A ka LSDM-ja edhe votues shqiptarë!

0
674

Shkup, 5 shkurt – Për herë të parë që kur ka filluar rezistenca e opozitës maqedonase të kryesuar nga LSDM-ja, sot për herë të parë është valëvitur edhe flamuri kombëtar shqiptar në protestë së bashku me flamurin shtetëror të Maqedonisë, njofton “Zhurnal”.
Nga 24 dhjetori i vitit 2012 kur deputetët e opozitës dhe gazetarët ishin larguar me dhunë nga Kuvendi i Maqedonisë, opozita në forma të ndryshme po proteston kundër qeverisjes të qeverisë së Nikolla Gruevskit.
Në një veturë të protestës së opozitës pranë “Bit Pazarit” është valëvitur edhe flamuri shqiptar, që ka befasuar gazetarët dhe kalimtarët.
Por, pyetja e shtruar është se a ka shqiptarë që janë votues të LSDM-së ose janë anëtarë të partisë maqedonase të kryesuar nga Branko Crvenkovski.
Nga zgjedhjet e deritanishme ka pasur raste kur shqiptarët kanë votuar për partitë maqedonase, por në interesa të ndryshme kur nuk është cenuar vota shqiptare, ose në komunat ku shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të fitojnë dhe kanë përkrahur ndonjë parti maqedonase, sidomos në vendbanimet me pak votues shqiptarë.
Publikisht nuk është mësuar se ka pasur anëtarë shqiptar të partive maqedonase, edhe pse mund të veçohen raste, por pa pasur aq fuqi që ta publikojnë flamurin shqiptar në protesta ose tubime të maqedonasve. Deri më tani nuk ka ndodhur që parti maqedonase të publikojnë flamurin shqiptar.
A po ndryshon skena politike në Maqedoni dhe a nënkupton veprimi i LSDM-së se edhe shqiptarët duhet të bashkohen në rezistencën kundër Gruevskit, pritet të shihet në të ardhmen.
Të vetmet raste kur është parë në tubimet e maqedonasve flamuri shqiptar ka qenë atëherë kur ata e kanë djegur publikisht duke shfaqur urrejtjen ndaj shqiptarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu