Zeqije Nuri: Kriminelët e Zervës më futën në varr të gjallë me vajzën dy vjeçe

0
268

Zeqije Nuri tregon historinë e jetës së vet, në kohën kur filloi masakra e madhe e forcave greke, të drejtuara nga Napoleon Zerva mbi Çamërinë e pambrojtur. Ajo dëshmoi se atëherë kur filloi masakra, jetonte në qytetin e Paramithisë në Çamëri, ku nisi pikërisht historia e përgjakshme. Atëherë ishte vetëm 18 vjeçe dhe kishte një foshnjë dy vjeçe. Në këto kushte dhe në këtë gjendje, asaj i duhej të përballonte turmat e elektrizuara të Zervës, të cilat plaçkitnin, torturonin dhe vrisnin si pa gjë të keq, sa që e kthyen qytetin në “kënetë” gjaku dhe kufomash, pa përjashtuar jo vetëm gratë, por as plakat dhe fëmijët. Kështu dhe Zeqija me foshnjën e vogël dhe vjehrrën e saj, u shpëtuan pothuajse kot vdekjes së sigurt. Një grup kriminelësh i çuan dhe ato te një varr i parapërgatitur dhe desh i vranë, sikur të mos i ishin gjendur vjehrrës disa monedha ari të fshehura diku. Por më e tmerrshmja për Zeqijen ishte se ajo përjetoi djegien tragjike të kunatës së saj, të cilën, si e lyen me benzinë, i vunë flakën para fëmijëve. Ata shikonin mes asaj llahtarie nënën e tyre teksa digjej me shpejtësi, pa mundur të bënin gjë se ishin të mitur. Në mes këtij terrori dhe gjakderdhjeje, Zeqija përfundoi në burg. Ishte fati i saj, që njëri nga grupet greke që i shkoi për kontroll, pikërisht në momentet kur ajo s’kishte asgjë më për të paguar, nuk i kërkoi fillimisht të holla për ta grabitur, se ndryshe do të përfundonte si kunata e vet. Ata e morën për në burg. Aty ajo u përball me tmerre edhe më të mëdha. Sa shkoi, pa se si grekët vranë një shokun e tyre, po grek, vetëm për faktin se simpatizonte Shqipërinë. Si burgje ishin sajuar shtëpitë e çamëve, të cilët i kishin vrarë apo i kishin izoluar. Në gjithë Paramithinë bëheshin me dhjetëra shtëpi të kthyera në burgje, të cilat ishin mbipopulluar në mënyrë të jashtëzakonshme nga gratë çame. Edhe në burgun që u vendos Zeqija, gratë rrinin shumë të ngjeshura. Ato vdisnin përditë nga të pangrënët, nga pisllëku dhe nga sëmundjet.
Po si ndodhi që 18-vjeçarja Zeqije Nuri të priste para varrit të hapur me foshnjën dy vjeçe në duar, që të ekzekutohej nga kaçakët e Zervës që ë kishin vënë pistoletën pas koke.
Historia e kunatës së Zeqije Nurit, e cila u dogj e gjallë e lyer me benzinë, në oborrin e shtëpisë, para dy fëmijëve dy dhe tre-vjeçare, që e shikonin të lebetitur teksa shkrumbohej.
Vendet e posaçme, si shkolla e qytetit, që u caktuan për të masakruar dhe vrarë njerëzit e pafajshëm të Paramithisë.
Burgosja e Zeqije Nurit në ambientet e policisë dhe torturat që i bëheshin grekut që bërtiste “Rroftë Shqipëria”, deri sa e therën si të ishte bagëti.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zonja Zeqije, thatë se në ditët e masakrës së përgjakshme çame keni qenë vetëm 18 vjeçe, apo jo?
Siç edhe t’u shpreha në intervistën e kaluar, gjithçka rreth asaj llahtarie filloi në 27 qershor të vitit 1944 dhe vazhdoi jo pak kohë, por deri në disa muaj, ku mori mes torturash jetët e shumë e shumë njerëzve, jo vetëm të burrave por edhe të grave dhe fëmijëve. Unë nuk mund të flas dot tamam more djalë, se më dridhet trupi për ato që më panë sytë dhe më dëgjuan veshët, sa dhe tani them me vete për grekët, se si mund të arrijë njeriu në atë lloj feje sa të barbarizojë dhe foshnjat. Këtë desh e pësova dhe unë me vajzën time, kur më çuan mbi varr dhe kot më kthyen prapë në jetë. Unë, siç ta kam thënë, është e vërtetë se isha vetëm 18 vjeçe dhe kisha një vajzë vetëm dy vjeçe. Mes gjithë asaj barbarie që na kish kthyer në njerëz të mpirë, duke mbajtur hijen e vdekjes çdo çast mbi kokë, mësova vetëm kaq, se gjithçka që ndodhte përreth e organizonte vetëm një njeri me emrin Napoleon. Ai, siç thoshin, ishte shprehur shumë herët se “myslimanëve nuk do t’ju lë as macet të marrin frymë”. Dhe vërtet, ashtu siç tha, ashtu edhe e bëri. Arriti të merret dhe me gratë dhe fëmijët e pambrojtur të Çamërisë.
E lamë intervistën e numrit të kaluar, në momentin e ditës së parë që hynë forcat e Zervës në Paramithi, – e cila ishte dhe sinisja e masakrës së madhe gjakatare që mund të bënte raca njerëzore, – kur ju shkuat për t’u mbrojtur te kushëriri juaj që kishte marrëdhënie shumë të mira me njerëzit e origjinës greke. Si vijoi më tej ngjarja?
Ata hynë gjatë natës; unë i pashë aty rreth orës 01.00 pas mesnate teksa ecnin këmba-doras duke u afruar në shpatin e kodrës me ullishte që e quanim Karakoj. Në mëngjes e vunë situatën në kontroll dhe dukej që po përgatiteshin për “dasmë” të madhe, se kërkonin tërë njerëzit t’i bënin kurban. Unë siç e thatë, shkova së bashku me vajzën time vetëm dy vjeçe në duar në shtëpinë e kushëririt tim të quajtur Qazim Rexhepi, me idenë se shtëpinë e tij nuk mund ta preknin njerëzit e Zervës, se ai kishte pasur marrëdhënie shumë të mira me ta. Por ajo miqësi me të pabesët do të ishte vetëm ditën e parë, se pastaj ata nuk do të kishin mëshirë as për mizat. Të kujtosh ata grekë në ato momente të kujtohet ajo shprehja e vjetër që thotë: “Kur njoha njeriun desha me shumë kafshët”, sepse ata njerëz qelbën racën njerëzore. Aty te shtëpia e kushëririt gjeta dhe nënën time, por për çudi atë drekë te ai kishin ardhur paria e grekëve. Ishte dhe kryekrimineli i familjes sonë, që një vit më parë më kishte vrarë vëllain tim, Eqeremin. Ai quhej Vasillaq Kokori. Madje aty pa dhe nënën time, dhe i tha se s’ia kishte vrarë ai djalin, por ai donte të vriste atë, pra Vasillaqin. Unë isha atje dhe ata nuk më njihnin, ndërkohë që po më kërkonin. Burri im në këtë kohë kishte mbërritur me dy miqtë e tij, Muahrrem Prronjon dhe Musa Berberin në Janinë, se e mësoi se ata nuk do të linin këmbë mashkulli pa copëtuar dhe pa e bërë thela- thela në tepsi, ashtu siç dhe bënë.
Ndenjët shumë në shtëpinë e kushëririt?
Nuk ndenja shumë, deri pasdreke. Kisha merak për vjehrrën dhe për vajzën e vogël, Serin. U nisa për në shtëpi. Kalova rrugicave dhe bah-çeve dhe përfundova deri te shtëpia. Nuk dinim ç’të bënim. Kishte rënë një erë e rëndë vdekjeje. Ishim ve-tëm. Në shtëpi kishin ardhur dhe dy komshijet tona të quajtura Vasfija dhe Zubideja, si dhe kunata ime që të nesërmen u dogj e gjallë me benzinë, ndaj u mblodhëm bashkë në darkë.
Si quhej kunata?
Kunata ime, që ishte ndërkohë edhe kushërirë e parë imja, vajza e hallës, quhej Sanija. U mblodhëm pra, bashkë, të gjitha atë natë. Por nuk vonoi dhe filloi ulërima. Ç’të dëgjoje, ulërima grash që vazhduan tërë natën. Llahtari. Në darkë erdhën disa ushtarë grekë edhe në shtëpinë tonë dhe na thanë se donin flori me patjetër, se ndryshe do ta pësonim. Ne sigurisht i dhamë ato që kishim. Ç’na ndodheshin, bizhuteri, byzylykë, unaza e çdo gjë që na ndodhej.
Por u thamë atyre se si do të bënim nëse do të vinin të tjerë. Ai na u përgjigj se atë natë do të ishin ata në atë zonë dhe nuk na prekte njeri, se kishim paguar. Kështu, atë natë ndërsa nuk na preku njeri, dëgjonim llahtarinë në të gjithë qytetin.
Çfarë u bënin?
I grabisnin, kush nuk jepte flori e vrisnin, i vrisnin fëmijën në sy apo e përdhunonin. Nuk e di as vetë se si kam shpëtuar në një situatë të tillë. Ndoshta nga interesi që kishte treguar Zerva, duke u shprehur se do të martohej me mua apo ku ta di unë, se atë ma ka thënë kur isha në spital. Por ku ta di unë, në atë çast s’e mendoj se erdhi rastësisht te unë dhe më kërkoi të martoheshim. Por unë i tregova vendin, ndërkohë që njerëzit e tij po më çanin fytin aq sa filloi të më rridhte gjaku, (tregon me dorë mjekrën me shenjë të bërë dikur ndërsa kundërshtonte Zervën). Por të kujtoj atë natë të parë që e gdhimë nën britma dhe llahtari, ulërima dhe klithma. Erdhi mëngjesi dhe dola në rrugë të shikoja se çfarë bëhej. Pashë priftin e hedhur në ferrë, të masakruar dhe të zhveshur. Më tutje, anë një kthese ku ishte çezma e lagjes, ishte një grua rreth të 30-tave e vrarë dhe krahë saj vajza 9-vjeçare po ashtu e vdekur. Dukej që u ishte marrë jeta barbarisht. Dridhesha dhe një panik më kishte mbërthyer. Ika për te qendra kur ç’të shikoj o djalë. Vetëm therje. Burrat që kishin guxuar të rrinin si rezultat i marrëdhënieve të mira që kishin pasur me grekët, madje dhe për shkak të detyrave që kishin kryer në qytet, jo vetëm që i kishin vrarë por dhe i kishin bërë copash të gjallë. Isha dhe me vjehrrën dhe vajzën. Në një vend na del një grup ushtarakësh, por ata ishin xhahilë. Na kërkuan flori dhe këta, se ndryshe do të na vrisnin. Por ne nuk kishim asgjë dhe nuk dinim se çfarë t’u jepnim. Ata na morën përpara për të na vrarë.
I njihnit?
Po ore. Jo vetëm që ishin nga Paramithia, por do të çuditeni më shumë tani që do t’ju them se njëri ishte shoku im i klasës i quajtur Vasili Rafti dhe tjetri ishte mësuesi im dhe i Vasilit, i quajtur Kosta Zhango. Ata që mund ta lexojnë shkrimin besoj se i kanë njohur apo i njohin.
Mësuesi dhe shoku yt i klasës?
Po, po. Kërkonin florinj. Nuk donin të dinin dhe nuk të njihnin fare. Më morën mua dhe vjehrrën time të shkretën e cila deri në fund, pra për pak ditë dha shpirt nga këto vuajtje dhe strese. Madje u çmend para se të mbyllte sytë, se nuk e përballoi dot llahtarinë që i panë sytë. Kështu, ata na çuan te varrezat dhe na vunë para varrit të hapur dhe na shtrinë në tokë me fytyrë drejt gropës. Vajza dy vjeçe u lebetit dhe me zor e shtrëngoja te krahu. Por shoku i klasës dhe mësuesi im nuk donin t’ia dinin. Me ta ishin dhe nja dy-tre maskarenj të tjerë.
Dhe me fëmijën?
Po, po, me fëmijën tim, vajzën dy vjeçe. Vjehrra e shkretë u thoshte: “Amani more, në keni perëndi më vrisni mua dhe lini nusen se ka vajzën, çfarë ju ka bërë ajo”. Por donte t’ia dinte kush thua?! O florinj ose të tre me fëmijën jeni të futur në fund të kësaj grope. Në këtë kohë ndjeva armën e shokut tim të klasës, Vasil Rafti, që më ishte vënë pas koke gati për të shkrepur. Më dridhej zemra për të shkretën vajzë. (Qan me ngashërim ndërsa kujton qartazi momentin që përshkruan.) Isha bërë si e dehur. Ku ishte fshehur gjithë ai shpirt bishe.
Po si shpëtuat?
Në çastin që ai mbushi armën për të qëlluar, vjehrra se si u kujtua dhe i tha se kishte fshehur në një ferrë në një bahçe disa florinj. Në këtë çast ata na çuan dhe e shoqëruan vjehrrën për t’i gjetur. Shkoi e shkreta dhe i gjeti disa vathë, rruaza, monedha e zbukurime grash të florinjta të mbështjella në një leckë dhe jua dha. Pas kësaj ata u ulën si të çmendur dhe bënin ndarjen e tyre me njëri-tjetrin. Kështu na lanë të iknim. Unë i thashë mësuesit tim Kosta Zhango që, “si të bënim tani kur të na kapnin të tjerët, se ne nuk na mbeti më asgjë”. Atëherë ai më tha se do të shkoja te shtëpia e një greku të Paramithisë i quajtur Jani Roshaqi dhe atje do të kalonte ai, pra mësuesi të më merrte. Fjalën e kishte të më shpëtonte tani që kisha paguar. Jani Roshaqi e kishte shtëpinë në periferi të qytetit, në dalje të tij. Për të mos më kapur njeri tjetër ai më dha një letër ku shkruante që këtë person të mos e preki njeri, se është nën mbrojtjen time. “Ti do të jesh atje, – më tha ai, – dhe do të kaloj unë të të marr e të të çoj te shtëpia ime”. Se ai shtëpinë e kishte në një fshat afër Paramithisë.
Shkuat?
Në këtë kohë vjehrra me vajzën kishin ikur për të shtëpia. Vjehrra e gëzuar që shpëtoi Seri dy-vjeçare iku me të, duke e mbështjellë në duar dhe duke nxituar si të ishte vajzë dhe drejt e në shtëpi. Në këtë kohë kisha marrë edhe unë letrën e mësues Kostës që më nxori nga varri vetëm si u pagua dhe mora rrugën drejt nga ishte dhe shtëpia time. Aty thashë të kthehesha te shtëpia ime dhe të shihja se çfarë bëhej me vajzën dhe vjehrrën.
Të lutem, më përsërit më hollësisht aktin kur donin t’ju vrisnin me vajzën dy vjeçe. Mos po ma ekzagjeroni disi atë histori? Në ç’rrethana ndodhi, edhe një herë? Më falni nëse ju kërkoj sqarime për hollësi, besoj se më kuptoni?
Pra, si ndodhi që grekët deshën të të pushkatonin me foshnjën dy vjeçe?

Nuk e kam harruar atë që kam provuar vetë me foshnjën time dy vjeçe, Serin. Jo një herë të më pyesni, por natë e ditë, do ta kujtoj me hollësitë më të vogla dhe më duket sikur më ka ndodhur para një ore.
(Tregon me dorë të bijën e vet 60-vjeçare të ulur krah saj). Desh ma pushkatuan katilët për hiç gjë.
Akoma kur e kujtoj dhe sot nuk mundem ta kuptoj se si ata njerëz nuk mundej t’i prekte aspak paniku i një foshnjeje apo ta mendosh se çfarë njeriu mund të jesh që të guxosh t’i drejtosh armën e mbushur foshnjës.
Ishte dita e dytë si kish filluar terrori dhe plaçkitja. Në të shumtën e rasteve komitët e Zervës na vinin në shtëpi e na vinin tytat e armëve te goja dhe na kërkonin monedhat e florinjta. Në momentin kur unë nuk kisha më asgjë, pasi për 24 orë s’më kishin lënë në shtëpi as çarçafë (pak orë para se të më fusnin në burg), ia behu sërish grupi i kaçakëve mjekroshë të frikshëm, për të cilët të thashë se ishin të njohurit e hershëm tanët, madje mes tyre dhe shoku i klasës dhe mësuesi im. Ata kur panë se s’kisha t’u jepja gjë më morën së bashku me vjehrrën dhe foshnjën time dhe na çuan para një varri të hapur që ndodhej në anë të varrezave. Mbushën armët dhe na i drejtuan për të na pushkatuar dhe as që donin t’ia dinin për të qarat me dënesje të Serit të vogël, e cila dukej sikur po kuptonte ç’po ndodhte rreth saj. Vetëm kujtesa e vjehrrës, se kishte fshehur dhe disa monedha e bizhuteri në një kaçube për një rast të vështirë, na shpëtoi jetën. Në të kundërt nuk do na kishin kursyer.
Po, dhe pastaj u nisët, siç thatë, me letrën e mësuesit që kishit paguar për në shtëpinë që ai ju rekomandoi, pra të Jani Roshaqit, ku ai do t’ju merrte e t’ju çonte në shtëpinë e tij në një fshat afër Paramithisë. Kështu thatë, apo jo?
E ç’shtëpi mor djalë, po ç’të bënim. Dihej që ata talleshin dhe të vrisnin por ç’të bënim neve, ku të mbyteshim. Në çdo çast kishte vjedhje, lebetitje, prerje kokash, therje nga fyti, djegie, qëllim pas koke me pistoletë e ç’të të them. Por unë sigurisht, do ta merrja letrën, se kushedi mbase pinte ujë dhe u nisa, por jo për te Jani ku tha Kosta, por për te shtëpia ime. Se siç të thashë, ishte nisur vjehrra me vajzën para.
Rrugës kur ecja për te shtëpia u ktheva te oborri i kunatës, e cila një natë më parë kishte qenë në shtëpinë tonë. Po ç’të të them o bir. Ajo digjej e gjallë para fëmijëve në oborr të shtëpisë. (Qan me ngashërim teksa kujton episodin në fjalë).
Pse, si është ngjarja që dogjën kunatën tuaj të gjallë para fëmijëve të saj të mitur?
Ajo quhej Sanije Nuri. Kishte dy fëmijë të vegjël dhe rrinte si e tmerruar dy ditët që kishte filluar masakra. Më kishte thënë se nuk i dhimbsej fare vetja, por kishte hallin e fëmijëve. Mendimi se në një çast ata mund t’i shihte të vdekur e shkatërronte tërësisht dhe nuk gjente vend ku të futej. Mes kësaj zallahie, në mëngjesin e asaj dite kur desh më vranë dhe mua me foshnjën, (data 27, pra dita e dytë e masakrës), ajo kaloi nga kopshti i komshiut për të arritur në oborrin e tij, se po shikonte që në portën e saj po afrohej një grup kaçakësh. Por ç’të shikonte, edhe atje u gjend mes një grupi tjetër të tillë, të cilët si në çdo rast tjetër i kërkuan monedha floriri, por si nuk morën gjë e lyen të shkretën Sanije me benzinë dhe i vunë flakën të gjallë përpara fëmijëve. Ata ishin lebetitur nga ajo që po shikonin. Banditët shpirtzinj si e panë që shpërtheu në flakë trupi i Sanijes u larguan ngadalë, duke mos e prishur shumë terezinë. Në ato momente kur i kishte mbetur dhe pak jetë, dikush e kishte shuar. Por gjithsesi ajo ishte kthyer në një trung të zi si korbi, ku nuk kishte mbetur asgjë veç shkrumbit. Rrinte e shtrirë duke dhënë frymën e fundit. Fëmijët i rrinin pranë të hutuar. Sanija ua kishte ngulur sytë e përhumbur dhe i shikonte në ato minuta jete që i kishin ngelur, pa mundur të bënte gjë për ta. Në këtë gjendje e gjeta dhe unë. Kur e pashë nuk u besoja syve dhe gati sa s’më ra të fikët. Iu afrova dhe si u ula te veshi i saj i fola me ngadalë: “Sano, kush të bëri kështu? Ma thuaj vetëm mua se s’i them njeriu”. Por ajo duke më ngulur sytë me dhimbje më foli shumë ngadalë, duke belbëzuar: “Nuk e di”, dhe sërish shikonte fëmijët, të cilët vazhdonin t’i rrinin pranë pa kuptuar ç’do t’i ndodhte nënës së tyre në pak minuta. Megjithëse unë ngulja këmbë me tepër delikatesë për të më treguar atë që e bëri në atë gjendje, pasi e dija se i kishte njohur, ajo vazhdonte të mohonte. E kuptoja që kishte frikë për fëmijët, se mos u ndodhte gjë nga ata katilët po të tregonte. Ajo dhimbjen më të madhe e kishte te fëmijët që po i linte vetëm, se sa te dhimbja që i kishte shkaktuar djegia, që e kishte kthyer në atë lloj trungu të shkrumbosur. Dhe ashtu vdiq, me sytë nga ata të cilët deshi perëndia e i ruajti dhe tani jetojnë mirë, me shtëpi në qendër të Tiranës. Mua ajo skenë nuk më ka dalë dhe as do të më dalë ndonjëherë nga mendja derisa të vdes. Kështu që, dhe në burgun që më çuan, ku muret dhe dyshemeja e dhomave ishin larë në gjak të freskët dhe të bërtiturat e burrave të kapur që po torturoheshin në bodrum po çanin tavanin, asgjë s’më bënte më përshtypje, por rrija ashtu e kruspullosur në rrëzë të murit vetëm duke menduar.
Thatë se fëmijët e kunatës suaj që u shkrumbua nga grekët duke u djegur e gjallë janë tashmë në Tiranë, madje jetojnë shumë mirë. Ku janë dhe me se merren?
Ata deshi zoti dhe fati që shpëtuan gjallë. Arritën gjallë në Shqipëri dhe tashmë jetojnë me nder dhe me sakrificë, por që jetojnë mirë. Quhen Fadil Nuri dhe Rako Nuri. Janë biznesmenë, madje kanë ndërtuar pallatin e ri që është bërë së fundmi te tregu i njohur çam.
Dhe pas kësaj përfunduat në shtëpi, apo në shtëpinë e Jani Roshaqit ku ju kishte rekomanduar mësuesi juaj, i cili ishte kthyer në bandit, hajdut florinjsh dhe kriminel?
Menjëherë u ktheva në shtëpinë time, ku gjeta në oborrin e saj një tjetër grup kaçakësh, se siç të thashë ata atë punë bënin, bridhnin me armë të mbushura në çdo shtëpi e çdo rrugë, pasi kishin urdhër nga komandanti i tyre, Zerva, që të bënin ç’të donin dhe mbi këdo që të donin, mjaftonte të ishte mysliman. Kështu që dhe në shpëtoje nga njëri grup, përfundoje te tjetri. Nuk dinim ç’të bënim dhe nga të kalonim. Por këtë herë në oborr gjeta jo dokëdo, por një nga komitët e rrezikshëm, që një vit më parë na kishte vrarë në stan vëllain tim dhe dy vëllezërit e burrit dhe pastaj kishte grabitur 700 krerë bagëti për t’i çuar te komitët e Zervës, ai që një ditë më parë kishte qenë te kushëriri im Qazimi Rexhepi për drekë, pra Vasillaq Kokori.
Të tjerët i njohe, se ka rëndësi kjo dëshmia juaj në këtë çast kur flisni konkretisht me njerëz të veçantë?
Patjetër që i mbaj mend. Çdo gjë mund të harroj, por ata emra dhe ato fytyra do t’i kujtoj derisa të mbyll sytë. Ishte Vasillaq Kokori, gjeta gjithashtu ustain që kishim pajtuar sa herë kishim probleme të rregullimit të shtëpisë dhe i treti ishte Ilia Mandi, po nga Paramithia.
Vasillaqi, sa na pa që hyra në oborr, foli me qesëndi dhe me një kapadaillëk të pështirë: “O, o, … ja na erdhi dhe madama e Taho Nures. Pa hajde këtu, se nuk kam lënë vend pa të kërkuar… . Po atë trimin ku e ke, apo të ka lënë vetëm?( E kishte fjalën për burrin tim). Hajde nisu para për në komandë”, dhe pas kësaj nuk ma bënë të gjatë por më vunë përpara. Shyqyr që s’më vunë dhe këta kusht që të kisha flori, se e kisha vdekjen e sigurtë pastaj. “Hajde me ne”, – tha Vasillaqi, megjithëse e pa letrën e Kostës. Në këtë çast i thashë se kisha vajzën brenda me vjehrrën, por ai m’u përgjigj se do të më shpëtonte dhe se vajza nuk ishte imja por e Nures. Nuk kisha ç’të bëja, e ndoqa nga mbrapa ndërkohë që më kishin rrethuar të tjerët. Kur kalova te çezma i thashë që të pija pak ujë se isha tharë. Më lejoi, por mua nuk më shkonte uji në grykë. Nuk e di, doja ta kaloja dhe nuk më kalonte poshtë. Pas kësaj, më thanë që të vazhdoja rrugën se s’kishin ç’të më bënin, por gjithnjë duke më thënë se do të më mbronte. Rrugës kur ecte ndeshej me komitë mjekroshë dhe i thonin “Ta gëzosh”, ndërkohë që ai ua kthente me “faleminderit”. Mua më thoshte që mos ta vrisja mendjen se thonin ashtu, se ushtarë të ardhur nga lufta ishin. Në fund më çoi në Polici, ku kati i dytë ishte kthyer në burg për çamet. Kështu, pas dy ditëve me ankth, kur kisha parë dhjetëra vdekje dhe tortura dhe kur në shtëpi nuk më ngeli më asnjë leckë, përfundova në burg.
Pra, ju hëngri në besë Vasillaqi, apo jo?
Po pra. Atje bëri një akuzë, se ne kishim dashur t’i vrisnim ata, se burri im kishte dashur të vriste gruan e tij etj. etj., ku i mbaj mend maskarallëqet e atij njeriu. Më la aty dhe iku. Aty, ndërsa rrinim në katin e dytë, dëgjonim torturat dhe tmerret e burrave që i vrisnin në katin e parë apo bodrume të policisë. Vetëm thirrje dhe ulërima dëgjoje “Ooooooo”. Në qeli ishte dhe një grek, që e kishin futur vetëm se simpatizonte shqiptarët dhe Shqipërinë. Por atë vetëm për këtë gjë e copëtuan. Pra e vranë fare.

(Vijon nesër)

 

Nga Fatos Veliu

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu