komandant i divizionit 28 “Semani” të Lushnjës. Menjëherë u thirra për të vazhduar kursin e lartë 1 vjeçar të Shtatmadhorisë. Ishim kursi i parë me 13 oficerë madhorë, përgjithësisht komandantë divizionesh. Në qershor 1987 mbarova kursin dhe u bë stërvitja e parë shtab sipas organizimit të ri. Në atë kohë 22 divizionet u ndanë të tre armata, që në fakt quheshin Fronte dhe ishte Fronti Verilindor, Fronti Juglindor dhe Fronti Perëndimori që kapte gjithë bregdetin. Ende këto tre armata nuk kishin shtabe që të kishin fuqi ekzekutuese por organikat ishin gjithsesi. Sapo përfunduam kursin e shtatmadhorisë na u dha alarmi për një stërvite shtabi në tre shkallë, Front-Divizion-Brigadë, Në stërvitje merrnin pjesë tre divizione, i Lushnjës i Peqinit dhe ai i Fierit. Kjo ishte shkalla më e lartë stërvitore. Unë për herë të parë drejtoja divizionin në një stërvitje të tillë. Divizioni kishte 8 njësi, 3 brigada këmbësorie 1 sulmi dhe katër regjimente. Stërvitja u kodua “Myzeqeja ‘87” Qëllimi ishte bashkëveprimi mes tre divizioneve nëpërmjet Frontit. Ishte ngarkesë e madhe por dhe emocion. Në 4 gusht filloi stërvitja. Qëllimi ishte asgjësimi i desantit ajror që të mos i binte pas shpine dy divizioneve të tjera. Një ditë më vonë nxorëm dhe trupat, një batalion me 27 tanke në Ardenicë. Kishim si synim dhe të hidhnim në det armikun që pykëzohej e futej në tokë. Gjatë stërvitjes merrte pjesë dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Kiço Mustaqi. Kjo stërvitje doli me sukses”.

Oficeri i tankeve në krye të Divizionit të këmbësorisë
“E fillova jetën ushtarake në vitin 1962 në shkollën e mesme “Skënderbej”. Më pas do të vazhdoja shkollën e Lartë të Oficerëve, Akademinë Ushtarake e kursin e lartë të Shtatmadhorisë. Jam specializuar si oficer tankesh. Ne tanket i trajtonim si fëmijët. Ushtarë e oficerë futeshin me papuçe brenda tankut që ai të mos bëhej pis. I pastronim e i mbanim në gatishmëri duke mos pasur asnjë shenjë ndryshku. Sot me vjen keq kur shoh që ato janë shkatërruar e shkojnë për skrap. Veç detyrave më të ulta, kam qenë komandant Brigade në Lushnjë e Shkodër dhe për një periudhë kohe dhe komisar brigade. Në 1986 emërohem Komandanti i Divizionit 28 “Semani” të Lushnjës. Pas 6 vjetësh në drejtimin e divizioni në moshën 44 vjeçare në vitin 1992, më nxorën në reformë”.

Përgaditi: Leonard Veizi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu