Zgjedhgjet Serbe, një hap drejt ndarjes së Kosovës

0
108

Po në të njëjtën ditë, kur serbët do të përdhunojnë sovranitetin e Kosovës duke organizuar zgjedhje të Serbisë në territorin e saj, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi do të takohen në Prizren për të përuruar abetaren e përbashkët të shqiptarëve

Qeveritarët më të lartë të Kosovës dështuan të mbajnë premtimin publik se nuk do të toleronin mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës. Më parë, Kryeministri Hashim Thaçi ish mburrur se “…Serbia me pretendimin e vet për të organizuar zgjedhjet në Kosovë, nuk do t’ia arrijë qëllimit… edhe për zgjedhje lokale, edhe për zgjedhje të përgjithshme dhe presidenciale”. Vetëm pak javë më vonë, mediat raportuan se ishte arritur një marrëveshje për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë. Kryesuesi i OSBE-së, Imon Gilmor, deklaroi të zezë mbi të bardhë se mirëpriste marrëveshjen e arritur “për sa i përket rolit lehtësues të misionit të OSBE-së në Kosovë për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë”. Ç’ka ndodhur? Mburrja e Kryeministrit është rrudhur. Tashmë Serbia do të ndalohet të organizojë vetëm zgjedhje lokale në Kosovë, ndërsa për sa u takon zgjedhjeve të përgjithshme dhe parlamentare kjo nuk përbëka më problem! Dikur Thaçi kish deklaruar se çfarëdo lloj zgjedhjesh të Serbisë në Kosovë ishin një “pretendim agresioni” që binte në kundërshtim të plotë me Rezolutën 1244, me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare, me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne mendojmë se Kryeministri Thaçi i sotëm e ka gabim, kurse ai i pak javëve më parë e kish drejt. Pra që çdo lloj zgjedhjesh të shtetit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës janë një cenim i rëndë i sovranitetit të kësaj të fundit. Madje akoma më keq. Dyshojmë se ato mund të shërbejnë për të shtruar rrugën për akoma më keq, për ndarjen e Kosovës. Pretendim që zyrtarë të lartë serbë e kanë artikuluar, kohë pas kohe, madje duke u përpjekur të fusin në valle edhe Tiranën zyrtare dhe duke shmangur Prishtinën.

***

Kryeministri Thaçi përpiqet që të qetësojë ndërgjegjen e tij dhe atë të bashkështetasve të tij, duke thënë se institucionet e Kosovës njohin standardin ndërkombëtar që i njeh të drejtën e votimit shtetasve me shtetësi të dyfishtë. Thaçi justifikohet se po respekton Konventat Ndërkombëtare. Në fakt asnjë konventë ndërkombëtare nuk e detyron një shtet të organizojë në ndonjë pjesë të territorit të vet, zgjedhje parlamentare, presidenciale apo lokale në funksion dhe si pjesë e zgjedhjeve parlamentare, presidenciale apo lokale të një shteti tjetër. Nëse kjo ndodh shteti në fjalë bëhet një shtojcë e shtetit tjetër që do të thotë, humbet sovranitet. Votimi i shtetasve serbë jashtë Serbisë për çfarëdo lloj zgjedhjesh të Serbisë duhet bërë sikundër ndodh rëndom në shtete të tjera, me anë të të ashtuquajturave votë në mungesë, votë postare, votën në internet e të tjera teknika që janë shumë të njohura. Por organizimi i qendrave të votimit në territorin e Kosovës për zgjedhje që nuk janë të Kosovës, aq më tepër nën vëzhgimin edhe të OSBE-së, është një “dallim” sa ai mes përdhunimit të një femre me prezervativ dhe përdhunimit pa prezervativ.

Ndërkaq, nëse praktika që po ndiqet në Kosovë qenka e drejtë, a nuk u lind e drejta edhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës të kërkojnë të njëjtën gjë? Pra, të votojnë edhe ata në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme apo presidenciale në Kosovë?! Për qeverinë serbe kjo kërkesë mund të tingëllojë si herezi e skajshme antisovranitet dhe integritet administrativ.

***

Vështirë se ndonjë qeveritar i ndonjë shteti tjetër do të bënte koncesionin që Kryeministri Thaçi ka bërë në Kosovë. Shumëkush do të preferonte dorëheqjen sesa të nënshkruante cenimin e sovranitetit shtetëror. Por shihet qartë se për Thaçin pushteti është më i rëndësishëm se sovraniteti. Shitja e pjesëve të shtetit për të rregulluar pazaret e pushtetit është tipar i kahershëm i pushtetarëve shqiptarë. Pa hyrë në histori të vjetra, mund të themi se edhe në Tiranë Kryeministri Berisha tentoi të falte “atdhetarisht” ujëra detare të shqiptarëve me një nëntokë të pasur gazi dhe nafte. Diplomacia serbe, me lidhje shumë më tradicionale e më të forta në Europë se ajo shqiptare, duket se po shfrytëzon me efektivitet këtë prirje të politikës mbarëshqiptare për të shitur shtet për pushtet. Mobilizimi thuajse paneuropian për të zbatuar zgjedhjet në Kosovë, qartazi në interes të pretendimeve serbe, e provon këtë. E provon gjithashtu edhe zbythja e diplomacisë së BE-së nga pozitat e mëparshme. Sepse jo shumë larg, Stefan Fyle, komisioneri për zgjerimin, kish deklaruar se “nuk ka vend për zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës”. Kemi të bëjmë qartazi me një devijim thelbësor të diplomacisë së BE-së, që fatkeqësisht, ndryshe nga sa shpresohet, shtyn nga kënaqja e epsheve nacionaliste serbe dhe jo drejt një projekti të një shteti të Kosovës ku do bashkëjetojnë shqiptarët dhe pakica serbe me të drejta dhe liri të garantuara. Sepse organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në veriun e Kosovës, është një tjetër përforcim i idesë se ajo pjesë e Kosovës në fakt, nuk është dhe nuk i përket Kosovës. Po në të njëjtën ditë, kur serbët do të përdhunojnë sovranitetin e Kosovës duke organizuar zgjedhje të Serbisë në territorin e saj, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi do të takohen në Prizren për të përuruar abetaren e përbashkët të shqiptarëve. Duket kinse si një lëvizje për ta maskuar me festën e këtij investimi për unifikim gjuhësor që përkëdhel aspiratën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, skandalin e zgjedhjeve serbe në veri, pas të cilave nxjerr kokën opsioni i ndarjes së Kosovës. Dhe është e vështirë që këta politikanë që po faktojnë se shesin edhe shtetin për pushtetin, të mos fanepsen befas si zbatues të vullnetit të serbit me emrin Tadiç, që pak kohë më parë thuajse e tha troç: Na jepni Mitrovicën pa pastaj bashkohuni po deshët! Projekti i fshehtë i ndarjes së Kosovës po përparon?

 

Nga Andrea Stefani

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu