Xhufi: Takimi i Ramizi Alisë me Micotaqis, për çështjen çame

0
351

Historiani rrëfen negociatat e dështuara të shtetit shqiptar kundrejt Greqisë. Emërimi i Janullatosit në krye të kishës ortodokse, takimet Micotaqis-Meksi dhe “harresa” e çështjes së pronave të çamëve

Historiani Pëllumb Xhufi ka kundërshtuar dje sjelljen e shtetit shqiptar ndaj Greqisë duke pohuar se në këtë mënyrë po krijojmë çdo ditë e më shumë ndjenjën e inferioritetit. Duke cilësuar politikën si fajtoren për këtë situatë të krijuar, Xhufi ka vënë gishtin sa tek e majta aq edhe tek e djathta duke ndarë përgjegjësitë konkrete të gjithsecilës parti. Historiani ka kundërshtuar mënyrën se si Janullatos është zgjedhur në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare, si dhe ka prezantuar dokumente që tregojnë se politikani i vetëm shqiptar që ka i prezantuar çështjen çame Athinës zyrtare është Ramiz Alia.

 


“Gabimet e rënda të politikës shqiptare si mbajtja ndezur e një klime konfliktuale politike të brendshme; marrëveshja politike PS-PASOK; promovimi politik bipartizan i përfaqësuesve ekstremistë të minoritetit grek si, Dule dhe Bollano; vjedhja e zgjedhjeve të vitit 1996; “piramidat” mashtruese dhe korruptimi galopant i politikanëve e forcuan aftësinë e Athinës për të ndërhyrë në agjendat e brendshme e të jashtme të shtetit shqiptar”, – tha Xhufi, duke fajësuar politikanët. Ai këshilloi politikën që të vendosë çështjen çame si prioritetin kryesor në raportet me Greqinë dhe jo të rinegociojë paktin detar.


“Aktualisht, mbetet parësore rikthimi i agjendës shqiptare në raport me Greqinë dhe para së gjithash i agjendës çame. Fuqizimi i zërit të çamëve në skenën politike shqiptare përmes përfaqësimit të tyre në Kuvend, i ka hapur asaj një perspektivë të madhe dhe e ka thyer heshtjen, me të cilën pushtetarët e pandërgjegjshëm dhe të korruptuar u përpoqën ta mbysnin “, – u shpreh historiani Xhufi gjatë punimeve të konferencës.


Në vijim të fjalës së tij, politikani tha se çështja e çamëve iu paraqit zyrtarisht palës greke vetëm nga ish-udhëheqësi i fundit komunist, Presidenti Ramiz Alia, gjatë takimit të tij në Tiranë me kryeministrin grek, Konstantin Micotaqis, më 13 janar 1991. “Rikthimi i çështjes çame nga drejtuesi i fundit komunist i detyrohet presionit, që pas ardhjes së pluralizmit kishte filluar të ushtronte vetë komuniteti çam dhe organizata e tij, “Çamëria”, mbi institucionet shqiptare. Në atë bisedë, ish-presidenti Alia shtroi dy problemet themelore të çështjes çame, që përfaqësonin dhe dy nivelet e zgjidhjes së atij problemi: kthimin e çamëve në trojet e tyre dhe problemin e kthimit të pronave”, – theksoi Xhufi.


Sipas tij, në takimin e parë të komisionit dypalësh shqiptaro-grek, që u mbajt në Sarandë më 9 prill 1993, pala greke la të hapur mundësinë për shqyrtimin, në mënyrë institucionale të problemit të pasurisë së komunitetit çam. “Për fat të keq, ky argument nuk u ngacmua më nga pala shqiptare dhe çështja e pronave u përmend dhe ndonjëherë tjetër, por vetëm kaq. Më 3 maj 1993, kryeministri Micotaqis erdhi përsëri në Tiranë ku takoi kryeministrin e parë demokrat, Aleksandër Meksin, ku pas debatit të shurdhër me Ramiz Alinë më 1991, grekët kishin korrur fitoret e para në marrëdhëniet me fqinjin e dobët, duke filluar nga imponimi i klerikut grek, Janullatos si kreu i KOASH”, – tha Xhufi.


Për historianin Pëllumb Xhifi pala shqiptare edhe pse rishtroi me forcë çështjen çame, në tre komponentët e saj si lejimin e qytetarëve shqiptarë nga Çamëria që të vizitonin vendin e tyre, kthimin e pronave dhe rikthimin e çamëve në trojet e tyre, do të tërhiqej shpejt nga kjo përplasje. Gjatë viteve të tranzicionit, sipas studiuesit Xhufi, qeveritë nuk iu përgjigjën agresivitetit grek ndryshe nga sa kishin vepruar qeveritë shqiptare në vitet 20-30 të shekullit 20. “Qeveritë shqiptare iu përgjigjën palës greke duke e tkurrur problemin e minoritetit çam thjesht në marrëdhënie bilaterale dhe jo duke sensibilizuar opinionin e jashtëm”, – theksoi Xhufi

Pjesë nga debati mes Ramiz Alisë dhe Kostas Micotaqis në vitin 1991

Ramizi-Micotaqisit: Ju vratë 30 mijë çamë

“Po për kthimin e çamëve, ç’do të bëjmë”, – e ndërpreu gjithashtu me arrogancë Alia monologun e kryeministrit grek. Dhe vazhdoi: “Kemi 100 e ca kërkesa nga familje çame që duan të kthehen në tokat e tyre, por atyre nuk u jepet vizë”. Në këtë mënyrë të beftë hyri çështja çame në një takim të nivelit më të lartë shqiptaro-grek. Debati për të u kthye në një nga çështjet kryesore, dhe siç duket nga procesverbali, Alia duhet të ketë dalë fitues në atë debat. Në një moment të caktuar, Micotaqis e humbi dhe pohoi se problemi i minoritarëve grekë është i ndryshëm nga ai i çamëve, pasi këta u larguan vetë nga Greqia, si bashkëpunëtorë të nazistëve.


E pastaj, shtoi ai, ata nuk ishin grekë, ishin të një kombësie tjetër. Këtë moment e kapi si duhet Alia, i cili nga pozitat e një mbrojtësi të të drejtave të njeriut, ia kthen Micotaqit: “Kështu pra, ata që i përkasin një kombësie tjetër ju i përziekeni!” Një tjetër moment kulmor i këtij takimi emblematik, është dhe ai që ndoqi pretendimin tjetër të Micotaqit, atë të njohjes si greke të atyre fshatrave që, sipas tij dëshironin të ishin të tillë dhe hapjen aty të kishave e të shkollave greke. Alia iu përgjigj prerë edhe kësaj radhe, se çështja e kombësisë nuk është çështje e zgjedhjes personale, por çështje e historisë, gjuhës, kulturës: jo kushdo që i thotë vetes grek është në të vërtetë grek.


Pastaj, shtoi Alia, si mund të më flisni mua për një fshat që na kërkuaka të quhet grek, ju që me një fjalë tuajën këtu shuajtët 30 mijë njerëz duke i quajtur bashkëpunëtorë të gjermanëve, bashkë me pleq e fëmijë? Siç e pohon indirekt Alia, ky rikthim i çështjes çame, madje nëpërmjet drejtuesit të fundit komunist të Shqipërisë, i detyrohej presionit që tashmë pas ardhjes së pluralizmit, kishte filluar të ushtronte vetë komuniteti çam dhe organizata e tij “Çamëria” mbi institucionet shqiptare. Në atë bisedë, Alia i shtroi të dy problemet themelore të çështjes çame, që përfaqësonin edhe dy nivelet e zgjidhjes së saj: problemin e kthimit të pronave dhe atë të rikthimit të tyre në trojet e veta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu