280 milionë euro Kosova ia dërgoi Serbisë

0
764

Rreth 280 milionë euro mallra ka importuar vitin e kaluar Kosova nga Serbia, kryesisht produktet ushqimore, material ndërtimor dhe energji elektrike.

Pavarësisht fushatave të ndryshme për mosimport të produkteve serbe, mallrat nga shteti fqinj edhe më tutje vazhdojnë ta dominojnë tregun kosovar.

Ndërkohë vlerësohet se një pjesë e madhe e dërgesave të diasporës për familjarët e tyre në Kosovë, shkon në Serbi përmes konsumit të produkteve serbe që kosovarët vazhdojnë t’i blejnë me të madhe.

Mbi 400 milionë euro llogaritet të jenë mesatarisht remitenca në vit, kurse më shumë se gjysma e kësaj shume, mbi 250 milionë euro gjatë një viti shkojnë para kesh në Serbi nga blerja e produkteve serbe.

Ekspertët e ekonomisë thonë se fushata për mosblerje të produkteve serbe duhet të përcillet edhe me veprime tjera konkrete.

“Fushatat e tilla duhet të përcillen me veprime tjera konkrete. Institucionet para së gjithash duhet ta luftojnë konkurrencën e padrejtë në treg të mallrave serbe dhe njëkohësisht të merren masa adekuate për përkrahje të prodhimit vendor”, thekson Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).

Sipas tij, për zëvendësimin e produkteve ushqimore nga Serbia duhet të përkrahet sektori i bujqësisë në Kosovë. Ndërsa për zvogëlimin e importit të rrymës nga Serbia do të duhej që shumë më shpejt të ndërtohet linja 400 kilovoltëshe e interkonjeksionit me Shqipërinë.

“Serbia me prodhimet e veta në Kosovë ka krijuar përparësi në tregun tonë që nga paslufta. Konsumatori orientohet në çmime më të lira, mirëpo duhet gjetur prodhime me çmime më të përshtatshme nga tregjet tjera”, potencon ai, duke shtuar se institucionet e Kosovë janë në diskutime me Turqinë për arritjen e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, mirëpo duhet pasur kujdes që me një marrëveshje të tillë të mbrohet edhe prodhimi vendor.

Ndërsa Ibrahim Rexhepi nga organizata joqeveritare “STRAS” thotë për “Zërin” se prezenca e madhe e mallrave serbe në tregun vendor është për shkak të kostos më të lirë.

Ai shpjegon se Serbia me çdo kusht synon ta mbajë tregun e Kosovës, duke gjetur mënyra të ndryshme për përkrahje të produkteve të veta që eksportohen, përderisa, siç thotë ai, kjo gjendje mund të ndryshojë me përkrahjen e prodhimit vendor dhe orientimin në tregjet tjera.

“Duhet përkrahur prodhimin vendor dhe të shikohen tregje të tjera për t’i zëvendësuar mallrat që importohen nga Serbia”, shprehet Rexhepi.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, konfirmon se produktet ushqimore dhe materiali ndërtimor janë në krye të listës së importeve nga Serbia.

“Nga Serbia importohet kryesisht grurë, miell, tjegulla, blloka, etj.”, pohon Stavileci.

Importi nga Serbia gjatë vitit 2012

Dhjetor = 22 mil. euro

Nëntor =22.8 mil. euro

Tetor= 23.2 mil.euro

Shtator= 32.2 mil.euro

Gusht =31.5 mil. euro

Korrik =27 mil.euro

Qershor= 23.5 mil. euro

Maj = 24 mil. euro

Prill=24 mil. euro

Mars= 23 mil. euro

Shkurt 11 mil. euro

Janar 12 mil. euro

 

Nga Lavdim Hamidi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu