Drenica dhe Dukagjini “pushtojnë” Kuvendin

0
1211

kuvendi-i-kosoves-miratonDrenicasit dhe dukagjinasit do të zënë më shumë ulëse në Parlamentin e Kosovës. Me legjislaturën e re, Parlamenti do të mbizotërohet nga deputetët që vijnë nga rajoni i Dukagjinit dhe ai i Drenicës. Anamorava në këto zgjedhje do të ketë jo më shumë se gjashtë-shtatë përfaqësues në Kuvend.

Sipas rezultateve preliminare LDK-ja ka arritur të marrë vota për Kuvend në Gjilan vetëm për tre kandidatë: Fatmir Rexhepi, Lirije Kajtazi dhe Murat Hoxha, PDK-ja ka arritur të hyjë vetëm me Labinotë Demi-Murtezi, LVV-ja me Ismajl Kurteshin. Nga Kamenica asnjë kandidatë i asnjë subjekti politikë nuk ka arritur të marrë vota për të fituar ulëse në Kuvend, nga cilido subjekt qoftë ai, kurse në komunën e Vitisë besimin e qytetarëve për të përfaqësuar interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës e ka marrë vetëm kandidati i LVV-së, Salih Salihu.

PDK-ja për shkak të përplasjeve brenda partisë nuk ka pasur kandidatë për deputetë në komunën e Vitisë. AAK-ja nuk ka kandidatë fitues për deputetë në Kamenicë, Viti, e as në Gjilan. Kjo parti ka kandiduar në Gjilan me: Ahmet Isufin, Nijazi Idrizi, Fehmi Fetahi, Rexhep Kadriu, Magbule Shkodra, Lulzim Leci, Drita Maliqi (LDD). Përfaqësues të partive politike kanë hezituar të flasin për humbjet në Anamoravë.

Duke arsyetuar se presin certifikimin e rezultateve, dhe se votat mund t’ju ndryshojnë, partitë janë munduar të fshehin humbjet. Shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Agim Veliu, ka thënë për gazetën se sipas rezultateve preliminare deri tash nuk ka ndonjë kandidatë nga Kamenica dhe Vitia që ka fituar votat të hyjë në Kuvend. Ndërsa, anëtari i kryesisë së Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, nuk ka dashur të deklarohet nëse ka fituar apo jo dikush nga kjo parti në Anamoravë, pasi që sipas tij, ende nuk janë numëruar edhe votat e tjera të mbetura.

Por, me rezultatet e tanishme të dala nga zgjedhjet në Kamenicë, Viti, Gjilan ende nuk ka fituar vota asnjë kandidatë që të hyjë në Kuvend nga kjo parti. “Cilido kandidatë nga Anamorava që mund të dalë fitues nga Nisma, pas numërimit të të gjitha votave do të përfaqësojë interesat e qytetarëve njësojë“. Gazeta ka mësuar se nga Nisma në Kuvendin e Kosovës, afër me vota qëndron kryetarja e Forumit të Gruas të këtij subjekti politik, Valdete Bajrami.

Kandidatë me afera korruptive

Analisti, Behxhet Shala, thotë se nga Anamorava me qendër Gjilanin ka pak që kanë fituar përfaqësim në Kuvend të Kosovës, përderisa Kuvendi sërish sipas tij do të mbizotërohet me kandidatë nga Drenica dhe Dukagjini (Peja). “Në Gjilan LDK-ja ka më shumë fitues për parlament, PDK-ja me koaliconin Labinotë Demi-Murtezi, LVV-ja me Ismajl Kurteshi…”, thotë ai derisa shkak për fitues të paktë për Kuvend në Anamoravë thekson kandidaturat e dobëta të ofruara nga partitë.

Shala ka thënë se partitë politike kanë bërë zgjedhje të gabuara në emërimin e kandidatëve për deputetë. Ai thotë se subjektet politike në Dardanë kanë kandiduar ish-udhëheqës komunal që kanë qenë të përfolur për afera korruptive gjatë qeverisjes.

Madje, në Dardanë ai thekson se janë kandiduar dhe ish-deputetë që gjatë mandatit në Kuvend nuk kanë treguar rezultat për mirëqenien e qytetarëve të komunës që kanë përfaqësuar. Prandaj, Shala tha se në Kuvend do të ketë komuna që nuk do të kenë përfaqësues. Por, ai vlerëson se Drenica dhe Peja do të jenë më të përfaqësuara, pasi që dhe subjektet politike po anojnë andej të nxjerrin fitues. Ish-udhëheqësi i KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se mosreformimi i sistemit zgjedhor ka sjellë këtë gjendje.

Prandaj ky sistem zgjedhor, ka krijuar shumë hapësirë për anomali madje që një kandidatë i një rajoni krejt tjetër të mbledhë vota më shumë në një rajon tjetër, pastaj të favorizohen njerëzit nëpër lista dhe të lihen anash meritorët. Bazuar në këtë sistem ai thotë se në vitin 2010 Theranda ka pasur më shumë deputetë sesa Prizreni.

Anamorava ndëshkoi pushtetin

Në komunën e Kamenicës kandidatë nga AKR-ja ka qenë ish-kryeministri, Bajram Kosumi, si dhe Nexhmije Kallaba. LDK-ja ka prezantuar për kandidatë në Kamenicë kryetarin e degës së LDK-së, Shaip Surdulli, dhe ish-kryetar i komunës së Kamenicës, kurse PDK-ja ka kandiduar me Filloreta Lakna Rexha, nënkryetare e degës dhe kryetare e degës së Gruas së PDK-së në Kamenicë, aktualisht delegate e Kuvendit Komunal në Kamenicë, si dhe me kandidatin tjetër Emin Krasniqi, kryetar dhe veprimtar i PDK-së nga themelimi i degës, tash zëvendësministër i Infrastrukturës.

Kandidatët më të votuar në listën e LDK-së në Gjilan, janë: Lirije Kajtazi me 7779 vota, pastaj Fatmir Rexhepi 7071 dhe Murat Hoxha me 6360. Subjekti i dytë politik në Gjilan, Lëvizja “Vetëvendosje”, ka mundësi që të përfaqësohet me tre kandidatë me Besnik Bislimin që mori 7631 vota, pastaj me Ismajl Kurteshin me 6716 vota dhe Besa Baftiun, e cila mund të futet si kandidate femër, ngase ka marrë 3341 vota.

Në listën e PDK-së dhe të PD-së, nga Gjilani bindshëm ka fituar kandidatja me shami, Labinota Demi Murtezi, e cila ka marrë 11014 vota, pas saj vijnë edhe ish-deputeti Zenun Pajaziti me 9128 vota, si dhe kandidatja femër Salihe Mustafa me 4064 vota. Ndërkaq, nga Nisma në Kuvendin e Kosovës, afër me vota qëndron kryetarja e Forumit të Gruas të këtij subjekti politik, Valdete Bajrami, e cila ka marrë 2927 vota. Në listën e Anamoravës kanë garuar mbi 50 veta, në mesin e të cilëve ish-deputetë, ish-kryetarë të komunave, biznesmenë, dhe ish-pushtetarë.

Në mesin e tyre ata që nuk kanë fituar janë: Shaip Surdulli, ish-kryetar Komune në Kamenicë për dy-tri mandate, Musa Misini, ish-kryetar Komune në Viti, Bajrush Ymeri ish-kryetar Komune në Artanë, Qemajl Mustafa, ish-kryetar Komune në Gjilan, Kadir Husein, ish-zëvendësministër i Shëndetësisë dhe të tjerë. Kurse ish-deputetë që nuk kanë arritur të hyjnë janë: Salihe Mustafa, Nafije Gashi, Lirie Sabit Rrustemi, Ahmet Isufi, Nijazi Idrizi, Drita Maliqi, Hydajet Hyseni dhe të tjerë.

Nga: Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu