20 vjet burg në rastin “Medicus”

0
657

Dje në Prishtinë Trupi gjykues i gjykatës Themelore të Prishtinës ka shpallur vendimin në rastin “Medicus”, dhe atë pas 106 seancave të mbajtura që nga tetori i vitit 2011 kundër urologut, Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishit, mjekëve përkatësisht anesteziologëve Driton Jilta, Sokol Hajdini, Sylejman Dulla e Islam Bytyqi si dhe ndaj ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj.

Lutfi Dervishi është dënuar me 8 vjet e 10 mijë euro. Djali i tij, Arban Dervishi, është dënuar me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2 mijë e 500 euro gjobë. Sokol Hajdini u dënua me 3 vjet burg, ndërkaq Driton Jilta i ka shpëtuar dënimit.

Islam Bytyqi është dënuar me 1 vjet, Sylejman Sulla gjithashtu me një vjet. Që të dy janë dënuar me nga dy vjet me kusht që të mos përsërisin veprën e njëjtë penale.

Ilir Rrecaj, ish-sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, është shpallur i pafajshëm.

Ndryshe, mjekut Lutfi Dervishi i ndalohet ushtrimi i profesionit të urologut për dy vjet nga plotfuqishmëria e dënimit. Ndërkaq, Gjykata ka vendosur që të gjithë të të dëmtuarit në rastin “Medicus” të dëmshpërblehen me nga 15 mijë euro, para të cilat do t’i paguajnë Lutfi dhe Arban Dervishi.

***

Sot, vendimi për “Medikus”

Gjykimi maratonik në rastin “Medikus”, i njohur edhe ndërkombëtarisht për shkak të transplantimit të veshkave në Kosovë nga shtetas të huaj, të hënën do të marr verdiktin e Gjykatës së shkallës së parë.

Trupit gjykues i gjykatës Themelore të Prishtinës pritet që të shpall vendimin “në emër të popullit” dhe atë pas 106 seancave të mbajtura që nga tetori i vitit 2011 kundër urologut, Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishit, mjekëve përkatësisht anesteziologëve Driton Jilta, Sokol Hajdini, Sylejman Dulla e Islam Bytyqi si dhe ndaj ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj.

Trupi gjykues pritet që të shpallë vendimin duke u bazuar në dhjetëra dëshmi të ofruara në gjykatë e përmes video-lidhjeve, ku kanë dëshmuar dëshmitarë të mbrojtur që kanë dhuruar përkatësisht marrë veshka në Kosovë, në klinikën private “Medikus”.

Dhuruesit e veshkave ishin paguar me shuma shumë të vogla, derisa ata që kanë përfituar veshka kanë paguar shuma marramendëse si rezultat i një organizimi ndërkombëtar të transplantimin dhe shitjen e veshkave. E tërë kjo veprimtari joligjore në Kosovë dyshohet të jetë kryer nga marsi i vitit 2008, kur ishte kryer transplantimi i parë e deri në nëntor të të njëjtit vit kur në Aeroportin e Prishtinës ishte diktuar shtetasi turk Yilmaz Altun.

Ky i fundit po kthehej në Kosovë, pasi që kishte shitur veshkën e tij, veshkë e cila në një operacion në klinikën “Medikus” i ishte vënë pacientit nga Izraeli, Bezalel Shafran. Zbulimi i kësaj veprimtarie ilegale në Kosovë, kishte rezultuar me bastisjen e klinikës “Medikus”, e cila gjendet në rrugën që të shpie nga kryeqyteti për në Fushë-Kosovë.

Provat e administruara në gjykatë dhe dëshmitë e gjithsej 78 dëshmitarëve kanë vërtetuar se në këtë klinikë kishte pasur 24 pacientë që kishin shitur veshkat dhe 24 të tjerë që i kishin blerë ato. E tërë kjo është konstatuar si gjykata si një krim që është kryer me qëllim të përfitimeve të mjekëve kosovar dhe të dy mjekëve njëri nga Turqia Yusuf Sonmezit dhe mjekut izraelit Moshe Harel.

Dy të fundit ndonëse nuk janë gjykuar nga drejtësia në Kosovë akuzohen se janë marrë me sigurimin e klientëve dhe me organizimin e tyre për ti sjellë e operuar në Kosovë. Dy të fundit, sipas shkresave të lëndës kishin siguruar pacientë për t’i blerë veshkat nga ta nga Turqia, Bjellorusia, Kazakistani, Ukraina, Rusia, Moldavia, Izraeli ndërsa pacientët që kanë blerë veshkat për ti operuar e vënë në trupin e tyre janë nga Ukraina, Turqia, Polonia, Kanadaja, Gjermania.

Edhe shitës por edhe blerës veshkash, sipas gjykatës ka pasur edhe nga vende të tjera por nacionaliteti i tyre nuk është zbuluar për shkak se dokumentacionet e konfiskuara gjatë bastisjes së klinikës nuk i kanë pasur të dhënat e detajizuara për të gjithë pacientët që kishin kaluar përmes kësaj klinike.

Objekti në të cilin ka vepruar kjo klinikë ndonëse pa lejen e gjykatës është shitur nga pronari i saj, urologu njëherazi profesori universitar Lutfi Dervishi, kjo ka bërë që verdikti të shtyhet për pak ditë dhe atë të shpallet të hënën më 29 prill. Sido që të jetë, për tërë këtë veprimtari, prokurori i rastit Jonathan Ratell ka kërkuar dënim për të akuzuarit.

Dy kryesorët Lutfi e Arban Dervishi në fjalët e tyre të fundit kanë qëndruar në heshtje, derisa Driton Jilta i ka pranuar dy veprat penale për të cilat akuzohet por nuk ka pranuar të tregoj për atë që ka ngjarë në klinikën “Medikus” gjatë disa muajve të vitit 2008.

Tërë pretendimet e prokurorisë i ka kundërshtuar mbrojtja por trupi gjykues është ai që do të thotë të hënën, fjalën e tij të fundit. Për këtë veprimtari, Lutfi e Arban Dervishi si dhe mjeku Sokol Hajdini akuzohen për krim të organizuar e trafi kim me njerëz në bashkëkryerje.

Babë e bir, akuzohen edhe për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. Për këtë vepër të fundit dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare akuzohet Ilir Rrecaj, sekretar permanent në MSH gjatë udhëheqjes së kësaj ministrie nga ministri Alush Gashi. Lutfi e Arban Dervishi bashkë me anesteziologët Sokol Hajdini, Sylejman Dulla dhe Islam Bytyqi, akuzohen edhe për lëndim të rëndë trupor.

Për më tepër kryesori në këtë mes Lutfi Dervishi së bashku me Driton Jiltën, Sokol Hajdinin, Sylejman Dullën e Islam Bytyqin akuzohen për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit mjekësor.

Pavarësisht se trupi gjykues pritet që të thotë fjalën e tij përkitazi me tërë këto pretendime të prokurorisë, i njëjti trup nuk mund të vendos edhe për dy mjekët shtetas të huaj të cilët nuk gjenden në Kosovë. Mjeku turk Yousuf Sonmez ishte arrestuar në 2008-ten në Kosovë por ishte liruar me arsyetimin se do të kthehej dhe i njëjti nuk është kthyer kurrë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu