14 të vrarë nga familjet Kelmendi dhe Elshani

0
1693

Ngjarja e fundit që ka ndodhur në Pejë, dyshohet të jetë bërë për arsye familjare, saktësisht për shkaqe hakmarrjeje. Kështu thonë dëshmitarë të rastit të vrasjes së dyfishtë që ka ndodhur në qendër të Pejës.

Në polici thonë se ende nuk i dinë motivet e këtij rasti. Ndërkaq, të plagosurit që qëlluan rastësisht, e përshkruajnë ngjarjen si tmerruese, raporton KTV.

Vrasja e Valdet Kelmendit, ishte e 14 -ta midis dy familjeve, Kelmendi dhe Elshani, të cilat ka vjet që janë në “gjak”.
Kështu së paku thonë qytetarë të Pejës dhe dëshmitarë të rastit.
Ata prapa kamerave shprehen se vrasja e fundit dhe vrasjet e tjera që kanë ndodhur në Pejë, po e njollosin këtë qytet.
Një taksist që thotë se e kishte parë nga afër ngjarjen, tregon se vrasësi kishte shtënë me automatik nga vetura e tipit Jeep Gran Chiroke, pa e hapur dritaren fare.

Sipas tij, vrasësi e ka porositur familjen e të vrarit, se nëse kërkon hakmarrje, do t’i vrasë edhe anëtarë të tjerë të familjes Kelmendi.

Mirëpo, në polici thonë se ende nuk i kanë të njohura motivet e vrasjes.

Babai i Vadetit, Shefqet Kelmendi ishte vrar me 05.03.2013, tete muaj pasi ishte liruar nga Burgu

Me 5.03.2013 në Pejë u qëllua për vdekje Shefqet Kelmendi (1961). Ky ishte baba i Xhevdet (1982) dhe Valdet Kelmendit (1984). Në vitin 2006, Shefqet Kelmendi, së bashku me dy djemtë e tij, Xhevdetin dhe Valdetin, ishin akuzuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, në vitin 2006. Por, një trup gjykues i misionit për sundim të ligjit, EULEX që të tre i kishte liruar në mungesë provash.

Në aktakuzën e pjesshme që e ka siguruar gazeta, thuhet se më 7 maj 2007, Zyra e Prokurorisë Speciale në Prishtinë ka paraqitur një aktakuzë ( PP.nr. 387/06 PPHQ.nr.87/06), ku të përfshirë kishin qenë së bashku me Shefqet Kelmendin e dy djemtë e tij edhe Kreshnik Haxhiaj e Adrian Kolmaku nga Shqipëria për veprat penale me “bashkim kriminal”, në lidhshmëri me “vrasjen e rëndë ”, nga neni 147 par. 1, pika 9, dhe “ vrasje e rëndë ”, nga neni 147 par. 1, pika 4, dhe mbajtje në pronësi, nën kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve, nga neni 328, par. 1, të Kodit Penal të Kosovës.

Aktakuza kundër tyre ishte konfirmuar më 14 qershor.

Pas vendimit të Gjykatës së Qarkut për lirimin e këtij grupi, prokuroria kishte ankimuar vendimin për lirimin, ndërsa Gjykata Supreme e kishte kthyer rastin në rigjykim, në pjesën e shfajësimit. Po ashtu Asambleja e Gjyqtarëve të EULEX-it kishte marrë vendim që lëndën ta gjykojë EULEX-i.

Rrëfimi për vrasjen e rëndë që kishte ndodhur në fshatin Baicë të Istogut, nga dy të akuzuarit nga Shqipëria, Kreshnik Haxhiaj dhe Ardian Kollmaku, kishte implikuar edhe Kelmendët.

Në dëshminë e të akuzuarve nga Shqipëria, të cilët më pas ishin arratisur, ishte folur për vrasjen e Jakup Osmanajt dhe plagosjen në krah të Ali Bicajt. Ata kishin deklaruar se në Kosovë kishin ardhur për të kryer vrasje për Shefqet Kelmendin, në këmbim të shumës prej 5 mijë eurosh. Kreshnik Haxhiaj dhe Ardian Kollmaku kishin deklaruar se armët i kishin siguruar nga djemtë e Shefqetit, përkatësisht Xhevdeti dhe Valdeti. Po ashtu, ata kishin pohuar se Agim Demiraj fillimisht u kishte thënë se duhet ta kryeni vrasjen për Shefqet Kelmendin.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Xhevat Ibra, deklaron se janë duke e hetuar rastin.

E bashkë me “Larën” ,siç ishte i njohur viktima Valdet Kelmendi, ka humbur jetën edhe 73-vjeçari Fazli Bajraktari, ndërsa janë plagosur edhe 6 persona të tjerë, të cilët kishin rastisur në kafene.

Ndërsa, Ferat Dervishi nga Prizreni, i cili ishte lëshuar menjëherë nga spitali, ka treguar nëpërmjet telefonit ngjarjen si kishte ndodhur.

“Skenat që kanë ndodhur dje, kanë qenë skena si të filmave. Më vjen keq për ata që kanë pësuar dhe më vjen keq për të gjithë ata që kanë marrë lëndime! Unë kam qëlluar rastësisht aty dhe e kam parë kur është ndalur xhipi dhe ka qëlluar me kallash. Ka qenë një skenë e keqe. S’di çfarë të them tjetër”.

Prej tyre vetëm edhe dy gjenden në spitalin rajonal të Pejës, Valon Mala nga Strellci dhe Besnik Lajçi nga Peja.

Ndërkohë, familja Kelmendi i ka dhënë lamtumirën e fundit djalit të vet.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu