2.5 euro – një ar tokë ka shitur AKP

0
584

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shitur hiç më pak se 20 hektarë tokë për vetëm 5 mijë euro, në valën e 13 të Likuidimit. Në bazë të një përllogaritjeje del se për një metër katror tokë blerësi ka paguar vetëm dy centë, që shënon çmimin më të ulët të tokës që nga fillimi i procesit të privatizimit e deri më tash. Blerësi i kësaj prone Selman Sopa nga Kaçaniku thotë se në momentin kur ka marrë pjesë në tender ka respektuar të gjitha kriteret që janë vënë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Ai tha se sipërfaqja e tokës që tashme ka privatizuar nuk është e përshtatshme as për biznes, por as për ta punuar, por siç thotë ai atë e ka blere vetëm pse afër saj ka pasur edhe një sipërfaqe të konsiderueshme të tokës që e ka të trashëguar. “Ajo pronë është malore dhe thuajse është e pashfrytëzuar, por për shkak tokës teme që e kam pas afër unë e kam blerë atë. Unë s’e kam të qartë pse flasin njerëzit për një punë që është kryer duke respektuar të gjitha rrugët ligjore”, tha ai për “Zëri”.

Sipas tij, sikur ajo pronë të kishe qenë e mirë për të cilën tash po flet opinioni për atë do të kishte pasur që nga fillimi ofertues. Sopa thotë se në të gjitha valët e shpallura për atë pronë nuk ka pasur asnjë njeri të interesuar. Por, në anën tjetër burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda AKP-së bëjnë të ditur se prona në fjalë përmes valëve të likuidimit disa herë është hedhur në tender, por për pronën e njëjtë asnjëherë nuk ka pasur ndonjë investitor të interesuar. “Është hedhur në tender së paku tre here dhe për atë nuk ka pasur ofertues. Në valën e fundit ka qenë një ofertues dhe ai është shpallur fitues për privatizimin e ndërmarrjes në fjalë” bën të ditur burimi i gazetës.
Mst: Deklarata dyshuese e Rexhës

Deklarata e ish- kryetari të Bordit të AKP-së, Blerim Rexha, pas dorëheqjes së tij, në një emision televiziv se “miqtë e mi më kanë thënë se më mirë me ardhur te ti për dorëheqje se sa për pame” ka shqetësuar tej mase përfaqësuesit e partive politike në vend. Teuta Sahatçiu, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Prokuroria duhet të merret me këtë rast. Sipas saj, prokuroria duhet ta shikojë se kush e ka kërcënuar, apo me kë ka pasur problem Blerim Rexha që e ka shtyrë të japë dorëheqje nga pozita që ka pasur.

“Mendoj se kjo nuk duhet të ndalet këtu, do të duhej që prokuroria të merret dhe të shihet se kush po kërcënon me vdekje, apo cilat janë ato probleme madhore të cilat u hapen parcialisht gjatë deklarimit publik dhe aq më tepër duke pas parasysh edhe situatën me rastin e vdekjes së ish- kryetarit të bordit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, AKP-ja gjithmonë ka qenë në thumb të kritikës për shkak të privatizimeve të aseteve të vlefshme të Kosovës, të cilat sipas saj nuk kanë rezultuar me gjenerimin e zhvillimit ekonomik as me gjenerimin e vendeve të reja të punës. Deputetja e PDK-së njëherësh anëtare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e Rexhës se gjoja ka qenë i kërcënuar pasi që sipas saj për këtë nuk mund të jenë të sigurt.

Mirëpo Berisha-Shala dorëheqjen e tij e ka lidhur me mosdërgimin në Kuvend të raportit të punës për vitin 2012, pasi që sipas saj duke e zhagitur këtë raport po mundohen t’i mbulojnë manipulimet që janë bërë në AKP. “Është dashur qe një muaj që raporti i punës së AKP-së të vijë në Kuvend. Ata nuk e kanë sjellë raportin, pse nuk e kanë sjellë ne nuk mund ta dimë, ndoshta kanë dashur të fshehin diçka, për mua janë të gjithë të dyshimtë edhe menaxhmenti i AKP-së”, ka thënë Berisha-Shala.Sipas saj, në bazë të kësaj dinamike ata nuk do ta sjellin fare në Kuvend raportin e punës duke u thirrur në faktin se nuk ka kryesues të bordit. “Mendoj se janë duke i fshehur defektet e veta që i kanë pas deri më tani”, ka shtuar ajo.

Edhe Haki Shatri nga AAK-ja nuk mendon se Rexha ka qenë i kërcënuar por deklarimet e tilla Shatri i sheh më shumë si ngushëllim që Rexha ka dashur t’ia bëjë vetes. “Nëse e marrim variantin se ka qenë i kërcënuar, unë nuk besoj pasi që deri më tani nuk ka vepruar asgjë në AKP, asnjë vendim nuk e ka marrë. Për 3 muaj i ka shpallë disa tenderë që nuk janë përfunduar ende”, ka thënë Shatri.

Megjithatë sipas tij, ajo që mund të shihet si shqetësuese është klima e cila është krijuar në këtë institucion.“Ky është shqetësimi më i madh, klima e njerëzve që dikush bën vetëvrasje, tjetri për 3 muaj detyrohet me dhënë dorëheqje në një institucion ku dihet se është i pavarur”, është shprehur ai. Këto veprime sipas tij përçojnë një mesazh të keq për Kosovën në botë. “Me privatizimin në fakt botës i kemi dërguar një mesazh se vendi jonë është krejt i pasigurt, i kontaminuar për investime të huaja dhe jo tërheqës”, ka përfunduar Shatri. Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se përkundër se Blerim Rexha ka ardhur në këtë post me sponzorim partiak të PDK-së, ai la të kuptohet se kishte presion nga grupe të ndryshme të interesit dhe zgjodhi dorëheqjen që të mos rrezikohet personalisht. “Pa dashur të spekulojmë, kjo veç se e ilustron se çfarë situate është në AKP, dhe si vendoset në atë organ mbi pronën publike” ka thënë Vraniqi.

Hetim për aferat

Bardhyl Metaj, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane thotë se procesi i privatizimit është një proces i domosdoshëm për zhvillimin e vendit, për thithjen e investimeve, si dhe rivitalizimin e ekonomisë. Ai më tej tha se pak kush në Kosovë është kundër privitazimit, por dihet gjithashtu botërisht tashmë, se shumëkush është kundër formës si ka ngjarë privatizimi tek ne, kur dihen aferat e pa numërta të cilat e kanë përcjellë këtë proces. “ Duke pasur parasysh këto rrethana Oda Ekonomike Gjermane, në shtator të vitit të kaluar, doli me një qëndrim publik karshi Institucioneve vendore e ndërkombëtare, ku u kërkua një hetim dhe auditim i gjithë procesit të privatizimit të aseteve shoqërore, që nga privatizimi i parë në vitin 2002 e deri në fund të vitit 2012. Kërkesa jonë vinte para se gjithash, për shkak të aferave të shumta që ngjanin, po thuaj të përditshme”tha Meta për “Zëri”.

Sipas tij, kjo pamje dhe klimë biznesi, po dëmtonte rëndë imazhin e Kosovës karshi partnerëve ndërkombëtarë, karshi investitorëve potencialë, si dhe karshi vetë qytetarëve të Kosovës. Meta më tej thotë se në vitit 2012 kur Oda doli me qëndrimin dhe kërkesën për hetim të gjithë procesit, në Kosovë ishte edhe viti i përgjysmimit të Investimeve të Huaja Direkte. Meta më tej shton se me zhvillimet e fundit në AKP, me dorëheqjet zinxhirore që implikuan së fundi edhe dorëheqjen e kryetarit të Bordit Blerim Rexha, situata është e rënduar edhe më shumë.

Sipas tij, dorëheqjet, sado që janë akte morale dhe meritojnë admirim, megjithatë, në këtë rast, për shkak të peshës së aktorëve të dorëhequr përfaqësuesi i SHBA-ve dhe kryetari Bordit, ato s’mundemi thjesht të tejkalohen e të zëvendësohen thjesht aktorët, pa një analizë të thuktë të gjendjes, si dhe të shkaqeve të cilat e kanë degjeneruar të gjithë procesin e privatizimit. “Parlamenti i Kosovës duhet që urgjentisht të mblidhet në ditët në vijim, dhe t’i analizojë në një debat shterues situatën në AKP, të përcaktohet mes tjerash, nëse dëshiron të përzgjedh një bord krejtësisht të ri, me politika, mandat dhe program të saktësuar ekzekutiv, apo dëshiron sanime sipërfaqësore e kozmetike, respektivisht zgjatje të agonisë e të dëmtimit të mëtutjeshëm të pronës dhe imazhit të vendit”tha ai.

Sipas tij, po ashtu Parlamenti i Kosovës duhet të sjellë vendimin dhe ligjin për një hetim dhe auditim të gjithë procesit të privatizimit të aseteve shoqërore, që nga privatizimi i parë në vitin 2002 e deri tek i fundit të vitit 2013. Po ashtu, sipas tij Parlamenti, Presidenca dhe Qeveria duhet ta bisedojnë dhe rinegociojnë edhe një herë me shumë kujdes me Ambasadën Amerikane – çështjen e mundësisë së ripërfaqësimit amerikan në Bordin e AKP-së.
MST: Procesi degradoi pronat

Ibrahim Rexhepi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, thotë se rregulloret aktuale të privatizimit, prona shoqërore është shitur, po shitet dhe do të shitet me çmim si ky i fundit 2,5 euro një ari tokë. Ai thotë se Institucionet e Kosovës duhet që sa më shpejt që është e mundur të zgjidhin ketë problem, duke bërë plotësimin dhe ndryshimin e rregulloreve të privatizimit në vend. “Qeveria duhet ta harrojë Blerim Rexhën, por ajo duhet që sa më shpejt që është e mundur të bëjnë ndryshimin, pasi që ato prona që kanë mbet të privatizohen si duhet. Nëse nuk behën ndryshme edhe pronat tjera shoqërore të mbetura do të shiten me çmime të njëjta siç është shitur kjo e fundit”tha ai. Rexhepi thotë se në këto momente është e domosdoshme krijimi i një komisioni i cili do ta bënte hetimin dhe auditimin e çdo ndërmarrjeje shoqërore të privatizuar që nga fillimi i procesit të privatizimit në vitin 2002 e deri më tash. Por, një gjë të tillë ka që disa muaj që po e kërkojnë edhe zyrtarë të Odës Ekonomik Gjermane në Kosovë.

AKP të jetë në dobi të proceseve zhvillimore në vend

Oda Ekonomike e Kosovës dhe komuniteti i biznesit në përgjithësi janë duke përcjellë me vëmendje dhe shqetësim në te njëjtën kohë zhvillimet e fundit rreth funksionimit të Bordit të AKP-së, të karakterizuara me dorëheqje të anëtarëve dhe kryetarit të Bordit të AKP-së. OEK-u konsideron që të gjitha këto zhvillime, përcjellë me deklaratën e ambasadës së SHBA-së, që përfaqëson shtetin me kontributin më të lartë në shtet ndërtim dhe zhvillim ekonomik, ku konstatohen pengesa serioze në udhëheqjen e transformimit të pronës shoqërore, janë sinjali më i qartë që proceset që udhëhiqen nga AKP-ja nuk po shkojnë në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit, për më shumë po e dëmtojnë seriozisht imazhin e vendit në relacion me investitorët ndërkombëtar.

“OEK-u edhe njëherë shpreh qartë mbështetjen institucionale për procesin e transformimit të pronës shoqërore, si një nga parakushtet për krijim të një strukture ekonomike që garanton rritje ekonomike të qëndrueshme, por kjo mbështetje e gjerë nga komuniteti i biznesit duhet të shërbej në dobi të fuqizimit të procesit, e jo në dobi të degradimit të vazhdueshëm të këtij procesi vital për ekonominë e vendit”thuhet nw komunikatën e dërguar pwr media. OEK-u njëherit kërkon adresim të qartë, transparent dhe efikas të situatës së krijuar nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve tjera, përmes dhënies së rekomandimeve koncize për udhëheqje të mëtutjeshme të transformimit të pronës shoqërore nga AKP-ja si dhe zgjedhje te njerëzve kompetente dhe të gatshme për tu përballur me sfidat e këtij procesi dhe rrethanat ekonomike shoqërore në Kosovë.

Bordi vazhdon punën

Në anën tjetër Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit përmes një komunikate për media ndjen keqardhje për largimin e disa drejtorëve dhe kryetarit të saj pak ditë më parë. Por, ata paralajmërojnë se nuk do të ketë bllokadë në ditët në vijim, pasi që sipas tyre në përbërjen e tanishme, Bordi është funksional dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat dhe përgjegjësit që ka në bazë të kornizës ligjore nën udhëheqjen e zëvendëskryetarit.

“Bordi shpreson dhe pret nga Kuvendi i Kosovës emërimin e tre drejtorëve të rinj në një të ardhme sa më të afërt, në mënyrë që Bordi të rifitojë fuqinë e tij të plotë dhe që të lëviz me shpejtësi në drejtim të përfundimit të procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, mandat ky që buron nga Ligji i AKP-së i dalë nga Kuvendi i Kosovës”thuhet në komunikatë.

Nga: Enis Veliu & Saranda Rama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu