Grantezhvatësit nga diaspora

0
701

alb-info

130 mijë euro për dy projekte në Zvicër. Websiti «Albinfo» dhe «Instituti ISEAL», të dyja në Lausanne ia kanë mësyrë «tregut të granteve» në Prishtinë. Financimi i këtyre shoqatave kritikohet ashpër si zhvatje në disfavor të përparimit të shoqërisë kosovare.

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) me seli në Prishtinë, i cili financohet nga 14 donatorë perëndimorë, kryesisht ambasada dhe zyra për zhvillim, me një vendim të datës 15 prill 2016 hap «Grantet» edhe «për diasporën».

Përfitues të dy granteve të para janë portali albinfo.ch dhe Instituti i Studimeve Shqiptare, që të dyja me seli në Lausanne të Zvicrës frankofone.

PROJEKTET

Albinfo.ch premton realizimin e 12 videoportreteve «të thukëta» mbi individë që kanë «jetuar apo jetojnë në diasporë dhe që kanë kontribuar për të ndryshuar pozitivisht situatën në Kosovë», kështu në arsyetimin e grantit. Afati për realizimin e këtyre 12 videove është 19 muaj. Shuma e ndarë: 91.680.00 Euro.

Shtrirja gjeografike ku do të realizohen këto portrete është: «Kosovë, Zvicër: Cyrih, St. Gallen, Winterthur, Basel, Bernë, Fribourg, Lausanne, Gjenevë, Itali, Austri, Gjermani, Danimarkë, Norvegji, Suedi», në 9 qytete zvicerane dhe plus 5 shtete të Eurorperëndimit pra. Grupet e synuara janë: shoqëria kosovare dhe mërgata shqiptare.

Granti i dytë i jepet Institut për Studime shqiptare për organizimin e «aktiviteteve» me temat: «Mediat, imazhi dhe bërësit e opinioneve» dhe «Diaspora urë e shkëmbimit të njohurive ekonomike», bëhet fjalë për tubime e diskutime, tryeza debatesh rreth temave në fjalë, të cilat sipas projektit do të zhvillohen në Lausanne, Prishtinë dhe Bernë. Grupet e synuara janë: Mediat, Ekonomia dhe Shëndeti publik. Buxheti i dhënë: 35.774.00 Euro.

TË GRANTUARIT

Portali albinfo.ch është i themeluar para 5 viteve dhe udhëhiqet nga mërgimtari shqiptar me origjinë nga Shkupi Bashkim Iseni. Ndërkohë e njëjta «kompani» prodhon edhe një revistë me të njëjtin emër.

Stafi i përbërë nga një sekretaresh, dy gazetarë dhe një grafist/kameraman mbështetet financiarisht nga disa institucione shtetërore zvicerane si «Zyra Federale për Migrim (BFM-ODM)», «Drejtoria për Kooperim dhe Zhvillim (DEZA-DDC)» dhe  «Kredia e Konfederatës në favor të integrimit (EKM-CFM)». Përveç këtyre burimeve portali sponsorizohet edhe nga reklamat, kryesisht të ndërmarrjeve e bankave kosovare që synojnë diasporën si treg.

Që në start projektin e skandalizuan mediat konservative dhe ato ksenofobe. Revista më e madhe zvicerane «Weltwoche» dhe të tjera akuzonin shtetin të jap «Dy milionë franga për një websit shqip» (2010_38) dhe «fare të panevojshëm». Pala tjetër e mbronte me arsyetimin: «shqiptarët janë më të paintegrueshmit, prandaj edhe portali është i nevojshëm».

Në raport me mediat, shoqatat dhe organizimet tjera në Zvicër drejtuesit përfliten si «kërcënues permanent me letra e gjyqe» nëse përdorin përmbajtjet e tyre, 90% e të cilave janë huazime ose kompilime të mediave vendore me të cilat kanë një marrëveshje në baza solidare në favor të informimit të mërgatës shqiptare në Zvicër.

Institut për Studime shqiptare, poashtu me seli fqi i të parës dhe themeluar nga mërgimtari Driton Kajtazi merret me aktivitetet si: «integrimi i shqiptarëve në Zvicër; antologji e letërsisë shqiptare; si jeni me shëndet; ekonomi apo vetëm kursime» e të ngjashme.

Në «komitetet» e Institutit janë të listuar plotë emra – disa edhe tek albinfo të njëjtë – që njihen si dashamirë të shqiptarëve, pensionerë apo ish diplomatë në Zvicër, me një fjalë një rreth miqsh. Sipas biografisë së aktiviteteve Instituti nuk i përmbush as kushtet minimale për tu konsideruar «studimor» apo «përfaqësues» të ndonjë segmenti të caktuar të emigracionit shqiptar në Zvicër, e shkencës edhe më hiç.

KRITIKA

Që nga evaluimi i parë, i bërë nga Universiteti i Zürich-ut me kërkesë të financuesve të albinfo.ch u sinjalizuan shenjat se pas pesë viteve projekti nuk do të financohet më.

Shkaqet thuhet të jenë arsyet: Gjenerata e parë që nuk njihte gjuhën nuk është më. Të ashtuquajturit «secondo» flasin gjuhët e vendit, lexojnë mediat vendore vetë dhe nëse janë të interesuar për informata nga vendi i tyre i origjinës lexojnë pa ndërmjetësim të vonuar e «më hiç s’kanë interes të konsumojnë artikuj gazetarësh anonimë nga zyrat e redaksive të së përditshmes «Zëri», «Express»-it apo ndonjë medie tjetër në Prishtinë», gazetarë që në të zezë honorohen me nga 200 euro të padeklaruara.

Në shumicën e instancave besohet se «integrimi bazë i komunitetit shqiptar, si në gjuhë dhe njohje¸ tashmë është i mbyllur qe disa vite».  Ngjarjet me relevancë sensacioni si në sport, kulturë e të llojit mediat shqipe i huazojnë si ashtu kryesisht e drejt nga mediat perëndimore. Se albinfo.ch qenka më shumë «qendër vetësocializimi» e stafit aty, dëshmuaka fakti, siç thotë njëri nga njohësit e portalit: «edhe pse me 70 mijë pëlqyes faqja e tyre në fb në lajmin shqip i merr maksimalisht 4 pëlqime e në atë gjermanisht rregullisht 1.

Situata ndryshon kur këndej mbahet ndonjë koncert dhe habitemi me 46 klikime» dhe vazhdon; «është e pamoralshme t’ia mësysh tregut të granteve në Prishtinë nga Zvicra.

Ato donacione të destinuara për shoqërinë kosovare, duhet t’iu jepen mediave dhe aktiviteteve atje e jo tubimeve fare koti me nga tri katër njerëzve që po folkan për mediat dhe opinionistët në ndonjë pizzeri italiane. Cilat media, cilët opinion bërës? Nuk është e ndershme që njerëzit e albinfos t’ua marrin buxhetin atyre atje për kot, për çka, për ta mbajtur veten gjallë. Le të integrohen e punojnë këtu», thotë burimi ynë, njohës i mërgatës shqiptare. Ai poashtu thotë se ISEAL i mbështetur me afër 36 mijë euro as që i paska ato kompetenca, dhe nëse vërtet dikush qenka i interesuar të dijë opinionet dhe mediat këtu në Zvicër le t’i japë 15 mijë euro dhe merr hulumtim shkencor empirik për këtë punë.

Si pikë kritike përmendet edhe roli i RTK-së në këtë mes, i cili del si referencë kryesore në projektet e dy shoqatave si në Zvicër ashtu edhe në Kosovë.

«E kanë një mik në stafin drejtues të RTK-së këta të albinfo-s dhe e përdorin median», është i bindur ta dijë ai arsyen pse Televizioni Publik i Kosovës qenka referenca kryesore gjithandej.

Mbetjen në kontakt me diasporën e saj qeveritë shqiptare nëse jo sot nesër do të jenë detyruara ta financojnë edhe vetë. Kjo është një nismë. E huqur po.

E panevojshme dosido, ngase dy projektet dhe dy organizatat nuk kanë as lidhjet as efektin e nevojshëm me migracionin shqiptar në Zvicër, Austri e vende tjera as mos të flasim. Në opinionin zviceran as që dihet se ekzistojnë. Storiet e suksesit depërtojnë si ashtu në mediat vendore dhe për reflektime mbi opinionin dhe mediat atje e këtu ka specialistë Kosova vetë plotë e këtu në Zvicër nuk mund të jetë ISEAL ai.

130 mijë eurot që janë pagat mesatare për katër punëtorë në Zvicër për një vit në Kosovë do të ushqenin disa dhjetëra dhe do të ndihmonin më shumë shoqërinë atje se çdo kund tjetër.

Linku i Weltwoches:http://www.weltwoche.ch/ausgaben/2010_38/artikel/artikel-2010-38-kostenkontrolle—-franken-fuer-albanische-website.html

Nga: Leonard Komani

alb-info-grant

iseal-grant

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu