Zbulohet Qyteti i humbur Ilir

0
321

Kërkimet arkeologjike të dy viteve të fundit nga një ekspeditë shqiptaro-polake dhe gërmimet në muajin maj nxorën në dritë rrënojat e një qyteti të harruar antik ilir, tre herë më të madh se Shkodra.

Jo shumë larg qendrës së Bushatit në Shkodër, në një lëndinë që banorët thonë se është përdorur si poligon nga ushtria para viteve 90’, një ekspeditë shqiptaro-polake ka zbuluar rrënojat e një qyteti të humbur.
Një qytet që askush nuk e ka përmendur për qindra vite me radhë dhe që sipas drejtuesit polak të gërmimeve, prof.Piotr Dyczek cituar nga faqja Science in Poland, një faqe ueb-i e financuar nga Ministria Polake e Edukimit dhe Shkencës, është tre herë më i madh se Shkodra antike.

Gërmimet e fundit zgjatën një muaj dhe janë bërë nga një misioni shqiptaro-polak drejtuar nga prof.Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës dhe Ass.Prof.Saimir Shpuza, përfshirë në projektin kërkimor “Shkodra”, i cili prej vitit 2016 synon të dokumentojë gjithë sitet arkeologjike pranë Shkodrës.

Hipotetikisht mund të bëhet fjalë për Bassanian, e datuar në fund të shekullit të katërt dhe të tretë para erës sonë nga Ardianët. Qyteti përmendet në luftërat iliro-romake të mbretit Gent dhe mendohet se mund të jetë braktisur menjëherë pas pushtimit, por arkeologët po marrin kohë në studimin e monedhave dhe artefakteve të gjetura për një datim dhe emërtim më të saktë.

Kolë Shabeni, banor i zonës i cili tha për BIRN se kishte shoqëruar grupin e arkeologëve që kryen gërmimet, thotë se vendi njihej prej tyre si “Guri i Gjarprit”. Emërtim që ai e shpjegon me rrugën që gjarpëron deri në majë të kodrës.

Ai thotë se kurrë më parë nuk kishin menduar se aty gjendej një qytet i vjetër dhe se gurët që dukeshin natyralisht të vendosur njëri mbi tjetrin, ndonëse sipas tij “banorët kanë gjetur në këtë kodër, shigjeta apo pjesë heshtash”.

Gërmime të mëparshme në zonë në vitet ‘80 patën nxjerrë aksidentalisht varre antike dhe më vonë një shatërvan (fontanë) publik, por për shkak se formacioni i gurëve dukej krejtësisht natyror askujt nuk i ka shkuar në mendje se aty fshihej një qytet antik.

Në një intervistë të dhënë për Gazetën Shqiptare, arkeologu Saimir Shpuza tha se ata kishin qenë dyshues edhe së fundmi nëse do të gërmonin në zonë. Vendimi marrë pas studimit të zonës me mënyra joinvazive rezultoi fatlum.

Ajo që i ka habitur arkeologët dhe që shton misterin mbi qytetin antik është fakti se ai nuk përmendet për qindra vjet me radhë. Prof. Piotr Dyczek thotë në “Science of Poland” se historianët udhëtarë kanë përshkruar me detaje qyteza mjaft më të vogla, por nuk kanë thënë asnjë fjalë për “Bassanian”.

Dyczek beson se kjo mund të ketë ardhur nga braktisja e menjëhershme e qytetit dhe harrimi i emrit të tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu