800 mijë euro shkel e shko

0
1026

Ministri i Sportit, Kujtim Shala, ka konfirmuar se raporti i Auditorit ka konstatuar se punimet në stadiumin “Adem Jashari” në vitin 2014 nuk kanë qenë cilësore. Ai thotë se raportin ia ka dorëzuar edhe Komisionit përkatës Parlamentar. Tani Ministria e Kujtim Shalës i ka dy muaj afat për ta përgatitur stadiumin “Adem Jashari” për gara evropiane. I duhet t’i përmirësojë edhe punimet jocilësore të kryera në kohën kur Memli Krasniqi ishte ministër. Në të kundërtën, klubet kosovare do të mbesin sërish jashtë Evropës

Në fillim të vitit 2014 Qeveria e Kosovës, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Hashim Thaçi, përkatësisht Ministria e Sportit së cilës i printe Memli Krasniqi, kishte investuar në stadiumin “Adem Jashari” rreth 800 mijë euro, me të cilat para i ishte përmirësuar dukshëm pamja stadiumit olimpik.

 

Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe gjendja e atij stadiumi filloi të përkeqësohej sërish, me ç’rast kishin lindur dyshime për punime jocilësore dhe për keqmenaxhim të projektit, ndërsa si arsyetim kryesisht është përmendur mosmirëmbajtja e asaj arene, shkruan sot gazeta Zëri.

Edhe sot gjendja e këtij stadiumi është e rënduar, larg kritereve që i kërkon UEFA për t’i dhënë licencë të kategorisë së dytë.

Kjo po i mban nën ethe klubet e Superligës, dy prej të cilave në qershor do të kenë mundësi të marrin pjesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, normalisht nëse i përmbushin kriteret juridike dhe infrastrukturore.

Tani krejt barra i ka rënë Ministrisë së Sportit, e cila ka dy muaj kohë për ta rinovuar “Adem Jasharin”.

Në të kundërtën, UEFA do t’i lërë jashtë garave të saj sërish klubet kosovare, edhe nëse këto të fundit i plotësojnë kriteret e tjera ligjore.

Kujtim Shala është zotuar se Ministria që ai e drejton do të bëjë çmos për ta bërë me kohë të gatshëm këtë stadium për ndeshje evropiane në mënyrë që klubet të mos pësojnë.

Por, njëkohësisht kujton se qeverisja e kaluar në njëfarë mënyre ia ka lënë në dorë “pataten e nxehtë”.

Kjo pasi Kujtim Shala do të jetë i detyruar t’i mbulojë në stadium edhe defektet e trashëguara nga rinovimi i fazës së parë, që është kryer në kohën e Memli Krasniqit.

Pasi kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Sportit, Shala disa herë shumë seriozisht i pati kritikuar punimet që ishin kryer më herët në stadiumin “Adem Jashari”, ndërsa tani thotë se dyshimet që kishte shprehur janë argumentuar edhe nga raporti i Auditorit.

“Ajo ka qenë faza e parë e punimeve në stadiumin ‘Adem Jashari’. Është konstatuar se puna e kryer nuk ka qenë cilësore. Për ta kthyer atë stadium në kategorinë e dytë do të detyrohemi të ndërhyjmë edhe në punimet e asaj faze”, ka deklaruar Shala për “Zërin”.

“Nuk ka pasur mirëmbajtje të duhur. Për ato punime e kemi një raport të Auditorit të brendshëm të MKRS-së dhe sipas detyrimit ligjor atë raport ia kam përcjellë Komisionit për Kulturë, Rini, Sport dhe Arsim të Kuvendit të Kosovës”, u shpreh Shala.

Ai e tregon edhe përmbajtjen thelbësore të raportit të Auditorit.

“Raporti është dokument publik me të gjitha të dhënat dhe detajet. Raporti konstaton se punimet në një shkallë të lartë nuk janë cilësore. Kemi pasur probleme edhe me shtigjet e atletikës dhe ne nuk i kemi pranuar derisa nuk janë përmirësuar. Ne kemi obligim të dyfishtë sepse operojmë me fonde publike dhe e dyta se nuk kryejmë punë kot, por për t’i shfrytëzuar”, është shprehur Shala, i cili kësaj radhe i kursen fajtorët, duke mos ua përmendur emra.

“Nuk më takon mua ta përcaktoj përgjegjësin. Mua më intereson që punimet të shkojnë në rregull”, ka theksuar ai. Në anën tjetër, gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim rreth kësaj çështjeje nga ish-ministri i Sportit, Memli Krasniqi.

Hasani: Ne ende nuk e kemi pranuar raportin

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Nahit Hasani, thotë se ende nuk e ka pranuar raportin nga Ministria e Sportit.

“Deri më tani nuk ka ardhur një raport për të ditur se çfarë është gjendja. Nuk vjen vetëm për një, por për të gjitha. Ne e marrim dhe shikojmë se çka më tutje dhe themi ka vërejtje, s’ka vërejtje. Nuk është çështja që të na njoftojnë neve, por ai duhet të vijë në seanca”, tha Hasani. /Zëri/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu