​KEDS ngrit çmime e vazhdon me reduktime

0
2067

hajan

Ngritje të çmimeve dhe reduktime. Këto janë shërbimet që KEDS po iu ofron konsumatorëve. Por me këto shërbime nuk po del të jenë të kënaqur aspak qytetarët, të cilëve çdo ditë e më shumë, po u rendohet xhepi. E në anën tjetër, nuk po iu premtohet furnizim i rregullt me energji, gjatë periudhës së dimrit i cili po vjen.

Rritjet e çmimit të energjisë, s’kanë të ndalur. Brenda një kohë të shkurtë ZRRE ka ngritur çmimin e energjisë dy herë, që i bie që gjatë këtij dimri, qytetarët të paguajnë energji më shtrenjtë për më shumë se 10 për qind.

Por KEDS nuk ndihet përgjegjës për ngitje të çmimit të energjisë. Zyrtarë të KEDS-it, thonë se përgjegjës për këtë është ZRRE dhe jo ata.

Ndërsa KEK, kërkon para nga Qeveria e vendit me qëllim të përmirësimit të gjendjes, e që i bie që konsumatorët të paguajnë disa herë për energjinë e shpenzuar, kur dihet se paratë që Qeveria mund t’i ndaj për KEK-un janë të taksapaguesve, të cilët po vazhdojnë ta paguajnë shumë shtrenjtë energjinë që ata e shpenzojnë.

E tërë kjo situatë e krijuar, ka mobilizuar qytetarët, të cilët pa hezitim po nënshkruajnë peticionin me anë të së cilit kërkohet nga Kuvendi i Kosovës, anulim i vendimit të ZRRE-së për ngritjen e fundit të çmimit të energjisë elektrike prej 5.18 për qind.

Kushtrim Puka, nga Forumi për Iniciativa Qytetare, thotë për KosovaPress se ka pasur interesim tejet të madh nga shumë komuna të vendit, për të nënshkruar peticionin dhe se deri më tani ka pasur mbi 34 mijë qytetarë, të cilët janë shprehur kundër këtij shtrenjtimi.

“Deri tash kemi pasur afro 34 mijë nënshkrime, të cilat janë mbledhë në të gjitha komunat. Po presim që ky numër të rritet edhe më shumë. Dhe pastaj do të procedojmë me dorëzimin e nismës legjislative në Kuvend, posa të themelohet Kuvendi dhe në institucionet tjera përkatëse…Këtu pikërisht qëndron problemi. Qytetarët e Kosovës, përveç që po paguajnë çmimin me të shtrenjtë në rajon për energji elektrike, ata po ballafaqohen edhe me reduktime të vazhdueshme. Në anën tjetër, vetëm brenda këtij viti, ne jemi ballafaquar me rritje të dyfishtë të çmimeve të energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Ai po ashtu thotë se nuk do të ndalen me kaq, pasi që në rast se nuk merren parasysh kërkesat e qytetarëve, ata do t’i drejtohen Gjykatës Themelore dhe asaj Kushtetuese, pasi që mendojnë se interesat e qytetarëve të Kosovës nuk po merren parasysh në tërë këtë proces dhe se po shkelen të drejtat e tyre. Por, ai nuk i përjashton as protestat, pasi që siç thotë, qytetarët tashmë janë frustruar nga të gjitha këto që atyre po iu bëhen, qoftë me ngritje të çmimit, qoftë me reduktime.

“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë edhe të demonstratave qytetare. Për arsye se qytetarët janë të frustruar dhe ne vazhdimisht kemi ankesa prej tyre, gjatë vizitave tona dhe punës në terren rreth mosmundësisë së përballimit të faturave të energjisë elektrike. Shumë shpesh qytetarët na drejtohen se qysh me pagu 100 euro rrymë, faturën mujore, ku 150 euro i kam rrogë ose diçka e tillë, që do të thotë se është një gjendje alarmante. Dhe prej qytetarëve të cilët paguajnë energjinë elektrike, kur ballafaqohen me reduktime të vazhdueshme sërish, ajo veç sa e shton frustrimin e tyre, ndaj krejt kësaj çështje”, tha ai.

E qytetarët të cilët këto ditë kanë pritur në radhë për ta nënshkruar peticionin, shprehen të zhgënjyer nga ajo që po ndodh. Ata e quajnë të padrejtë këtë që po iu bëhet atyre me ngritjen e çmimit të energjisë. Florim Kurti, qytetar nga Prishtina thotë për KosovaPress se e tërë kjo është e padrejtë dhe se KEDS po i plaçkit qytetarët.

“Jo e padrejtë, por shumë e padrejtë. Mendoj se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, duke pas parasysh krizën ekonomike, të cilën e kanë qytetarët e Kosovës. Mbas statistikave mbi 50 për qind janë të papunë. Njëkohësisht edhe këndej shtrenjtohen, këndej ka reduktime të vazhdueshme. Për mendimin tim kjo është shumë e padrejtë….direkt plaçkë, nuk di si mos ta quajmë plaçkë. Këndej kërkon nga qeveria mjete. Ato janë taksat tona të cilat i paguajmë ne, si për energji, si për infrastrukturë, si për të gjitha. Këndej ka reduktime të mjaftueshme, mirëpo unë shpresoj që qytetarët do të vetëdijesohen dhe do të fillojnë me protesta”, thotë ai.

Edhe Idriz Ejupi, i cili ishte nder të paret që kishte nënshkruar peticionin, me anë të cilit kundërshton ngritjen e çmimit të energjisë, thotë se kjo që po ndodh është turp për Qeverinë dhe institucionet e vendit.

“Ishalla dikush del një më i fortë se qeveritarët, e merr parasysh atë nënshkrim të peticioneve. Sepse nuk jam vetëm unë. Por mendoj se 70, 80 për qind të popullatës janë për të mos u shtrenjtu rryma. Nuk di brenda 1,2 , 3 apo katër muajve është shtrenjtu rryma deri në 15 për qind, s’ka askund në botë. Në Bullgari një shtrenjtim shumë i vogël u bë dhe automatikisht kryeministri ka dhënë dorëheqje për atë shtrenjtim që u bë. E këtu kush për popull se ka gajle, le të shtrenjtohet edhe reduktimet i përmendin…Populli me pagu atë çmim që u ba ajo avari. Turpi i Zotit është, por nuk kanë faj, Qeveri nuk kemi që pesë muaj, këtu është bërë anarki, veç që s’kanë filluar ende me hangër njëri me tjetrin”, tha ai.

Por, për këtë si duket nuk e qajnë shumë kokën zyrtarë të KEDS-it, të cilët nuk ndihen aspak fajtorë për gjendjen e krijuar. Madje sipas tyre, përgjegjës për ngritje të çmimit të energjisë është ZRrE dhe jo ata.

Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it thotë për KosovaPress se KEDS nuk përcakton çmime dhe tarifa te energjisë elektrike dhe se ky proces, sipas tij është në kompetence të Zyrës se Rregullatorit te Energjisë.

Sipas tij, rrethanat e krijuara pas aksidentit ne termocentralin Kosova A, kanë ndikuar që i gjithë vendi të përballet me krizë energjetike, andaj edhe në situata të tilla furnizimi me energji elektrike vështirësohet.

“Pas aksidentit në Termocentralin Kosova A, importi është shtuar jashtëzakonisht shumë , deri sa prodhimi është zvogëluar dukshëm. Duhet të keni parasysh që importi është dy deri tri herë më i shtrenjtë se energjia e prodhuar në vend dhe ne kemi absorbuar të gjitha sasitë e lejuara të importit për vitin 2014 dhe pa marrë parasysh zhvillimet, kemi vazhduar të importojmë sasi të mëdha të energjisë jashtë bilancit vetëm që ndërprerjet e mundshme, për shkak të mungesës së energjisë të jenë minimale. Edhe pse jo të obliguar ligjërisht, ne kemi mbuluar financiarisht gjithë këto sasi të importuara vetëm e vetëm që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë dhe ndërprerjet të jenë minimale”, thotë ai.

Ndërkaq sa i përket reduktimeve të energjisë elektrike, Shkodra thekson se ndërprerjet janë për shkak të implementimit të planeve të mirëmbajtjes dhe prishjeve me të cilat ata po përballen.

Në anën tjetër, 6.4 milionë euro është shuma, të cilën Korporata Energjetike e Kosovës e kërkon nga Qeveria, në mënyrë që të fillojë me remontet e disa njësive.

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv në Shërbimet e Korporatës KEK, thotë se pas aksidentit, KEK ka ndërmarr rehabilitimin kapital në “Kosovën A”, me forca vetanake nga kursimet buxhetore, me ç’rast janë bërë shkurtime në te gjitha fushat, pa prekur ato që kanë të bëjnë me operimet qenësore dhe sigurinë.

Sido që të jetë , si pasoje e avarisë në Termocentralin Kosova A, sipas tij KEK ballafaqohet me probleme financiare, për shkak të mungesës së të hyrave të ndërlidhura me mungesën e prodhimit të planifikuar të një njësie (A5).

Sipas metodologjisë tarifore, ai thotë se duke pasur parasysh se tarifat e prodhimit, janë të rregulluara, çfarëdo lloj financimi nga Qeveria, zvogëlon të hyrat e lejuara, që ZRRE aprovon për ngarkesë ndaj konsumatorit. Prandaj, si parim ai thotë se çfarëdo lloj financimi nga Qeveria, duhet të ndikoi në zvogëlimin e ngarkesës për konsumatoret.

Sipas tij, konsumatorët nuk pritet të ballafaqohen me reduktime për shkak të KEK-ut.

“Këtë shqetësim të mungesës së të hyrave të domosdoshme për operim, si dhe pasojat e ndërlidhura, KEK e ka elaboruar në mënyrë detaje tek të gjithë institucionet kompetente. Pasi që gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor, ZRrE nuk e kishte marr në konsideratë fare kë të çështje, duke qenë të vetëdijshëm me rrethanat që kanë të bëjnë me mos ngarkimin e tepërt të konsumatorëve, por në mënyrë që mos të rrezikohet plani jonë për prodhim vendor të qëndrueshëm, mbetet që Aksionari i KEK-ut të ndërmarr hapat drejt përkrahjes së domosdoshme. Në lidhje me kë të, Komiteti ndërministror për NP, kërkoi që KEK të llogarisë vetëm vlerën e shpenzimeve minimale fikse që paraqiten për shkak të mungesës së prodhimit të planifikuar nga TCA, e që është 6.39 milionë euro”, thotë ai.

Ndryshe, ai thotë se përkundër faktit se këtë vit, tarifat për konsumatorë janë ngritur dy herë gjatë dy shqyrtimeve tarifore, të hyrat e lejuara nga ZRrE nuk janë rritur asnjëherë për KEK-un, si prodhues vendor i energjisë elektrike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu