Zvicër, pensionistëve nga Kosova nuk u paguhen pensionet

0
239

Gjykata Federale e Zvicës, nuk e merr në shqyrtim ankesën e BSV-së kundër Gjykatës Administrative Federale lidhur me pensionet e kosovarëve

Në një komunikatë për shtyp të Zyrës Federale për Sigurime Shoqërore (BSV) bëhet e ditur se Gjykata Federale e Zvicrës me seli në Lozanë me një vendim të saj të ri edhe një herë ka kundërshtuar të marrë në shqyrtim ankesën që BSV e kishte bërë lidhur me një vendim të Gjykatës Administrative Federale, i cili kundërshtonte ndërprerjen e rrjedhjes së kontributeve pensionale në Kosovë, njofton Albinfo.ch.

“Në dy vendime që Gjykata Federale ka marrë më 23 maj 2012 lidhur me pagesën e kontributeve pensionale të pleqërisë dhe të trashëgimisë (AHV-AVS) në Kosovë ka kumtuar se për shkaqe formale nuk mund të marrë në shqyrtim ankesat e Zyrës Federale për Sigurime Shoqërore (BSV). Me këtë mosveprim gjendja mbetet ajo që ishte, d.m.th. kontributet në të holla të sigurimit invalidor dhe pensional vazhdojnë të mos dërgohen në Kosovë, për arsye se nuk ekziston më marrëveshja për sigurimet sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës”, thuhet në komunikatën e BSV-së.

Ashtu sikurse në një vendim të 27 shtator 2011, në të cilin bëhej fjalë për pagesën e një pensioni të invaliditetit të një personi me vendbanim në Kosovë, Gjykata Federale edhe në vendimet e saj të 23 majit 2012, të cilat i referohen pagesës së kontributeve në Kosovë, për shkaqe formale nuk i ka marrë në shqyrtim ankesat e BSV, që do të thotë po ashtu se as nuk i ka hedhur poshtë ato, vazhdon komunikata.

Me këtë veprim, Gjykata Federale si instanca më e lartë gjyqësore e Zvicrës sërish nuk i ka shqyrtuar çështjet thelbësore kontestuese nga ana përmbajtjesore, pra vazhdon të mos ketë vendim material lidhur me këtë.

Gjykata Administrative Federale, si një shkallë më e ulët gjyqësore, në vendimin e saj presupozon se qytetarët e Kosovës në mënyrë automatike janë edhe shtetas të Serbisë, me gjithë faktin se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe Zvicra e njeh këtë pavarësi.

Sipas gjykatës në fjalë pra, duke u bazuar në faktin se marrëveshja me Serbinë është ende në fuqi, rrjedhimisht pensionet do të duhej t`u dërgoheshin edhe kosovarëve. Veç kësaj, Gjykata administrative Federale është e mendimit se Qeveria Federale nuk ka mundur të vendoste në kompetencë të veten për të nxjerrë nga fuqia marrëveshjen në raport me Kosovën.

Si përfundim, vlerëson BSV, “sa kohë që ende nuk ka ndonjë vendim tjetërfare të Gjykatës Federale, vendimi i Qeverisë Federale vazhdon të mbetet në fuqi, në kuptimin që me Kosovën nuk funksionon marrëveshja për sigurimet shoqërore dhe rrjedhimisht, pensionet e reja të invaliditetit, pleqërisë dhe të trashëgimisë nuk mund tu paguhen shtetasve kosovarë jashtë vendit. Në këto rrethana për shtetasit e Kosovës vlejnë rregullat e njëjta sikurse për shtetasit e vendeve tjera me të cilat Zvicra nuk ka të lidhur marrëveshje për sigurimet shoqërore”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu