Zaev nuk publikon ‘bombat’ e proklamuara për shqiptarët

0
56

Zaevi

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev edhe kësaj radhe nuk publikoi ‘bombat’ e paralajmëruar për raste që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni.

Ai në disa raste ka paralajmëruar se materialet e tij të bisedave të përgjuara kanë të bëjnë edhe me rastet  “Monstra” që ka të bëjë me vrasjen e pesë maqedonasve, për të cilin krim u dënuan gjashtë shqiptarë, në një proces krejtësisht kontestues dhe që nxiti dilema dhe protesta tek shqiptarët, informon INA.

Zaev gjithashtu kishte paralajmëruar se do publikohet gjithçka edhe për rastin e ekzekutimit të komandantit të njohur të UÇK-së, Harun Aliu alias ish-komandant Kushtrimi, por edhe raste tjera skandaloze që kanë të bëjnë me funksionarë shtetëror, kryesisht ministra dhe zyrtarë të tjerë shqiptar, për vepra dhe raste korruptive kriminale.

Lideri socialdemokrat në preskonferencat e tij të zakonshme ka përsëritur refrenin e njohur se do të publikojë gjithçka edhe për këto raste që kanë të bëjnë me shqiptarët, por ai deri tani nuk ka bërë një gjë të tillë.

“Unë kam paralajmëruar për rastin Monstra dhe se gjithçka që kemi si audioregjistrime apo edhe porosi telefonike do ti publikojmë. Pavarësisht se dikujt i pëlqen ose jo. E vërteta do të jetë deri në fund. Besoni se çdo pako e materialeve që kemi planifikuar po tregon të vërtetën”, ka theksuar Zaev në konferencat e fundit.

Edhe në fillim të këtij muaji janë paralajmëruar konferenca periferike të kësaj partie, ku do të vijoj publikimi i bisedave të përgjuara që kanë të bëjnë me skandale dhe afera qeveritare korruptive dhe kriminale si dhe ndërhyrje ndaj institucioneve të ndryshme.

Parti politike dhe shoqata joqeveritare shqiptare i kanë bërë thirrje liderit opozitar që të publikojë ‘bombat’ që disponon për shqiptarët. Edhe familjet e të dënuarëve me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra” kanë kërkuar që Zaev sa më parë të publikojë materialet që disponon dhe që ka paralajmëruar për këtë rast të ndjeshëm, që nxiti protesta masive në Maqedoni dhe diasporë.  (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu