Ymeri: Kosova në rrezik nga dialogu me Serbinë dhe nga shkelësit e Kushtetutës

0
213

Visar Ymeri

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, sot në Ferizaj në një takim me bashkatdhetarët, tha se Kosova po dëmtohet dhe po rrënohet prej dialogut me Serbinë dhe prej njerëzve që po e shkelin Kushtetutën e saj.

Për dialogun në këtë format, Ymeri tha se po e dëmton rëndë sovranitetin e shtetit përmes “Zajednicës”, ndërsa për shkelësit e Kushtetutës tha se po i rrënojnë proceset demokratike.

“Dialogu në këtë formë e shkatërron Republikën, ne, jemi të vendosur në anën e Kosovës si shtet sovran. Qeveria është rreshtuar keq në minimin e shtetësisë, nuk mundet Kosova ta pranojë që në krye të saj të qëndrojnë njerëzit që e kanë shkel Kushtetutën në 23 nene të saj”, tha Ymeri, duke shtuar se të njëjtit po insistojnë të qëndrojnë në pushtet.

”Nuk ka kuptim që në krye të shtetit të qëndrojnë njerëzit që e shkelin shtetin. Kosova do të jetë sovrane vetëm nëse ndërpritet dialogu në këtë format , ndërsa demokracia do t’i kthehet Kosovës vetëm kur të shkojnë shkelësit e Kushtetutës”, tha kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Në bashkëbisedim me bashkatdhetarët në shprehje erdhën edhe aspektet që lidhen me ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, vuri në dukje kontributin e mërgatës sonë e cila çdo vit sjell në Kosovë mbi 600 milion euro, të cilat sipas tij po e bëjnë të mundur jetesën në Kosovë.

Ai tha se këto mjete do të ndihmonin në zhvillim ekonomik, por fajin ia la Qeverisë e cila, sipas tij, nuk ka ditur të krijoj politika për orientimin e kapitalit të mërgatës në zhvillimin e ekonomisë.

“Politikat e tilla qëllimshëm e mbajnë Kosovën kështu. Këto janë politika primitive, që me para të blejmë nga jashtë, ndërsa eksportohet shumë pak. Kështu nuk ka progres dhe mirëqenie sociale ngase Qeveria e Kosovës prioritet e ka pasur dialogun dhe formimin e “Zajednicës “, e cila nuk i ka sjell asnjë të mirë por vetëm problem sepse ka pamundësuar funksionimin e Kosovës si shtet, ka ndarë njerëzit përbrenda saj, burim et natyrore, buxhetin e Kosovës, policinë dhe gjyqësinë dhe i vendos përfundimisht bazë Serbisë që sa më lehët ta sulmojë Kosovën”, tha Ymeri.

Në këtë takim, kreu i VV-së, shoqërohej nga kryetari i qendrës së VV-së në Ferizaj, Emrush Xhemajli, i cili me këtë rast ka falënderuar qytetarët e Ferizajt për përkrahjen që po i japin këtij subjekti, qoftë me pjesëmarrje në protesta apo me nënshkrime në kundërshtim të “Zajednicës”.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së VV-së, Sami Kurteshi, në fjalën e tij spikati rolin e mërgatës në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenie sociale. Pjesa tjetër e takimit ka kaluar përmes pyetjeve që mërgimtarët i adresuan kreut të VV-së, Visar Ymeri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu