Zbuluesi ushtarak: Si ndihmova bandën e Xhevdet Mustafës

0
248

 

Vincent Fogarti, një shtetas neo-zelandez, është një person mjaft i vështirë për t’u kontaktuar. Pjesëtar në operacione klandestine të Zbulimit Ushtarak të vendit të tij dhe bashkëpunëtor i disa shërbimeve perëndimore, z. Fogarti nuk ka një adresë të saktë. Është i rezervuar në komunikim tonë disamujor dhe kërkon kohë për të mbledhur foto e dokumente, por edhe ndoshta për të sistemuar ngjarjet në kujtesën e mbushur me histori të tilla. Më në fund ka vendosur të flasë, të rrëfejë historinë e tij “shqiptare” për një nga ngjarjet e hershme të karrierës, e cila mesa duket, duhet t’i ketë lënë gjurmë të thella në kujtesë.
Vincent Fogarti, një specialist i Degës së Operacioneve Klandestine të Zbulimit Ushtarak, Dega C, në dimrin e vitit 1981 bëhet pjesë e një grupi shqiptarësh, të cilët 10 muaj më vonë do të tronditnin thellësisht kupolën e regjimit komunist. I tërhequr në këitë grup nga një miku i tij shqiptar i njohur në Zelandë si Aleks apo Aldo Bajrami, Vincent Fogarti bëhet pjesë e këtij grupi me bekimin e agjencive të Zbulimit perëndimor, të cilat me sa duket, i kanë vëzhguar përgatitjet e shqiptarëve që pretendonin të vrisnin liderin më jetëgjatë komunist, Enver Hoxha.
A ishte ky grup një përpjekje serioze e diasporës shqiptare për të eliminuar Enver Hoxhën dhe për të sjellë në pushtët një regjim tjetër pro-demokratik? Apo një lojë e Zbulimit shqiptar, i cili kërkonte t’u rikonfirmonte shqiptarëve rrezikun që u vinte nga jashtë? Ishte dimri i vitit 1981 dhe Tirana priste me ankth ngjarjet që zhvilloheshin në Byronë Politike. Kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë, papritmas ishte vënë nën shënjestër. Askush nuk mund ta parashikonte fatin e tij deri në ditën kur ai u gjet i vrarë apo i vetëvrarë. Ndërkohë, në Zelandën e largët dukej se këto ngjarje kishin turbulluar jetën e qetë të një grupi shumë të vogël shqiptarësh të arratisur 30 vjet më parë, të cilët papritmas kërkojnë të marrin hak ndaj Enver Hoxhës. A ishte kjo një hakmarrje tipike shqiptare për shokët e luftës, të vrarë pas shpine, apo një intrigë shumë e komplikuar ballkanike, e cila po përdorej për të hapur rrugët e pushtetit ndaj atyre që prisnin rrëzimin e Shehut dhe pasuesve të tij në Policinë Sekrete?
INTERVISTA
Zoti Fogarti, duke ju uruar mirëseardhjen në Shqipëri, ju falenderoj për mundësinë për të folur për një nga ngjarjet më të mistershme të viteve 1980 dhe angazhimin tuaj në këtë histori. Gjithsesi do të doja ta nisja intervistën tonë me pyetjen: Kush është z. Vincent Fogarti?
Unë kam lindur në Zelandën e Re. Kam kaluar një fëmijëri normale. U rrita në një fermë të madhe dhe shkova në qytet kur isha vetëm 16 vjeç. Në qytet kishim më shumë mundësi dhe babi kishte një kompani të prodhimit të plastikës. Kështu që qysh i vogël isha mësuar pranë makinerive. Kur mbarova shkollën, babai u kujdes që unë të filloja një trajnim si specialist instrumentesh me precizion të lartë, si stampa apo vula. Kështu që në moshën 15 vjeç kisha një kontratë për specializim në këtë fushë.
Për çdo mëngjes merrja autobusin për të shkuar në punë. Tek stacioni i autobusit ishte një repart, ku rregulloheshin makina shumë të shtrenjta si “Jaguar”, “Lamborgini”, “Porshe” etj. Këtu takova Aldo Bajramin, me të cilin me lidhi më tej pasioni për makinat. Kjo ishte në 1976ën, në ’77-ën unë kisha miqësi të tillë me Aldon, saqë pija kafe me të dhe takoja miq të tij shqiptarë. Në mars 1980 unë hyra në ushtri vullnetarisht dhe aty stërvitesha shumë duke vrapuar dhe ushtruar aktivitete të ndryshme për trupin. Isha shumë aktiv gjithashtu në gjuajtjet me pushkë. Kisha qëlluar me pushkë që i vogël në shkollë, kur isha gati 12 vjeç. Stërvitesha me pushkë në ekipin e shkollës dhe isha shumë aktiv dhe kompetitiv. Aty ku unë u dallova ishin ushtrimet e inteligjencës, të cilat përcaktonin se si ti mendoje. Ndëirsa në gjuajtjet me pushkë isha nga më të mirët. Në gjuajtjet snajper mundja këdo. Ushtria më kërkoi që unë të bëhesha specialist i armëve. Problemi ishte që unë vazhdoja të isha nën kontratë në firmën ku punoja më përpara. Kështu që më regjistruan në forcat territoriale, por jo me kohë të plotë dhe më thanë që të punoja me armët. Nuk pranova dhe atëherë ushtria më ofroi vendin e vetëm që ishte vakant, në Divizionin e Inteligjencës Ushtarake. Zbulimi ushtarak në Kompaninë C, ishte i vendosur në zyrat e një godine të madhe në qendër të qytetit të Aukland.
Pra, ju u pranuat në Zbulimin Ushtarak?
Po, në Zbulimin Ushtarak, i cili ishte përgjegjës për sigurinë kombëtare. Unë e pranova këtë dhe iu thashë eprorëve të mi se po më pëlqente shumë kjo ofertë. Aleksi ishte i lumtur të më shikonte përsëri dhe të dëgjonte që kisha dalë shumë mirë në testet ushtarake. Ishte shumë i lumtur që unë do të punoja për Drejtorinë e Inteligjencës Ushtarake. Kështu, në njëfarë mënyre u ktheva në rutinën time. Shkoja në punë dhe pas pune ndihmoja Aleksin në punishten e tij dhe çdo gjë ishte shumë normale.
Tashmë ju ishit pjesë e Zbulimit Ushtarak? Ishte Aleksi i kënaqur për këtë?
Po, po, shumë.
A mendoni se ndoshta ai po përpiqej t’ju rekrutonte? Të kishte dikë në radhët e Zbulimit Ushtarak?
Në atë kohë unë isha i ri. Tani, nëse shikoj mbrapa, them se po.
Aq më tepër tani që dini më shumë për të…
Absolutisht po.
Gjatë kohës që ju filluat të shërbenit në Zbulimin Ushtarak, po zhvillohej edhe Lufta e ishujve Folkland midis Anglisë dhe Argjentinës. Ndoshta Aleksi kërkonte të dinte më shumë?
Në atë kohë e ndiqnim luftën në Folkland nëpërmjet televizorit. Më kujtohet që Zelanda e asaj kohe kishte vetëm dy kanale. Unë vija të hënën për shembull, dhe i thosha: Aleks, britanikët mbytën Bellgranon. Ai më pyeste: “Me të vërtetë”? – Po, – i thosha, – një nëndetëse nukleare mbyti Bellgranon, sapo na erdhi lajmi. Dhe në darkë ai e dëgjonte këtë në lajme. Kështu që Aleksi e dinte që unë kisha informacione. Po kështu, kur SAS apo Njësia Speciale ose njësia elitare parashutiste 42 ndërmerrnin veprime kundër forcave argjentinase, unë kisha informacione mbi këto operacione. Ky informacion na vinte në teletajp zakonisht i koduar në linjat e inteligjencës. Ai kishte një ide të qartë se çfarë bëja unë.
Pra, ai kishte një ide të qartë se ju ishit i përfshirë në zbulimin ushtarak?
Po sigurisht, dhe që unë kisha informacion. Megjithatë, shumë gjëra unë nuk ia thoja. Duhet të kisha kujdes,por nëse e dija që lajmi do botohej në gazeta, kisha dëshirë që t’ia thosha më përpara. Ai më thoshte, “hej, e pashë në TV atë që më the. Ishte e saktë ajo që më the.
Çfarë ndodhi? Ju më thatë që ai njeri papritmas ndryshoi. Kur e ndjetë ju që ai ndryshoi?
Unë mora me qira një ambient ngjitur me ofiçinën e Aleksit dhe kështu filluam të punonim së bashku. Kjo ndodhi në 1981. Çdo ditë e shikonim njëri-tjetrin. Shpeshherë pinim edhe kafe. Miqtë e tij shqiptarë vinin shpesh e bisedonin në shqip me njëri-tjetrin dhe bisedonin edhe me mua. Diku rreth muajit nëntor të 1981-it isha në dyqanin e Aleksit, kur pashë që Fred Kaceli, Bon dhe Aleksi ishin në kuzhinë. Unë në pjesën e punishtes duke folur me punëtorin e Aleksit, një djalosh me emrin Alfonso. Munda të dëgjoj bërtitje dhe zërat e lartë, të cilat dëgjoheshin deri jashtë. Pashë që ata përplasnin grushtin në tavolinë dhe hynin e dilnin nga kuzhina.
Pra ishte nëntori i 1981-it?
Po, e saktë, nëntori i 1981-it. Këtu unë pashë një ndryshim tek Aleksi. Dukej sikur ishte shumë i preokupuar, sikur mendonte gjithë ditën shumë serioz. Në nëntor, gati çdo dy-tri ditë ata vinin dhe flisnin me njëri-tjetrin.
Mund të thoni që kishte debat mes tyre?
Do të doja shumë të kuptoja shqip, që të merrja vesh se çfarë bisedonin. Por, fatkeqësisht, nuk dija shqip. Më dukej sikur i bënin leksion njëri-tjetrit. Aleksi foli për gati 10 minuta. Pastaj fliste Fredi. Pastaj Boni. E dëgjonin njëri-tjetrin sikur i shpjegonin po njëri-tjetrit diçka. Nuk e ndërprisnin njëri- tjetrin. Unë nuk doja të përzihesha, pasi mendova se diçka e rëndësishme po ndodhte. Në dhjetor të atij viti kishim marrë bileta nga një miku ynë për garën e “Grand Prix”, gara e Zelandës. E mbaj mend mirë, pasi gara e “Grand Prix” mbahet midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Jeni i sigurt për këtë?
Po, midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Dhjetor 1981.
Unë shkova në gara me Aleksin, pasi një miku ynë garonte. Ishte një ditë e shkëlqyer. Pas garës Aleksi më thotë: Vincent, a e ke pasaportën në rregull? E ke të vlefshme?” I thashë: Po, sigurisht, po pse? – Mund të shkojmë diku, më tha. Më duhet ndihma jote. Në atë moment mendova kush isha unë që të mos ia jepja ndihmën time? I thashë: Më thuaj çfarë të duhet? Më tha, se “më duhet ekspertiza jote” dhe vazhduam të ecnim. “Po, – i thashë, asnjë problem”. Më tha më duhet që “ti të fillosh sa më shpejt të blesh materiale. Nëse të duhen para, më thuaj”. Kështu që unë bleva tuba alumini dhe materiale të tjera që përdoren për silenciatorë. Me këtë u mora gjithë janarin. Çdo gjë që më duhej, Aleksi e blinte. Kështu që fillova punën duke bërë silenciatorët, por nuk po bëja dot kanalet te tubat, pasi Aleksi nuk më tregonte se çfarë kalibri do të kishin armët: 22 mm, 9mm, 45 mm.
A mendonit se kishte diçka që nuk shkonte teksa Aleksi të kërkonte të bëje silenciatorë për të?
Shikoni, sigurisht që doja ta pyesja, por duhet të më kuptoni edhe mua. Unë e di kur të flas dhe kur jo. Unë di kur ti fillon të flasësh më shumë se ç’duhet.
Por ju kishit dyshime, apo jo?
Sigurisht që po. Seriozitetin e madh që po ndodhte e lidhja me situatën e nëntor-dhjetorit dhe tashmë ishim në janar. Ndërkohë Dino Haznedari vjen nga Italia. Unë e kisha takuar dhe ai ishte një njeri me sjellje dhe veshje të përkryer. Për herë të parë që shihja kostume Armani, ishin të Dinos. Byzylykë dhe unaza të shtrenjta, Dino thonjtë i kishte të përsosur dhe dukej që bënte manikyre. Ishte perfekt. Ky njeri dukej sikur nuk kishte bërë asnjë punë të rëndomte në jetën e tij. Aleksi ma prezantoi dhe më shpjegoi se ai ishte tregtar dhe përfaqësonte shumë kompani italiane si “Tartarini”, që shiste pajisje që konvertonte gazin, pajisje ushqimore për furra, pajisje rafinerie etj. Ai shkonte shpesh në Lindjen e Mesme, Arabi Saudite, Bahiren, Kuvajt dhe shiste pajisje. Unë u gëzova që e takova këtë person dhe Aleksi më tha që ky njeri mund të të ndihmojë në biznes. Diku në mars apo prill nuk më kujtohet saktë, Aleksi më prezantoi dikë që quhej Xhevdet. Unë nuk e kuptova mirë emrin, por ai më zgjati dorën dhe më tha më thërrit Billi. Ndoshta menduan që unë nuk e shqiptoja mirë emrin Xhevdet. Më vonë e mora vesh që ai ishte Xhevdet Mustafa. Ai qëndroi në shtëpinë e Aleksit dhe vinte çdo ditë tek ofiçina. Një ditë më erdhën dhe më kërkoi, pasi Aleksi e dinte që unë kisha lidhje me një kompani diamantesh, që miku im Billi do të shesë disa gurë. Bëra disa telefonata dhe pyeta nëse një miku im mund të vinte të shiste disa gurë diamantesh. Me makinën e Aleksit shkuan në qytet dhe takuam personin e kontaktit tim dhe i treguam diamantet. Personi pasi i mori gurët dhe i pa mirë, më tha që këta gurë duhet të jenë marrë nga diku pasi kanë akoma papastërti. I thashë që nuk janë të mitë dhe ai i organizoi ata sipas ngjyrës etj. I tha çmimin në dollarë zelandez Xhevdetit, por ai donte vetëm dollarë amerikanë. Gurët kushtonin shumë, diku tek 40 mijë dollarë amerikanë. Në 1981 këto ishin shumë para. Një grua që punonte për kompaninë i solli paratë nga banka, pasi Xhevdeti donte vetëm kesh dhe nuk pranoi as çekun që i ofruan. Pas kësaj, ai iku nga Zelanda, por më kujtohet që më dha kartëvizitën e tij, ku thoshte May Import-Eksport në Staten Island në Nju Jork.
Para se Mustafa të vinte në Zelandë, Aleksi kishte shkuar në Nju Jork. Se përse nuk e di, por ai iku papritur. Një të diel në mëngjes më mori nga Nju Jorku dhe më tha: “Vincent, unë do kthehem shpejt këtë javë”. Unë nuk e dija që kishte ikur. Më tha që do ta shpjegoj sa të vij. Ai udhëtimi që të kam thënë do ndodhë. Vazhdo punën.
Ndërkohë a kishit ju dyshime për çfarë po ndodhte?
Sigurisht që në këtë kohë unë mendova se diçka e rëndësishme po planifikohej. Aleksi erdhi nga Nju Jorku dhe menjëherë u shfaq në dyqanin tim të vogël dhe pasi mbylli derën më tha: “Bëhu gati, do shkojmë në Itali. Do të vish me ne dhe ne do të të paguajmë për ndihmën tënde.
Kur ai të thoshte ne, kush ishin këta NE?
Unë nuk e pyesja kush ishte NE, unë vetëm dëgjoja. Më pyeti, “a je në rregull me këtë gjë?” Në rregull, – i thashë.
Ju ofruan para dhe nëse po, sa do t’ju paguanin për të marrë pjesë në këtë operacion?
100 mijë USD. Sigurisht që u influencova nga kjo. 100 mijë USD në atë kohë ishin shumë. Nuk e dija se si do ta shpjegoja këtë, por gjithsesi isha i kënaqur. Përsëri në atë kohë e pyeta për kalibrat e armëve, por më tha që do t’i bënim në Itali. Më tha që të sjell çdo gjë që më duhej. Unë nuk e dija që ata ishin përpjekur të blinin armë në atë kohë, po kështu nuk e dija, që nuk i gjenin dot armët.
Kur ishte momenti që e raportuat këtë operacion tek eproret tuaj të zbulimit?
Pas kësaj kërkese. Kur e pyeta se përse duheshin armët, më tha që duhet të eliminojmë dikë. Duhet të vrasim dikë. I thashë në rregull dhe nuk doja të shfaqja dyshime. E kuptova që ishte çështje shumë serioze, pasi ky njeri që unë kisha punuar për disa vjet dhe e njihja mirë, tani më kërkonte të vrisnim dikë. Më shpjegoi diçka që personi që do vrisnim kishte bërë disa gjëra shumë të këqija. I kishte vrarë disa njerëz të familjes, i kishte torturuar apo futur edhe në burg. Mendova që kishte arsye pse donte ta vriste. Sigurisht e besova pasi nëse dikush vriste dike nga familja ime, unë do bëja të njëjtën gjë, megjithëse nuk vij nga kultura shqiptare. Mbaj mend që me tha: “Vincent, tashmë jam 56 vjeç, nuk jam më i ri dhe dua të më ndihmosh me disa gjëra, p.sh të blesh disa radio ushtarake etj. Po i thashë, i njoh mirë këto gjëra. Në këtë kohë unë shkova në zyrën e Zbulimit Ushtarak dhe i kërkova shefit tim të më vinin në lidhje me Shërbimin Sekret SIS. Për ta kuptuar, SIS është Shërbimi Sekret, i cili merret me sigurinë e Zelandës ashtu si MI6 britanike apo CIA, KGB-ja apo Mosadi izraelit. Janë i njëjti nivel. Pas një telefonate, ata më dërguan një oficer të ri, i cili erdhi dhe më takoi. Jo ai që prisja unë, por në këto punë çfarë mund të presësh? Me këtë oficer takoheshim gjithmonë në një motel, por asnjëherë në zyrë. Me merrnin në makine dhe shkonim në takim. Aleksi nuk kishte asnjë dijeni për këto takime. I shpjegova oficerit të SIS-it që një grup shqiptarësh më kërkojnë që t’i trajnoj dhe t’ju përgatis armatime për të vrarë dikë. Ku, – më pyeti, – në Zelandë? Jo, i thashë, – në Itali. Por nuk jam i sigurt që është Italia ose një vend tjetër. Më pyeti sa vetë janë dhe ju thashë që janë tre vetë nga Zelanda dhe një nga Italia dhe një nga Amerika. Më tha që do fliste me shefat e tij. Pas një jave erdhi dhe më mori për drekë dhe shkuam në motel. Në dhomë ishte shefi im Kreg nga SIS, një oficer britanik i MI6, i cili vinte nga ambasada britanike dhe një oficer i CIA-s, i ambasadës amerikane në Auklend. Unë munda të kuptoj disa gjëra, aty flitej vetëm me emra, pa mbiemra. Kreg ishte me xhinse dhe këmishë, oficeri britanik me kostum, ndërsa amerikani me pantallona dhe xhaketë normale.
Më kërkuan t’u thosha atë që dija. Qëndruam për një kohë të gjatë duke folur. Oficeri britanik kishte disa pyetja pasi Aleksi më kishte kërkuar që të merrja një vizë jugosllave dhe britanike. Më duket se atëherë një vizë jugosllave kushtonte 28 dollarë dhe ai pagoi me çek. Viza jugosllave më erdhi me poste ndërsa vizën britanike e mora në Auklan. Oficeri britanik më pyeti se ku do shkonim? Ju thashë në Itali, do fluturojmë në Romë po nuk e di çfarë do bëjmë më shumë, por e di që do vrasim një person. Kush do ta vrasë, – më thanë? Ti? – Ju, thashë që nuk e di nëse ata duan që unë të qëlloj, por jam i sigurt që këta persona nuk dinë të gjuajnë me armë. Janë lopçarë, nuk dinë të gjuajnë me armë. E dija që kishin aftësi të kufizuara për të gjuajtur. Për shembull, Aleksi nuk kishte qëlluar që kur kishte qenë partizan në lufte. As Dino dhe as Kaceli nuk dinin të qëllonin me armë. Edhe Mustafa nuk më dukej me eksperiencë. Unë e kuptoj mirë se kush ka eksperiencë nga mënyra se si e mban armën dhe si e përdor atë. Unë e kuptoj nëse ke mbajtur armë apo jo duke pare sa i sigurt ishte me armën. Shefi im i pyeti të tjerët se çfarë mendonin. Oficeri i CIA-s me tha: Shumë mirë, bëje, do të jetë një shmangie vëmendjeje nga ajo që po përgatisim. Se pse më mbeti në mendje kjo frazë…?!
Marrë nga “Exclusive”, Top Channel

 

Shkruan: Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu