Ymeri: Përmes Trepçës po mbrohet Kosova

0
456

Visar Y

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca, pas vizitës që i kanë bërë të mërkurën minatorëve grevistë në horizontin e tetë të minierës së Trepçës në Stantërg, janë solidarizuar me kërkesën e tyre.

Ata kanë thënë se për minatorët dhe punëtorët në përgjithësi, metoda më efektive për të realizuar kërkesat e tyre është greva, sepse është metodë legjitime dhe e duhur për momentin për të cilin po bëhet fjalë.

Ymeri ka bërë të ditur se minatorët sa herë që është dashur ta mbrojnë Trepçën, kanë bërë të pamundurën dhe kanë arritur një gjë të tillë.

“Ne jemi në një moment të tillë ku përmes Trepçës po mbrohet edhe Kosova, sepse po u hoq dorë nga ideja e shndërrimit të Trepçës në ndërmarrje publike, apo siç pretendon qeveria e Republikës së Kosovës që në marrëveshje me Republikën e Serbisë ta definojë statusin e Trepçës, atëherë kjo në njëfarë mënyre e ridefinon edhe statusin e Kosovës dhe rregullimin e brendshëm territorial të saj, që ka filluar me marrëveshjen e 19 prillit, e që mund të përkeqësohet me marrëveshjet dhe negociatat e reja me Serbinë”, theksoi Ymeri, transmeton KP.

Në lidhje me mos ardhjen e kryeministrit të Kosovës Mustafa për t’i vizituar minatorët, ai tha se secili zyrtar qeveritar, përfshirë këtu edhe kryeministrin e Kosovës, do të duhej të vazhdonin kujdesin ndaj qytetarëve, e në këtë rast minatorëve, dhe të marrin vendime në interes të popullit dhe shtetit të Republikës së Kosovës .

Sipas tij, u pa që kjo qeveri, apo ky siq e quajti Ymeri, koalicion i Rashkës i përbërë në mes të PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe, nuk pati guximin dhe as vullnetin që çështjen e Trepçës ta çoj deri në fund, ashtu siç ishin dakorduar javën e kaluar gati të gjitha subjektet politike për ta shndërruar Trepçën në ndërmarrje publike.

“Ky qëndrim ndryshoi gjatë të shtunës dhe veçanërisht të dielës, ndërsa e ndryshoi trysnia dhe kërcënimi i Republikës së Serbisë të shprehura edhe drejtpërdrejt, por edhe përmes Listës serbe në qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se në këtë drejtim përgjegjësit kryesorë janë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ish kryeministri, Hashim Thaçi.

Isa Mustafa “injoron” Trepçën. Drejtori Tmava detyrohet të vij në Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk ka udhëtuar fare për në Trepcë. Ndërkohë, grevistët edhe pse i kishin dhënë ultimatum qeverisë, duket se do të jenë të detyruar drejtuesit e Trepçës që të vijnë në Prishtinë.

Ahmet Tmava, drejtori i kompleksit industrial “Trepça” njoftoi gazetarët se do të udhëtojë drejt Prishtinës për t’u takuar me kryeministrin Mustafa.

Ai tha se po shkon në këtë takim për të gjetur një zgjidhje rreth grevës së minatorëve dhe kërkesës së tyre që “Trepça” të jetë nën pronësi të Qeverisë.

Ndërkohë, kryeministri Mustafa nuk sheh asnjë arsyeje që minatorët e Trepçës duhet të vazhdojnë grevën e nisur dje në minierën në Stantërg.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu