“Zogu nuk krahasohet me Qemal Stafën”

0
102

Historiani i shquar shqiptar, Arben Puto, kritikon kryeministrin Berisha për zhvlerësimin, që sipas tij, i bëhet meritës së popullit shqiptar në Luftën Nacional Çlirimtare. I njohur si ekspert në çështjet e diplomacisë, Puto thekson se është tallje me të gjithë veteranët që kanë marrë pjesë në luftë kundër pushtuesit mohimi i vlerave. Duke e cilësuar një absurditet, historian Puto shprehet kundër ndërhyrjes së politikës në përcaktimin e fakteve historike. Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Berisha për t’i hequr emrin e heroit Qemal Stafa, stadiumit  kombëtar, Arben Puto thekson se  të tilla deklarata janë poshtërime për dëshmorët të cilët dhanë jetën për lirinë e vendit. Sipas tij, Qemal Stafa është simboli i Luftës Nacional Çlirimtare dhe i sakrificës së rinisë për lirinë e vendit. Në lidhje me rivlerësimin e ish Mbretit Zog, eksperti në çështjet e diplomacisë, shprehet se ajo duhet parë me të gjithë dritëhijet e tij dhe, jo vetëm anët e mira. Historiani i njohur shprehet se për shkak të interesave politike, Zogu ka bërë shpërdorime të “llahtarshme” në dëm të interesave të vendit. Për historianin Puto, në vlerësimin e  figurës së ish mbretit Zog duhet të merren parasysh edhe marrëveshjet që ky i fundit ka bërë me jugosllavët për ardhjen në pushtet në 1924-n apo dhe braktisjen e vendit në momentet më kritike duke e lënë vendin nën pushtimin Italian.

Në mbledhjen e  Komitetit për 100 vjetorin e Pavarësisë, kryeministri Sali Berisha kërkoi rishikimin e historisë. Në fjalën e tij, shefi i mazhorancës theksoi se rezistenca e armatosur e shqiptarëve kishte “aspekte vëllavrasëse” që sipas tij janë një “realitet i pamohueshëm”. Si i komentoni këto deklarata të kreut të qeverisë?

Mua më duket se kjo është një ndërhyrje e pahijshme e politikës në histori. Një ndërhyrje e veçantë se këto kishin mbaruar, ndërsa tani po rishfaqen me një dimension të ri, në  një shkallë të re. Kryeministri pretendon se e di historinë dhe i fikson këto çështje se si duhet bërë historia. Kësaj radhe është përqendruar në Luftën Nacional Çlirimtar. Ndryshe nga çfarë ka menduar në të kaluarën, Luftën Nacional Çlirimtare thotë që e konsideron, ka konsideratë për të. Por, unë bëj pyetjen, kush e ka bërë këtë luftë? E ka bërë populli shqiptar apo dikush tjetër? Pretendon zoti Kryeministër se kjo luftë është organizuar nga trupat misionare britanike. Të mohosh luftën e një populli edhe t’ia ngarkosh të tjerëve këtë… Ndihmë kanë pasur, absolutisht. Brigada e parë është organizuar nga misionarët e parë në Vithkuq, dhe ai ju bën thirrje veteranëve që ta thonë të vërtetën. Kjo është tallje, është absurde që veteranëve t’u mohosh luftën e tyre. Është absurde që të mohojnë luftën që ka bërë formacioni ushtarak më i rëndësishëm, formacioni ushtarak më i lavdishëm i kohës së Luftës Nacional Çlirimtare.

Kryeministri deklaroi se asnjë komb nuk përjetoi një falsifikim të historisë si ai shqiptar, ndërkohë që pranoi se nuk arrinte të kuptonte se cilat ishin meritat e Qemal Stafës duke kërkuar heqjen e emrit stadiumit apo gjimnazit.  A meriton që t’i hiqet emri i tij stadiumit apo institucioneve të tjera?

E çuditshme dhe e habitshme është që të mohojë, poshtërojnë kujtimin e dëshmorëve. Kësaj radhe merret me Qemal Stafën. Një djalë i shkëlqyer, një djalë studioz që një u hodh në luftë ndaj okupatorit. Nuk paska luajtur futboll dhe prandaj nuk duhet t’i vëmë  emrin e stadiumit, nuk duhet t’i vëmë emrin e  tij shkollës… Ai është simboli i Luftës Nacional Çlirimtare, simbol i sakrificës së rinisë për liri.

Pas ndryshimeve të sistemit figura e Ahmet Zogut ka ardhur gjithnjë në rritje.  Si duhet ta shohin shqiptarët këtë figurë që i ka drejtuar për 20 vjet?

Për Ahmet Zogun, ai është përpjekur gjithmonë. Edhe kësaj radhe do që ta vërë në një plan, bile në një tentativë të fshehur për ta ndritur edhe më lart, për ta ngritur në një rang me Ismail Qemalin. Janë dy dimensione krejt të ndryshme, të pakrahasueshme. Unë po them dy fjalë. Ismali Qemali ishte themelues i pavarësisë. Është kryetar i Qeverisë së Parë Kombëtare. Nuk qeverisi dhe nuk e lanë. Zgjodhën Esat Toptanin që e vinte Shqipërinë në pazar. Tani Ahmet Zogu. Ahmet Zogu e shfaqi ambicien për pushtet që në rini. Iu dha rasti që ta nxjerrë veten e tij në Kongresin e  Lushnjës në 1920-n. Aty nisi si ministër i Brendshëm dhe filloi ajo karriera e tij politike që u zgjat gati 20 vjet. Përsëri, nuk mund t’i përmendësh vetëm meritat Zogut. Sigurisht merita ka, por nuk mund t’i përmendësh vetëm ato. Ai në 1924-ën erdhi me ndihmën  e jugosllavëve. Ai ka bërë një marrëveshje të fshehtë me Nikolla Pashiçin në 1924, i dha Shën Naumin. Ai ka bërë shpërdorime të llahtarshme. Për një kohë të gjatë e ka bërë dhe e ka paguar vendi. pastaj ai iku në 1939-ën. Ai iku dhe i shkaktoi një dëm tepër të madh vendit sepse mbeti një vend pa përfaqësi Shqipëria gjatë kohë së luftës. Edhe vendet e tjera, ndonëse ishin të okupuara, kishin qeveritë e tyre në mërgim. Zogun nuk e përfilli njeri. Atij i kërkuan, në Londër ku u vendos, që të mos merrej me kurrfarë veprimtarie politike. Ai humbi gjithë prestigjin e tij, mohoi edhe meritat e tij që bëri duke braktisur vendin.

Tha Berisha

Për Luftën Nacional Çlirimtare

Në mbledhjen e Komitetit për 100 vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri Berisha kërkoi nga historianët, studiuesit, por dhe nga institucionet zyrtare të vendit, që të kontribuojnë për të bërë të mundur që shumë akte madhore historike, momente dhe procese të rëndësishme, të marrin vlerësimin e tyre real e të vërtetë. Në ndryshime nga deklarimet e tjera, kreu i qeverisë vlerësoi rolin e Luftës Nacional Çlirimtare të shqiptarëve, edhe pse një pjesë të meritës ia faturoi kontributit të Britanisë së Madhe.

Për Ahmet Zogun

Mazhoranca vijon që të kërkojë rivlerësimin e  figurës për ish Mbretin Ahmet Zogu që sipas kryeministrit ishte i pari që i shpalli luftë kushtetuesit nga Franca. Kreu i qeverisë kërkoi edhe një rivlerësim të shumë figurave historike shqiptare për kontributin në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, që sipas Berishës, diktatura i la në harresë ose i shpalli “të ndaluar”, si vëllezërit Kryeziu, Abaz Kupi, Mbreti i Parë Princ Vidi, Luigj Bumçi, Jak Serreqi, Dom Nikollë Kaçorri,  Veli Hoxha, Vehbi Dibra,  Ndoc Çoba, Mitat Frashëri e shumë e shumë të tjerë.

Për Qemal Stafën

“Unë e kuptoj dhe kam respektin më të madh për Qemal Stafën, por nuk mund të jem kurrë dakord që një stadium, një gjimnaz, një bulevard të ketë vetëm emrin e tij. Kjo, zotërinj, është një disbalancë e madhe në histori. Se cila është merita për të pasur stadiumi emrin Qemal Stafa, i cili do të shndrisë gjithmonë në altarin e lirisë së kombit shqiptar, unë këtë e kam pasur të vështirë ta gjej. Dhe këto disbalanca duhet të ekuilibrohen. Unë trajtova ketë shembull, por mund të ketë shembuj të tjerë”, tha Berisha.

100 vjetori, PS nis organizimin

Bashkia e Korcës e cila drejtohet prej socialistëve, do të diskutojë organizimin e një Delegacioni të Madh përfaqësuesish për të shkuar në Vlorë me rastin e 28 nëntorit dhe 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “Madhësia e delegacionit do të jetë e paprecedentë. Iniciativa e Korçës është sa e thjeshtë, edhe e shkëlqyer. Shpresoj që çdo qytet shqiptar në trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë… të bëjë të njëjtën gjë. Organizatat e emigrantëve nga SHBA-ja dhe Europa kanë të drejtën e padiskutueshme që të jenë pjesëmarrës në një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare. Në datën 28 Nëntor të gjithë drejt qytetit të Flamurit, drejt Vlorës, atje, për të ringjallur etërit e Kombit”, thekson në mesazhin e tij , deputeti i qarkut të Korçës, Pandeli Majko.

Kush është Arben Puto?

Arben Puto është një prej historianëve më të njohur shqiptarë. Ai lindi në Gjirokastër në 1924-n. Është profesor i shkencave, i cili ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të Gjuhës Shqipe të botuar në Tiranë më 1980. Mësimet parauniversitare i kreu në Liceun francez të Korçës (1935-1939), në Liceun francez dhe Liceun klasik në Romë. Mori pjesë në LANÇ, fillimisht në Gjirokastër pastaj në Tiranë. Arsimin e ndërprerë e përfundoi pas çlirimit në gjimnazin e “Tiranës”, sot gjimnazi “Qemal Stafa” më 1946. Studimet e larta i kreu në Moskë në Fakultetin e Drejtësisë dhe i perfundoi më 1951 në degën e së Drejtës Ndërkombëtare Publike. Me hapjen e UT-së më 1957 punoi si pedagog deri më 1990. Disa nga botimet janë: Çështja Shqiptare në aktet ndërkombëtare pas luftës I botërore (Vëllimi III);  E Drejta Ndërkombëtare Publike Libër Universitar;  Historia diplomatike e çështjes Shqiptare 1878-1926; Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut në përqasje me Kushtetutën e Shqipërisë;  Nëpër analet e diplomacisë Angleze;  Shqipëria Politike 1912-1939,Lufta italo – greke, diktatorë e kuislingë.

 

Nga Luis Tanushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu