Zaptimi i historisë

0
774

Veprat e Buxhovit

Kur nga paraqitjet publike të shkrimtarit, gazetarit dhe tashmë edhe historianit, Jusuf Buxhovi, na ra rasti të ridëgjojmë shpifjet dhe etiketimet e moçme të stërpërsëritura mbi ideologjinë e majtë të LPK-së e cila e paskësh lidhur atë madje edhe me strukturat e KGB-së ruse, shumë shokë të mi LPK-istë nga vitet e ilegalitetit u ngutën t’ia kthejnë atij me të njëjtin kandar duke u mjaftuar t’ia hidhnin poshtë akuzat dhe duke ia rikujtuar atij vetë shërbimin e dikurshëm në UDB-në jugosllave. Në një mënyrë të ngjashme pata reaguar edhe vetë, mirëpo më pas, pas një interviste që Buxhovi i dha gazetës “Illyria”, vura re një qëllim tjetër të fshehtë që Buxhovi i kishte vënë vetes gjatë provokimit të ish-anëtarëve të LPK-së e të komandantëve të UÇK-së –  zaptimin e historisë. Është afër mendsh që pas tre librave për Kosovën ai po përgatiste edhe librin e tij të katërt, dhe duke menduar naivisht se libri i tij katërpjesësh do të ishte referenca  e parë shkencore mbi historinë e vjetër dhe të re të Kosovës, ai do të donte, dhe ndoshta edhe po planifikon, që këtë histori ta shkruajë jo sipas zhvillimeve të vërteta, peshës specifike të aktorëve, personazheve kryesorë të ngjarjeve që ndryshuan fatin e Kosovës, po sipas disa figurantëve qesharakë politikë që vështronin nga  largësia tragjedinë që po luhej para syve të tyre dhe gjakun që po derdhej, pa rrezikuar as dhe një qime floku për Kosovën. Për këtë kuptim të ri që reflektonin angazhimet e Jusuf Buxhovit i pata sinjalizuar disa miq në faqet e Facebook-ut, mirëpo mund të thuhet se kjo punë u la me kaq, dhe nuk u mor kush me elaborimin më të gjerë të kësaj teme. Koha po dëshmon se ishin bërë llogaritë gabim. Atë që kisha vënë re unë vetë në përpjekjet e Buxhovit, një intelektual tjetër depresiv i Kosovës, Veton Surroi, që nga izolimi ku është hedhur (ndoshta edhe padrejtësisht), shfrytëzon rastin ta thellojë akoma më shumë duke hedhur në pazar një kosh gënjeshtrash e falsifikimesh të reja dhe duke i tërhequr vërejtjen ish-pjesëtarëve të LPK-së dhe ish-komandantëve të UÇK-së sikur nuk e paskan bërë historinë por po përpiqen të zaptojnë padrejtësisht atë. Akuzë më cinike dhe moralisht më e ulët nuk përfytyrohet dot. Pra historinë e re të Kosovës nuk e paska bërë gjaku i derdhur i dëshmorëve por ecejaket ajrore të një politikani sarhosh. Nuk e paskan bërë vitet me burg të Adem Demaçit, Ukshin Hotit e të mijëra djem e vajzave të lëvizjes ilegale, por përpëlitjet autonomiste të Hoxhës, Bakallit e Vllasit me kompani. Duke qenë se një tjetër personalitet i madh politik kosovar, siç ishte Ukshin Hoti, nuk i përshtatet skemës së tij me këmbë prej kashte, do që atë ta neutralizojë duke e quajtur si një vlerë të Kosovës autonome socialiste dhe duke ia fshirë nga biografia të gjitha angazhimet e tij politike pas viteve 90, që shkonin në drejtim të kundërt me kuazi-politikën rugoviste të një protonacionalizmi feudal e cila kishte arritur që bashkë me topitjen e lëvizjes popullore për pavarësi të krijonte përshtypjen sikur ajo është aktorja kryesore në skenën politike që do të sillte pavarësinë. Koha i dëshmoi mashtrimet dhe vetëmashtrimet e saj. Në intervistën  e tij dhënë gazetës “Illyria”, Buxhovi përdor një taktikë të ndryshme nga Surroi, ai nuk pranon të japë ndonjë mendim për Ukshin Hotin, dhe bëhet sikur ai të mos kishte ekzistuar fare. Në përpjekjen e tij për të falsifikuar Ukshin Hotin, Surroi nuk është i vetëm: kohë më parë një shtëpi botuese nxori në pazar një libër qesharak, një rapsodi folklorike në prozë, për Ukshin Hotin, me autor një profesor universitar të krishterë, në të cilin heshten plotësisht të gjitha kontradiktat që kishte pasur Ukshin Hoti me rugovizmin dhe me klasën politike kosovare, në emër të një uniteti patetik kombëtar dhe në bazë të disa vlerave të supozuara kristiane të Bashkimit Europian.

Etiketat ideologjike

Në disa nga analizat substanciale politike në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, Ukshin Hoti nënvizon nevojën e dallimit që duhet  bërë midis ideologjive, të cilat ai i njëjtëson me utopitë, dhe politikave të mirëfillta nacionale që bazohen në, siç i quan ai, “interesat vitalë të kombeve”. Kësisoj, ai ishte i pari që kishte sinjalizuar State Departamentin Amerikan në fund të viteve 70 se prapa maskës komuniste të Enver Hoxhës fshihej nacionalizmi i tij i skajshëm. Në këtë mënyrë ai kishte trajtuar edhe ngjarjet e vitit 81: prapa parullave të ndryshme ideologjike, thjesht provokative, studentore, ai kishte veçuar dhe nënvizuar atë substancialen, atë që përfaqësonte interesin vital: “Kosova republikë”, duke hedhur poshtë justifikimin e Azem Vllasit në fillim të viteve 90 se “nuk donim republikë staliniste.” Etiketimet ideologjike vazhdojnë të përdoren edhe sot, në mënyrën më të neveritshme, nga grupimet dhe kujdestarët propagandistikë të ish-nomenklaturës titiste të grumbulluar sidomos rreth LDK-së. Etiketime të tilla na ra të dëgjojmë kohët e fundit nga një zëdhënës i  LDK-së, kandidat për deputet, pastaj nga faqet e “Kohës Ditore” prej Halil Matoshit e Flaka Surroit. Halil Matoshi bëhet qesharak me zbulimin e maoizmit në angazhimet politike të LPK-së e të komandantëve të UÇK-së ndërsa Flaka Surroi akuzon për enverizëm drejtuesit e Vetëvendosjes. Për gjithkënd që ka dy fije mend në kokë, nuk është vështirë të kuptohet sfondi mediokër i këtyre etiketimeve. As komandantët e UÇK-së dhe as LPK-ja nuk kishin ndonjë program ideologjik të cilin do t’ia impononin popullit në Kosovë, ndërsa “me tytën e armëve” nuk e kishin pasur qëllim kuazi-pushtetin e Rugovës por largimin e Serbisë. Kurrë ndonjëherë LPK-istët nuk i kontestuan as zgjedhjet e lira demokratike dhe as rezultatet e tyre. Ata nuk ishin kmerë të kuq, po nacionalistë që si program të vetin politik kishin pikëpamjet e Ukshin Hotit mbi lirinë dhe demokracinë. Do të ishte absurde që ata të përpiqeshin për ndonjë agjendë tjetër nëse synonin dhe luftonin për bashkim kombëtar, sepse shteti amë që prej kohësh e kishte braktisur komunizmin dhe e kishte përqafuar demokracinë. Si do të realizohej bashkimi midis dy njësive me sisteme të ndryshme politike? Në programin e LPK-së ishte e shkruar që ajo i kishte dyert e hapura për të gjithë shqiptarët, pa dallim feje e ideologjie. Pastaj si mund të realizohet bashkimi që propagandon Vetëvendosja sot, nëse Albin Kurti nuk do të respektonte sistemin në fuqi në Tiranë, me të gjitha përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë për integrime europiane e euro-atlantike? Akuza ideologjike kundër Vetëvendosjes na ra të dëgjojmë edhe në disa debate televizive elektorale. Pati analistë që nënvizuan ose aluduan në termin neoliberalizëm të pranishëm në materialet programore të VV-së, dhe duke mos shkoqitur kuptimin e termit, kishin pandehur se ai ka të bëjë me ndonjë gogol të frikshëm majtist. Për cilindo që do të shfletojë fjalorët politikë, neoliberalizmi është baraz me tregun pa kufij, përkatësisht fundamentalizmin ose absolutizimin e ligjeve të tregut që shkelin mbi interesat e tregjeve nacionale. Le të kujtojmë psh. politikat zvicerane të anti-dumpingut në mbrojtje të pagave të punonjësve të vet. Neoliberalizmi s’është veçse e kundërta e proteksionizmit, por që të dyja shfaqjet kanë të bëjnë me ekonomitë kapitaliste. Në anën tjetër, i gjithë programi ekonomik i VV bazohet në ekonominë e tregut. Vetë Albin Kurti në paraqitjet e tij të fundit mediatike nënvizon qasjen e tij konstruktive ndaj pronës, ekonomisë së tregut, qarkullimit të lirë të mallërave e ideve. Ku e zbulon vallë Flaka Surroi enverizmin në Vetëvendosje? Natyrisht, bëhet fjalë vetëm për një fantazmagori qëllimkeqe.

UÇK-ja dhe agjenda e LPK-së

Në një letër që Shefqet Dibrani, një publicist dhe ithtar fanatik i LDK-së, publikoi këto ditë për të diskredituar Bujar Bukoshin, zbulohen ca të dhëna që hedhin poshtë çdo pretendim për ndonjë agjendë tjetër të UÇK-së pos çlirimit të vendit. Përkundrazi, luftë për pushtet kishte bërë pala tjetër, ajo e Rugovës, për të marrë nën kontroll UÇK-në, me qëllim të shkatërrimit të saj, sepse çlirimi nuk ishte pjesë e agjendës politike të Rugovës, i cili ishte i gatshëm të nënshkruante çdo marrëveshje që i vinte nga Beogradi. Në këtë letër Bujar Bukoshi i shkruan në mes tjerash Shefqet Dibranit:

“Pra s’kemi çka të presim, shalli edhe ashtu është i lodhur politikisht, e edhe fizikisht e me shëndet, dhe nuk i dihet, po të flas si mjek në këtë rast, jo si Bujar. Fundja, mendtë e pleqnisë janë si të fëmisë. Nuk mund të rrokulliseni për fajin e shoferit të dehur. Të lutem përpiqu në shkrimet tuaja që ta ngacmosh ngapak, por me kujdes të madh, sepse nuk i dihet rrjedhave globale, idenë e nevojës së domosdoshme se si do duhej shpëtuar nga rrokullisja për fajin e timonierit të dehur, për nevojën e ndryshimeve me themel të partisë, për arsyet e bazuara të njerëzve që po e braktisin partinë edhe pasi morën vota të mjaftueshme në zgjedhje etj. etj. […] Që të mos dukesh ekstremist dhe të fitosh armiq pa nevojë, trajtoje pak edhe nevojën që LDK-ja duhet të pendohet për një vistër çështjesh, si para anëtarësisë, si para UÇK-së (ta dish se pare e madhe është derdhur për ta futur nën kontroll dhe kot, për fajin e shallit dhe deklaratave të tija të dehura). Ti e ke mandatin moral, si veprimtar i LDK-së, që të kritikosh aty ku duhet dhe të shpëtojmë nga gremina.” (18 nëntor 2000)

Duhet të falënderojmë Shefqet Dibranin për këtë informacion substancial që zbulon jo vetëm përplasjet e brendshme të LDK-së në kohën e luftës, po edhe qëndrimin imoral  e sabotues të liderit të saj karshi luftës çlirimtare. Dhe ta quash edhe pas kësaj dëshmie Adem Jasharin ushtar të Ibrahim Rugovës, siç bëri Veton Surroi në emisionin Rubikon të KTV-së, është më shumë se një marrëzi, siç është marrëzi edhe rikthimi tek kulti i Rugovës si një xhoker që duhet të sigurojë fitoren në zgjedhjet e tanishme nacionale. Rugova dhe rugovizmi janë demaskuar aq thellë nga dëshmitarë aq të shumtë sa s’ka forcë që t’i nxjerrë të larë. Padrejtësisht sulmohet e etiketohet Demaçi si zhvlerësuesi i tij kryesor, krahas akademik Rexhep Qosjes. Dëshmi që tregojnë falsitetin e angazhimeve të tij janë dhënë edhe nga Ukshin Hoti, Ismail Kadare, Paskal Milo, Bedri Islami, Ibrahim Kelmendi, Naim Balidema, gjeneral Kudusi Lame, dhe së fundi edhe nga kjo dëshmi e bashkëpunëtorit të tij më të afërt: Bujar Bukoshit. Pra del se edhe ato pak ndihma që Bujar Bukoshi kishte ndarë për UÇK-në, i kishte ndarë vetëm për ta vënë atë nën kontroll. Këtë e përforcon edhe një dëshmi tjetër e lëshuar nga Ministri i Informimit i qeverisë Bukoshi, z. Xhafer Shatri, i cili deklaron:

“Fondin e Republikës së Kosovës, ku kanë milituar me mijëra patriotë, e ku, në emër të luftës për liri, ishin grumbulluar qindra milionë marka gjermane, kopukët arritën ta privatizojnë. Ndërkohë që në kufi vriteshin si qingja njomakët që kishin ardhur për armë, paratë e këtij fondi ruheshin për ‘ditë të zeza’. Ruheshin për Kosovën e pasluftës për të mbijetuar politikisht krye-kopukët ‘institucionalë’ duke blerë me paratë e fondit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me pare të popullit veprimtari kundër tij”.

Gjurmëve të këtyre pohimeve shkon dhe libri i Mehmet Krajës “Mirupafshim në një luftë tjetër”.

Çështja është më se e qartë: LPK-ja dhe UÇK-ja bënë luftë çlirimtare, pa asnjë agjendë rezervë, të gatshëm për t’u flijuar në çdo çast në altarin e lirisë. Vërtetë që UÇK-ja nuk e çliroi Kosovën e vetme, por ishte lufta e saj që çoi deri në çlirimin definitiv të Kosovës, dhe jo konferencat e shtypit dhe fluturimet me aeroplan të një studiuesi letrar. Korrupsioni i disa komandantëve të luftës është shfaqje e mëvonshme, që s’ka të bëjë me luftën si të tillë dhe as me sakrificat sublime të dëshmorëve të UÇK-së. Ish-komandantët e UÇK-së nuk kishin agjenda për pasurim gjatë luftës, nuk ishin “profiterë” të luftës, por u prishën më vonë (natyrisht vetëm një pjesë e tyre), madje mund të thuhet, duke rënë në ndikimin e praktikave titisto-rugoviste. Akuza dhe sinjalizime për para “të drogës” që financonin UÇK-në, dërgonte në Perëndim, në Zvicër e në Gjermani, Millosheviqi, për të komprometuar luftën tonë, por nuk pati sukses: asnjë qindarkë e fondit “Vendlindja thërret” nuk ishte e pisët. Të pista ishin angazhimet e Rugovës për të marrë nën kontroll UÇK-në dhe për të siguruar pushtetin e tij autonomist nën Serbinë. Është shumë e qartë që rruga rugoviste do të përfundonte në autonomi, për këtë ekzistojnë fakte të mjaftueshme. Rugova aktivizoi FARK-un vetëm kur ndryshoi gjendja në terren dhe kur po e humbte ndikimin në popull, sepse ky i fundit nisi t’i shkonte pas UÇK-së. Problemi i Buxhovit, Surroit, Matoshit dhe i gjithë individëve dhe organizimeve politike kosovare me ndjenja nostalgjie për ish-Jugosllavinë titiste është mospranimi i humbjes, përkatësisht, mospajtimi me faktin se filozofitë dhe orientimet e tyre politike u treguan të pasuksesshme dhe u ndëshkuan nga historia. Ajo që i vuri në lëvizje gjërat në Kosovë ishte filozofia politike e Ukshin Hotit dhe rezistenca aktive e LPK-së të shndërruar më vonë në UÇK. Në shkollat fillore të Perëndimit janë disa orë mësimore ku mësuesit i mësojnë nxënësit se si të pranojnë dhe të menaxhojnë humbjen në mënyrë dinjitoze e të kulturuar pas ndeshjes apo garës me nxënës të tjerë. Pikërisht ky është një ndër difektet kulturore të demokracisë kosovare. Rugovistët nuk pajtohen me faktin që filozofia politike e ish-liderit të tyre ishte treguar joproduktive dhe në thelb robëri-vazhduese. Ajo duhej të dështonte për të triumfuar liria dhe pavarësia. Në vend se t’i mveshin merita të paqena asaj filozofie, LDK-istët do të duhej t’u riktheheshin disa vlerave fillestare me të cilat nisi jetën e vet LDK-ja në vitet 90, gjithsesi duke përjashtuar dhe hedhur në koshin e mbeturinave gjithçka mashtruese dhe negative që prodhoi rugovizmi. Në vend të një meditimi frytdhënës dhe emancipues që do t’i çlironte nga vetëmashtrimi radhët e LDK-së, ata vazhdojnë të shpifin kundër forcave të vërteta që ia sollën çlirimin këtij vendi. Ata vazhdojnë që të zezën ta quajnë të bardhë, imoralitetin – ndershmëri, servilizmin – kundërvënie, ndërsa shërbimin ndaj pushtuesit – shërbim ndaj popullit. Aq shumë kanë shpifur kundër sivëllezërve të tyre sa ia kanë mbushur mendjen vetes dhe të huajve se të gjithë kundërshtarët e tyre politikë s’janë veçse ca terroristë të kapluar nga ideologji të majta ekstremiste, enveriste, maoiste e staliniste, duke mos ua pranuar për asnjë çast superioritetin e dukshëm moral në gatishmërinë e tyre të treguar për çdo sakrificë në dobi të kombit dhe lirisë. Në situatën e tanishme elektorale ata nuk mjaftohen me akuzat kundër PDK-së si bartëse dhe shkaktare e vërtetë e çdo dështimi ekonomik e politik të Kosovës, sidomos për shkak të praktikave të vazhdueshme korruptive në çdo segment të ekonomisë, por duan që ish-komandantët dhe drejtuesit LPK-istë të largohen, ose mundësisht, të mos fitojnë vota, në çfarëdo subjekti që të ndodhen. Psh. një budalla ideologjik që ia krehu bishtin shkrimit të Matoshit shkroi se “maoistët” tani janë zhvendosur në Vetëvendosje.

Si konkludim, historia nuk zaptohet dot, as me libra kuazi-shkencorë si ata të Jusuf Buxhovit, dhe as me pallavrat publicistike të Veton Surroit e as me etiketimet ideologjike të Halil Matoshit. Historia bëhet dhe nuk e bëjnë, aq më pak falsifikatorët e saj. Ajo i ka kriteret e veta të pandikueshme nga pretendentë qesharakë.

Bislim Elshani
Therandë, qershor 2014

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu