5 me 3

0
1112

Sot, në mbledhjen e radhës të Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë (AKI), deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu (Kamishi) kërkoi shkarkimin e kryetarit të komisionit, Florin Krasniqi.
Bekim Haxhiu këtë kërkesë të tijën e mbështeti në kinse shkeljen e deklaratës së konfidencialitetit nga ana e deputetit Florin Krasniqi.

Bekim Haxhiu, prejse hyri në Parlament, po merret veç me Vetëvendosjen. Të mërkurën, ai kërkoi shkarkimin e Florin Krasniqit nga posti i Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Inteligjencë. Sipas tij, deputeti i Vetëvendosjes nxori në publik sekrete shtetërore. E, Florin Krasniqi e akuzoi deputetin e PDK’në se funksion me logjikën e SHIKùt.

Bekim Haxhiu, i njohur dikur si komandant “Kamishi”, e pranon se ka qenë pjesëtar i ish Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Madje ai tregon se këtë fakt e ka përmendur edhe në biografinë e tij dorëzuar në administratën e Kuvendit të Kosovës. Por, çështja e “nxjerrjes së sekreteve” e ka konfrontuar të mërkurën me Florin Krasniqin, kryetar i Komisionit Parlamentar për Inteligjencë.

Në seancën e 25 marsit, deputeti Krasniqi që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se për Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës (AIK) qeveria e vendit ka ndarë vetëm 3 milionë euro.

Pikërisht këtë deklaratë, ish komandanti e cilëson si publikim të sekretit shtetëror. Për këtë arsye, në cilësinë e anëtarit të Komisionit Parlamentar për Inteligjencë, deputeti Haxhiu ka kërkuar që Florin Krasniqi, i cili është kryetar i këtij komisioni, të shkarkohet nga kjo detyrë. Por, duket se kërkesa e tij nuk gjeti përkrahje sepse gjatë votimit të anëtarëve të Komisionit, pesë ishin kundër dhe tre të tjerë pro kësaj kërkese. Sa i përket kësaj situate të krijuar, Haxhiu thotë se do t’i drejtohet Kryesisë së Kuvendit. Por, duket se kjo të jetë vetëm njëra nga arsyet.

“Krasniqi duhet të përgjigjet edhe për 300 milionë eurot që ka thënë se i merr PDK dhe SHIK . Ose duhet ta argumentojë këtë me fakte ose t`i drejtohet organeve kompetente apo duhet të përgjigjet për shpifje”, thotë Kamishi për Express.

“Nëse Krasniqi ka thënë publikisht se ka marrë hidrocentrale pa infrastrukturë ligjore, ai duhet të përgjigjet për këtë. Se në çfarë forme pra ka marrë licencë për hidrocentrale”, pyet Kamishi. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Florin Krasniqi. Ai në mënyrë kategorike ka mohuar se ka shkelur deklaratën e konfidencialitetit, kur ka deklaruar se AIK-ut i janë ndarë vetëm 3 milionë euro për të kryer punën e vet. “Bekimi kërkon shumë sende. Do të bëj çka të mundem që ky komisioni të jetë apolitik”, ka thënë Krasniqi, duke aluduar në Komisionin Parlamentar për Inteligjencë. Përveç tij, ka reaguar menjëherë edhe Lëvizja Vetëvendosje duke dhënë edhe shpjegime se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e fundit të këtij komisioni.

Sipas kësaj lëvizjeje, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu (Kamishi) ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të Komisionit, Florin Krasniqi. Ata sqarojnë se qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë bëhet më paranë publike. “Meqenëse Bekim Haxhiu është mësuar në punët e tij që gjithçka ta mbajë sekrete e konfidenciale, ai mendon se qytetarët nuk kanë të drejtë të dinë se ku dhe si po shpenzohet paraja publike që është e qytetarëve”, ka deklaruar Vetëvendosje përmes një deklarate për media.

Sipas tyre, kërkesa e Bekim Haxhiut nuk ka hasur në përkrahjen e shumicës së anëtarëve të Komisionit. ”Pesë anëtarë të Komisionit votuan kundër kërkesës së Bekim Haxhiut, ndërsa vetëm deputetët Fadil Demaku, Boban Todoroviq dhe vetë Bekim Haxhiu ishin pjesë e skenarit të këtij të fundit”, sqaron në komunikatë partia e dytë më e madhe opozitare në vend. Ky nuk është konfrontimi i parë ndërmjet deputetëve Haxhiu e Krasniqi. Të dy dikur ish pjesëtarë të UCK-së, vazhdimisht akuzojnë partitë kundërshtare për shpifje apo keqpërdorime të parasë publike.

Krenar për SHIK

Në Kuvendin e Kosovës ka edhe ish-anëtarë të SHIK-ut. Njëri prej tyre, tashmë deputet i PDK-së, e pranon se ka punuar për SHIK-un, shërbim i afërt me partinë e Hashim Thaçit, që ka vepruar që nga koha e luftës. Deputeti Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën “Kamishi”, ka pranuar se ka punuar për SHIK-un si zyrtar deri më 15 qershor 2008, datë kjo që korrespondon me shuarjen e këtij shërbimi, të komunikuar përmes RTK-së nga shefi Kadri Veseli (Luli). “Ky është lajm i vjetër se unë kam qenë pjesëtar i SHIK`ut. Në biografinë time dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kam treguar se isha pjesë e këtij shërbimi. Jam krenar për punën që kam bërë për vendin tim gjatë kohës së luftës dhe pas saj”, ka thënë Bekim Haxhiu për Express. Sipas tij, ai ka qenë anëtar i SHIK deri më 15 qershor 2008, kur sipas tij, ky shërbim është shuar.

AAK

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, duke sqaruar debatin brenda Komisionit Parlamentar për Inteligjencë, ku nuk është mbështetur kërkesa e Bekim Haxhiu që Kryesisë së Kuvendit t’i dërgohet kërkesa për shkarkim nga pozita e kryetarit të Komisionit të Florin Krasniqit, se në Kosovë ka shumë çështje që duhet të sqarohen para organeve institucionale, politike dhe të drejtësisë. “Funksionimi i SHIK-ut është një prej temave më të rëndësishme për Kosovën e pas-luftës, për shkak bindjes për përfshirjen e kësaj organizate ilegale në kriminalitet politik dhe ekonomik”, pohon Ramadani. Sipas tij, SHIK-u ka qenë organizatë që i ka shërbyer një grupi të caktuar brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe shprehet i bindur se njerëzit e kësaj strukture nuk duhet të ndihen mirë që kanë qenë pjesë e saj. “Kosova ka nevojë të ketë qartësi për të gjitha të bëmat e kujtdo qoftë dhe në këtë rast të një strukture të organizuar kriminale, që njihet me emrin SHIK. Prandaj, konsideroj se ka ardhur koha kur Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të themelojë një komision hetues parlamentar për hetimin e veprimtarisë së “SHIK”-ut që nga themelimi i kësaj organizate pas çlirimit të Kosovës”, tha Ramadani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu