35-vjet…“Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”

0
1456

Gjyqet 1981

Po mbushen 35-vjet qysh kur një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës, në orët e mbrëmjes, të 11 marsit të vitit 1981, shfaqen pakënaqësinë e tyre, jo edhe aq spontane sikur është komentuar sa e sa herë deri tani. Ata u bashkuan te “Mensa e  Studentëve”, në Prishtinë, me qëllim   për ta shprehur papajtueshmërinë, jo vetëm për gjendjen e tyre sociale, por edhe për situatën e përgjithshme mjaft të rëndë, në Kosovë.  Kërkesat fillimisht kishin të bënin me gjendjen e rëndë ekonomike, nëpër të cilën po kalonte popullata shqiptare e  Kosovës, si krahina më e pa zhvilluar në RSFJ.

Janë bërë sa e sa përpjekje për ta gjetur fillin, studentin  e parë, të dytë apo të tretë i cili kishte refuzuar ushqimin e dobët të drekës,  që ishte shpërndarë për darkë, për të ndërtuar pastaj skenarin e revoltës “aksidentale”, “të rastësishme”, gjithnjë sipas skenarëve të filmave e romaneve, apo  përçapjes së publicistikës sensacionale.

E vërteta e 11 marsit i kishte rrënjët në pozitën e pafavorshme sociale e politike, ekonomike jo vetëm të Kosovës si njësi autonome në Serbi e Jugosllavi,  por në pozitën e pazgjidhur të të gjithë shqiptarëve që jetonin nën trojet e tyre të pushtuara nga Jugosllavia, popullatës shqiptare të ndarë dhunshëm nga  Shqipëria, me bekimin e Fuqive të Mëdha të Evropës e botës, qysh në vitin 1913. Për nga numri shqiptarët ishin popullata e tretë me radhë pas serbëve dhe kroatëve, në ish Jugosllavi,  ndërsa ishin të ndarë në tri republika: Serbi, Mali i Zi, Maqedoni.  Ajo pozitë e pabarabartë, ishte shkaku, faktori i parë kryesot  që nxiti me aq shpejtësi tubimin e mijëra studentëve nëpër rrugët e Prishtinës më 11 mars të atij viti. Ishte nata që paralajmëronte një pranverë të hershme në zgjimin tonë të vonshëm, në hapin tonë shumë të rëndë, të çalë e invalid,  në rrugë për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Protestat e revoltat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, pa dyshim se kanë bërë kthesën vendimtare të kohës, duke stopuar rrugën e bashkim-vëllazërimit të shqiptarëve me kombet sllave, duke stopuar idenë e patriotizmit jugosllav, përbashkësisë, jugosllavizimit e serbizimit të ngadalshëm përmes martesave, sikur ndodhi në Bosnje,  dhe krijimit me kohë të kombit hibrid “kosovar”, sikur ndodhi me bullgarët, në Maqedoni.

Kërkesat sociale ishin nisma, ishin alfa e mbështetur në traditën e përhapur kudo në botë të lëvizjeve punëtore e studentore,  e cila pasoi me kërkesa politike e kombëtare, të cilat u reflektuan nga organizatat e fshehta atdhetare dhe u sintetizuan me një kërkesë unike, programatike: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Kjo kërkesë, e cila për herë të parë u shpreh në demonstratat e 26 marsit dhe u bë kërkesa kryesore e 1 dhe 2 prillit të vitit 1981, dhe vazhdoi me vite të tëra, e kishte bazën në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve të ndarë në disa shtete, ndërkohë që Republika nuk nënkuptonte domosdoshmërisht vetëm Kosovën, por mbarë shqiptarët nën Jugosllavinë e kombeve dhe kombësive, jo të barabarta.  Edhe programi i Organizatës  së fshehtë të  quajtur Partia Komuniste, Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi, (PKMLSHJ) ishte projektuar mbi baza të bashkimit të të gjithë shqiptarëve, për krijimin e një republike autonome dhe të barabartë  të shqiptarëve me kombet e republikat e tjera të Jugosllavisë.  Parimisht, kjo ishte kërkesa politike e kompromisit, në krahasim me kërkesën për bashkimin e Kosovës dhe trojeve shqiptare, në një shtet të vetëm që ishte kërkesë e Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës dhe organizatave të tjera kryesisht me programe me përmbajtje kombëtare.

Autoritetet komuniste dhe hegjemoniste të Beogradit dhe vasalët e kuislingët e tyre shqipfolës në Kosovë, që në fillim refuzuan çdo kërkesë të studentëve, duke përjashtuar kategorikisht mundësinë e avancimit të pozitës së Kosovës në Republikë të barabartë, ndërsa pretendimi për krijimin e një republike shqiptare në Jugosllavi i kualifikuarsi thirrje për rrënimin kushtetues të Jugosllavisë së kombeve e kombësive të barabarta.

Po ashtu, komunistët jugosllavë, në mesin e tyre edhe ata që flisnin shqip e më shpesh serbisht, me qëllim për të ruajtur postet, favoret, përfitimet për veten e tyre familjet, farefisin, klanet me ashpërsi e vrazhdësi refuzuan çdo kërkesë, madje shkaktarin për protestat e demonstratat e marsit e prillit i “zbuluan” në Tiranë, duke akuzuar Shqipërinë për ndërhyrje dhe përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë e të Kosovës në veçanti, vetëm sepse shteti shqiptar dhe prijësi komunist, Enver Hoxha kishte përkrahur dhe kishte arsyetuar me fakte e dokumente historike, kërkesën që Kosova ta fitonte statusin e Republikës së barabartë në Jugosllavi.

Protestat, demonstratat dhe përgatitjet për kryengritje të armatosur në vitin 1981 në Kosovë, pa dyshim se ishin zhvillimet më të rëndësishme dhe më dramatike të kohës për të gjithë shqiptarët, sepse, një vit pas vdekjes së Titos, logjikisht kishte filluar edhe rrënimi gradual i një shteti, që ishte kthyer në burg për të gjitha kombet përveç serbëve, të cilët me faktin se ishin shumicë, dhe kishin marrë pjesë në krijimin e RFSJ-së kishin pretendime hegjemoniste për ta serbizuar gradualisht tërë Jugosllavinë, apo për të krijuar kombin hibrid jugosllav. Nuk duhet harruar faktin se në regjistrimin e popullsisë së atij viti ishte paraparë edhe përcaktimi kombëtar “jugosllav”, krahas përcaktimit për kombet e tjera. Asokohe si “jugosllavë” në pikëpamje kombëtare ishte përcaktuar një shumë e madhe e popullsisë serbe, kroate sllovene e boshnjake. Pati madje edhe mjaft shqiptarë që u deklaruan jugosllavë, sidomos ata me martesa të përziera në pikëpamje kombëtare.

***

Kërkesa programatike kombëtare: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë” në mars, prill, maj 1981 u shpërfaq me përmbajtjen e saj të plotë. Krahas kërkesës paqësore, “ me hatër, paqësisht” me grushtin e ngritur lartë, sikur bënin protestuesit jo vetëm në Prishtinë por kudo në qytetet e Kosovës,  ishte shfaqur edhe kërkesa  tjetër, “ me luftë” sikur bëri rinia shqiptare më 2 dhe 3 prill kur u rrëmbeu armët forcave rezerviste serbe dhe krijoi një barrikadë në fshatin Besi, duke ndaluar vërshimin e forcave rezerviste, që vinin nga Serbia, me qëllim për ta vënë Kosovën nën masa të shtetrrethimit, në kohën kur autoritetet më të larta të RSFJ-së kishin shpallur gjendjen e shtetrrethimit në Kosovë prej datës 3 e deri më 18 prill 1981. Gjendja e tillë pastaj zgjati me vjet të tëra deri në pezullimin edhe të autonomisë, në mars të vitit 1989.

Më duhet të veçoj me këtë rast revoltën, apo Kryengritjen e Besisë, të fillim-prillit të vitit 1981,  e cila hapi dimensionin historik të qëndresës aktive, të alternativës paqësore të realizimit të kërkesës, e cila kulmoi me disa elemente kapitale të kryengritjes popullore. Një kapitull tjetër i dimensionit kryengritës, ndodhi në Prekaz të ulët, më 13 maj, të po atij viti.  në ditën kur Milicia e Jugosllavisë shënonte Ditën e themelimit. Atë ditë pas shumë orë luftimesh ranë heroikisht, Tahir Meha e Nebih Meha duke luftuar kundër policisë dhe ushtrisë jugosllave të Nikolla Lubiçiqit, e cila sipas versionit zyrtar la pesë ushtarë të vrarë e dhjetëra të plagosur.

 

Çka do të kishte ndodhur nëse  në të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës në të njëjtën kohë të ishin rrëmbyer armët, sikur i rrëmbeu rinia kryengritëse në Besi? Nëse në çdo lokalitet të Kosovës të kishin rrëmbyer armët nga dyzet burra, të pasuar nga 500 të tjerë sikur në Besi, do të kishin një kryengritje të përgjithshme popullore, të cilën nuk do kishte forcë ta ndalonte asnjë ushtri. Në një rast të tillë do të kishin një kryengritje apo revolucion të armatosur.

Rasti i Besisë, apo kryengritja në Besi, në trevën nga vinte Bacë Adem Demaçi, asokohe për  herë të tretë në burg ishte rast i veçantë, por jo i izoluar, sepse pak më shumë se një muaj, më 13 maj ndodhi përleshja e armatosur në Prekaz, ku autoritetet jugosllave vunë në përdorim jo vetëm policinë por edhe ushtrinë.

Zhvillimet në mars prill maj të vitit 1981 ishin shkak pasojë

E filluar më 11 mars 1981 në “Mensën e Studentëve”,  pakënaqësia,  më vonë revolta popullore u shtri në tërë Kosovën, sepse kontradiktat klasore, politike, shoqërore e të tjera kishin arritur pikën kulmuese të shpërthimit.

Po ashtu, organizatat e fshehta atdhetare, që kishin vepruar pa ndërprerje  në Kosovë prej vitit 1945 e më herët  kishin filluar të mobilizoheshin, me qëllim, jo të shfrytëzimit të situatës, sikur është thënë dhe është shkruar sa e sa herë, por me qëllim të forcimit të revoltës qytetare dhe përkrahjes dhe artikulimit të  kërkesave për Republikën e Kosovës. Dëshmi për këtë është inkuadrimi në protesta e dy organizatave më të mëdha të asaj kohe, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, që kishte një kuadër jashtëzakonisht të fortë politik e atdhetar, si dhe një strukturë të mirë organizative  dhe një organizatë, jo aq e njohur deri në atë kohë, që quhej Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi, e cila ishte treguar mjaft aktive sidomos gjatë demonstratave por edhe më herët  në veprimtarinë paraprake prej vitit 1978. Pjesëtarë të Organizatave të tjera ose ishin zbuluar dhe ndodheshin nëpër burgje prej vitesh, ose vepronin me qëllim konsolidimi.

Fjalimi që kishte mbajtur para protestuesve, në qendër të Prishtinës  kreu i OMLK-së, Hydajet Hysenikishte qenë fjalim historik për kohën, me kërkesa programatike kombëtare, pa ngjyrime të caktuara ideologjike, gjithsesi në mbështetje të kërkesave gjithë-popullore me moton: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë” dhe kërkesa të tjera që ishin derivate të saj, apo edhe thjesht kërkesa  kombëtare dhe sociale sikur ishin: “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”. “Trepça punon Beogradi fiton”, “Lironi shokët nga burgjet”, Lironi Adem Demaçin e të tjera.

Në protestat e 1, 2 dhe 3 prillit të vitit 1981 kanë marrë pjesë qindra mijëra protestues, qindra grupe e dhjetëra organizata dhe degë organizatash ndërkohë që motoja identifikuese e të gjitha kërkesave kishte mbetur: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Ky formulim shpjegonte më së miri esencën e asaj që kërkohej me dialog, paqe e mirëkuptim, që  nuk u ofrua kurrë nga regjimi dhe mbeti pjesë tjetër,  “me luftë”, e cila  në kushte dhe rrethana të caktuara u shtri brenda dhe jashtë vendit deri te formimi i UÇK-së së Legjendarit, Adem Jashari.

Dy segmente analoge që duhet pasur para sysh për ta hequr trajektoren historike të zhvillimeve në Kosovë e më gjerë prej vitit 1981 deri në vitin 1998.

Rinia dhe inteligjencia kombëtar e  edukuar në shembullin e Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi, në prill të vitit 1981 u barrikada afër vendlindjes së tij, për të shpërthyer me një revoltë me rrëmbimin e armëve dhe stopimin e milicisë serbe në rrugë drejt Prishtinës. Disa nga ato armë u vunë në përdorim në luftën e UÇK-së 17 vjet më vonë. Edhe pse Demaçi ishte në burg, porosia e tij ishte e qartë, “ –me bisedime, ose me luftë”, sepse burgu ka qenë lufta në kohë paqeje.

Segmenti tjetër, 13 maji i vitit 1981, qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, në vendlindjen e legjendarit, Adem Jashari.  Në të dyja rastet kemi  pozitat e lëvizjeve në trajektoret  që lidhin dy segmente, në sinkroni dhe diakroni të zhvillimeve të kohës prej vitit 1981 deri në vitin 1998. Lufta e UÇK-së ishte kurorëzimi i pjesë alternative të kërkesës, “ nëse jo me hatër, atëherë me luftë”, si domosdo historike për mbijetesë, e cila solli si rezultat çlirimin e Kosovës nga robëria serbe me ndihmën e NATO-s, në qershor të vitit 1999.

Marsi dhe prilli i vitit 1981, ka qenë periudha e zgjimit përfundimtar të shqiptarëve liridashës nga deliri projugosllav i përbashkësisë dhe i bashkim vëllazërimit. Zhvillimet e asaj kohe nuk quan në afrimin e shqiptarëve me serbët, përkundrazi quan në largimin e natyrshëm, sepse ndjenja e lirisë, barazisë e drejtësisë ishte më e fortë se përpjekjet për të jetuar nën skllavëri dhe për ta improvizuar lirinë e barazinë fiktive e jo reale, nën dogmatizmin komunist jugosllav.

Shkruan: Ahmet Qeriqi

11. 3. 2016

Radio Kosova e Lire

Demostratat 1981

AQ gjykimi 1981

Demonstratat1981_1

Tahir Gecaj
Pamje nga, Gjykimi i Tahir Gecaj: 1982

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu