A donte Fatmir Limaj ta ekzekutonte Blerim Kuçin?

0
805

Blerim Kuçi

Blerim Kuçit, më 5 prill të vitit 2011 i ishte caktuar masa e dënimit prej 30 ditë paraburgim për shkak të refuzimit që të dëshmojë në rastin Fatmir Limaj, të dyshuar aso kohe për krime lufte.

“Dënimi me gjobë ose me paraburgim për dëshmitarët që nuk bashkëpunojnë është një masë e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës”, pati njoftuar EULEX-i.

Kuçi nuk ka dashur të dëshmojë në rastin Fatmir Limaj, ndaj të cilit EULEX-i pati ngritur dyshime për krime lufte.

Blerim Kuçi përmendej si një nga viktimat, që ishte mbajtur në Kleçkë nga UÇK-ja në vitin 1999.

Ndërkaq sot edhe një herë ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, tha se e pati dënuar me pushkatim Blerim Kuçin.

E në qershor të vitit 2011, dëshmitari “X”, tashmë i vdekur (bëri vetëvrasje në Gjermani), pati thënë se Fatmir Limaj donte ta ekzekutonte Kuçin.

Urdhri ishte i prerë: Kushdo që do të guxonte ta lironte Blerim Kuçin e priste plumbi. Kuçi që konsiderohej dezertor nuk mund të lirohej. Aq më pak kur arrestimin e tij e kishte kryer personalisht ish-komandant Çeliku.

Ish-mbikëqyrësi i të ashtuquajturit burgu i Kleçkës i themeluar dhe kontrolluar nga UÇK-ja gjatë vitit 1998-1999 ka thënë se këtë urdhër e kishte marrë nga komandant Çeliku që të mos guxonte ta lironte, ndryshe do të vritej.

Ky ish-pjesëtar i UÇK-së që identifikohej si dëshmitari “X” i pati rrëfyer ish prokurorit special Maorizio Salustro prej ditës së parë kur i është bashkuar UÇK-së e deri ditën që u është dorëzuar autoriteteve.

Ai pati folur për arrestimin e Blerim Kuçit, ish kryetarit të Suharekës dhe lirimin e tij “diplomatik” nga ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

“Kur u lirua Blerim Kuçi sipas urdhrit të Sokol Dobrunës, Fatmir Limaj filloi ta mallkonte atë. Blerim Kuçi ishte një komandant në zonën e Suharekës. Sipas thashethemeve që i kam dëgjuar ai gjoja u kishte thënë ushtarëve të tij t’i linin armët e tyre dhe të iknin për në Shqipëri. Për këtë arsye vetë Fatmiri e kishte arrestuar atë dhe personalisht e kishte dërguar në burgun e Kleçkës”, i pati thënë dëshmitari prokurorit aso kohe.

Të gjitha këto dëshmi të “X”-it, Fatmir Limaj dhe mbrojtja e tij i kanë hedhur poshtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu