32 mijë aplikime për statusin e veteranit të UÇK’së

0
797

Numri i atyre që kanë aplikuar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së, ka arritur mbi 32 mijë. Ndërsa deri në fund të afatit, e që është 28 shkurti, pritet që ky numër të arrijë deri në 48 mijë. I gjithë ky proces sipas, Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, është duke shkuar në rrugën e duhur dhe se presin që të shkon në ritmin e duhur deri në fund.

Kryetari i këtij komisioni dhe njëherësh ministër i FSK-së, Agim Çeku, pas takimit me anëtarët e tjerë të komisionit, ka vlerësuar si pozitive ecurinë e procesit të aplikimit, duke mos përmendur ndonjë problem të theksuar që do ta pengonte një proces të tillë.

Çeku, megjithatë ka pranuar se në disa degë ndërkohë ka pasur mungesë të aplikacioneve, por sipas tij, këto kanë qenë raste të izoluara ,e të cilat nuk kanë penguar rrjedhshmërinë e procesit.

Kur kanë mbetur edhe dy javë kohë, Çeku ka ftuar të gjithë ata që mendojnë dhe pretendojnë se kanë qenë pjesë e luftës në çfarëdo forme të dorëzojë aplikacionet.

Sipas Çekut në këtë takim të komisionit u shqyrtua edhe për kategorizimin e pjesëmarrësve të luftës, duke sqaruar se pjesëmarrës të luftës janë të gjithë ata që kanë qenë të kyçur në luftë dhe kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejt, si veteranët e luftës, dëshmorët e kombit, invalidët e luftës. Kurse kategoritë tjera pjesëmarrës në luftë janë pjesëtarë të UÇK-së, si përfaqësuesit politikë, si brenda dhe jashtë Kosovës.

Po ashtu edhe metodologjia e punës, sipas Çekut ka qenë temë e diskutimit. Ai ka bërë thirrje të gjithë atyre personave që kanë aplikuar e që nuk u ka njohur statusi që të adresojnë ankesat e tyre e të cilat do të shqyrtohen dhe do të verifikohen nga komisioni përkatës.

Duke komentuar deklaratat e Veteranëve të Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët nuk do të jenë pjesë e organizimeve nga Presidenca, Qeveria dhe komunat me rastin e 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ministri Çeku, në cilësinë e anëtarit të Këshillit Organizativ për shënimin e 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka deklaruar se mosprania e tyre do ta zbehte festën e Pavarësisë.

Procesi për t’u pajisur me librezën e veteranit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar me 15 nëntor të vitit të kaluar dhe do të përfundojë më 28 shkurt të këtij viti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu