15 vjet nga vrasja misterioze e komandant “Drinit”

0
834

Drini

Në një akademi, që do të organizohet sot në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, do të nderohet kujtimi për veprën dhe heroizmin e Ekrem Rexhës, i njohur si komandant “Drini” në luftën për çlirimin e Kosovës, i cili u vra saktësisht 15 vjet më parë në një atentat, autorët e të cilit nuk janë mësuar kurrë.

Komandant  Drini u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze,  në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.

Për aftësitë e tij ushtarake për të janë thurur gjithfarë legjendash. Përmendet shpesh sidomos “kërcënimi” që si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut ua kishte bërë oficerëve të KFOR-it gjermanë në momentin e hyrjes së UÇK-së në Prizren se do të shkrinte deri në një 10 mijë ushtarët sa kishte thënë që i ka në rast se serbët që kishin bërë krime ndaj popullatës civile do të provonin të qëndrojnë këtu.

Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, ndërsa siç është thënë në mungesë provash liroi të akuzuarit.

E gjitha rezultoi te jene procese te montura vetem e vetem te denoin ndonje Komandant te UÇK-së dhe ta mbyllin rastin si vrasje Poltike ?!

Në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore të Prizrenit thonë se nuk ka asgjë të re rreth këtij rasti. Sipas kryeprokurorit, Sylë Hoxha, lënda tashmë mund të jetë dorëzuar nga ndërkombëtarët (të cilët kanë qenë kompetentë për këtë rast) në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Familja, e pakënaqur me drejtësinë

Në anën tjetër e veja e “Drinit”, Hajrie Rexha, thotë se 15 pas vrasjes së burrit është e pakënaqur me organet ndërkombëtare dhe këto vendore të drejtësisë, pasi e tëra ka rezultuar pa suksese rreth ndriçimit të rastit, që ndodhi në qendër të Prizrenit. “S’doli asgjë nga 32 seancat gjyqësore e as ato në Gjykatën Supreme, edhe pse ne kemi ndihmuar gjykatat me dëshmitë dhe dëshmitarët tanë”, ka thënë ajo. Ajo thotë se në familjen e saj pas vrasjes kanë qenë të gjithë liderët politikë dhe ata ushtarakë të vendit.

Me mallin për babanë po rriten edhe dy fëmijët. Djalin e madh e kishte pagëzuar me nofkën e luftës, Drini. Ky tash është 16-vjeçar. Ndërsa djali i dytë, Ekremi, ka lindur 2 muaj e gjysmë pas vrasjes. Tash vijon mësimet në klasën e nëntë.

Hajria rrëfen se fëmijëve ua ka treguar të vërtetën për rastin e babait, pasi ka lexuar libra botërore, sipas të cilave fëmijët duhet ta dinë të vërtetën dhe tregon se i tërë angazhimi i saj tashmë është në edukimin e tyre.

Po ashtu, bashkëshortja e komandant “Drinit” thotë se dëshira e saj jetësore është zbardhja e vrasjes së burrit, pasi duke njohur karakterin dhe sjelljen e tij të mirë me bashkëluftëtarë dhe familjarë, në asnjë mënyrë nuk mund t’i kuptojë motivet e vrasjes. “Pas luftës nuk ka pëlqyer t’i sistemojë njerëzit që nuk kanë kontribuuar, por ata që ndihmuan lirinë e vendit duke i dhënë prioritet atyre me gjendje më të rëndë ekonomike”, tregon ajo.

Komandant “Drini” ka themeluar Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Prizren, që ishte e para e këtillë në vend.

Nga, Qazim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu