69 vjet nga Masakra e Tivarit

0
866
Shqiptar duke u derguar në Frontin e Sremit
Shqiptar duke u derguar në Frontin e Sremit

Sot është 69-vjetori i masakrës më të madhe që i është bërë shqiptarëve nga serbët, Masakra e Tivarit. Ajo është masakra që iu bë të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Tivar, Mali i Zi dhe në rrugë për në Tivar. Numri i të vrarëve në këtë masakër varësisht prej burimeve sillet 1700-4300.

Kur nazistët ishin në tërheqje nga territori i ish-Jugosllavisë, frontet u krijuan në Srem të Vojvodinës dhe në atë të Adriatikut në veriperëndim të Jugosllavisë. Shqiptarët u rekrutuan për tu dërguar në luftime në këto fronte ndërsa brigadat Serbe i forcuan pozitat e tyre në territorin e Kosovës. Gjithsejtë 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës për ta zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serb/jugosllav që do të vendosej në Kosovë.

Pikë mbledhja e këtyre ushtarëve u caktua Prizreni, deri ku ata u drejtuan nga oficer shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosen me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe.

Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoj për katër ditë në vijën Prizren-Zhurë-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen.

Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë. Masa e zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit u shtri për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, në dritare dhe në tarraca të shtëpive, e në shkëmbinj e kodra përreth.

Më pas turma urdhërohet të ngitet dhe drejtohet drejt ndërtesë “Monopoli i duhanit” ku filluan të shtënat. Një raportim drejtuar Misionarit anglez Hadson më 1946 në atë kohë e caktonte numrin e të vrarëve në 1670. Grupi i tretë me 2700 veta u nis me 27 Mars 1945 dhe pas arritjes në Dubrovnik një grup prej 800 vetash u helmua nga një helm i panjohur pas vendosjes në një depo baroti, me pasoja fatale për shumicën.

Mbijetuesit e masakrës besojnë se numri i të vdekurve apo të vrarëve gjatë rrugëtimit për në Frontin e Adriatikut është gjithsej 4300 veta. Enver Hoxha më 1955 përmend 1,000 të vdekur “në territorin shqiptar”. Aleksandër Rankoviçi, në kongresin themelues të Partisë Komuniste të Serbisë më 8-12 maj 1945 ka deklaruar se ”udhëheqësit e eshalonit (grupit) e nxiten revoltën midis shqiptarëve”, duke planifikuar të vrisnin “ 40 shqiptarë për një luftëtarë të vrarë”, duke vazhduar se “udhëheqësit tanë hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë”.

Në Tivar në kohë ka qenë e vendosur Brigada e X malazeze, rreth 100 luftëtar të Komandës vendore, një pjesë e Mbrojtjes popullore, një pjesë e Brigadës së Bokelit, dhe një numër i madh i të plagosurve të cilët ishin të armatosur, refugjatë dhe popullsi vendase. Një pjesë e divizionit të 46 të partizanëve serb, të përbërë nga ushtarë të Vranjës dhe Pirotit, në Tivar gjithashtu kanë marr pjesë në vrasjen e shqiptarëve.

Përveç partizanëve, në vrasjen e shqiptarëve kanë marrë pjesë edhe popullsia vendase malazeze. Në zhdukjen e shqiptarëve po ashtu kanë marrë pjesë edhe popullsia civile serbo-malazeze të cilët kishin qenë të larguar nga Kosova pas luftës së prillit. Por kishte dhe vendas të cilët të rinjtë shqiptarë i fshihnin nëpër shtëpitë e tyre ose në stoqet e sanës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu