A ka pasardhës gjenetikë të Skënderbeut në ditët tona?

0
980

Eshtë krejt e natyrshme që kur një amator i historisë, theksojmë amator dhe jo historian i mirëfilltë, ndeshet me ndonjë akt historik jo autentik, të cilin nuk e ka përfillur vargu i historianëve të mëparshëm, ai kujton se ka zbuluar Amerikën. Kjo po ndodh edhe me të ashtuquajturën pemë gjenealogjike të Kastriotëve, të prurë kohët e fundit nga një vizitor italian, dokument të cilin e trajton në një shkrim të veçantë zoti Ilirian Gjika, botuar në “Gazetën Shqiptare”, në suplementin “Milosao”, Tiranë, 10 korrik 2011, ff. 13-15. Meqenëse sipas tij, historianët shqiptarë nuk e njohin gjenealogjinë e botuar në “Milosao”, ai nuk ngurron t’i padisë se kanë rënë në “letargji” apo se “ndodhen diku me pushime”.
Ne nuk e njohim zotin I. Gjika. Deri sot nuk kemi lexuar ndonjë punim të tij mbi Historinë e Shqipërisë dhe ca më pak mbi Skënderbeun. Përderisa ai i dha rëndësi të madhe një “gjenealogjie”, sipas nesh të shpifur, si shumë të tjera, të cilat koha i ka hedhur në kosh, tregon se nuk është historian ose të paktën nuk e njeh historiografinë skënderbegiane.
Shkasin për këtë artikull autori i shkrimit e mori nga vizita që kreu një muaj më parë në Shqipëri, i ftuar nga Instituti Kombëtar i Diasporës, pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, zoti Giorgio Maria Castriota Skanderbeg, përfaqësues, sipas fjalëve të I. Gjikës, i njërës prej dy degëve të familjes Kastrioti që jetojnë sot në Itali. Ai shkruan se, ky “pasardhës” i Heroit tonë Kombëtar, dorëzoi në kalanë e Krujës një dokument të vitit 1910 (vini re: 1910!) i njohur zyrtarisht nga Arkivi Qendror i Shtetit Italian (nga Consulta Araldika) dhe nga qeveria italiane, ku pasqyrohet trungu gjenealogjik i Kastriotëve. Se ç’hyn qeveria italiane në një fushë, e cila i takon zyrës së gjendjes civile, ne nuk e kuptojmë!
Gjenealogjia, njofton ai, fillon me martesën e Gjon Kastriotit me Vojsavën dhe shkon deri tek lindja e Aleksandrit (Alessandros), njërit prej pjesëtarëve më të rinj të familjes Kastrioti, lindur më 6 shkurt të vitit 1992. Autori shkruan se ky dokument deri sot i panjohur paska një vlerë të patjetërsueshme për Historinë Kombëtare në përgjithësi dhe për Historinë e Kastriotëve në veçanti. Përse këtë rëndësi të madhe dhe të patjetërsueshme? Sepse, shkruan ai, e reja e këtij dokumenti është se në këtë gjenealogji zbulohet një e vërtetë e panjohur deri sot: se Skënderbeu dhe Donika nuk kishin, si mendohet deri sot, vetëm një djalë, Gjonin, por edhe një vajzë me emrin Vojsavë. Të rejat që sjell ky dokument, shton ai, janë kaq të rëndësishme sa do të shkaktojnë “ndryshime në rishkrimin e një pjesë të historisë së Kastriotëve”. Përveçse ka patur një vajzë, e reja tjetër qenka se Skënderbeu paska lindur në vitin 1403 dhe jo më 1405, siç e japin, shkruan ai, tekstet “zyrtare”. Kjo, nënvizon ai, është një nga pikat më delikate të kësaj historie. Domethënë, sipas tij, nëse Skënderbeu ka lindur më 1403 dhe jo më 1405 duhet të përmbyset historia.
Risia e dytë që zoti I. Gjika zbulon nga kjo gjenealogji është se në familjen e Heroit sundonte praktika e endogamisë (martesa brenda fisit familjar). Si dëshmi për këtë fenomen ai sjell martesën e vajzës së Skënderbeut, Vojsavës me Stefan Balshë Cërnojeviçin, princ i Malit të Zi, i cili ishte dhe kushëriri i parë i Vojsavës (Stefani ishte, sipas tij, një nga djemtë e Marës, motrës së Skënderbeut, martuar me Jovan Cërnojeviçin, princ i Malit të Zi). Me siguri kemi të bëjmë me një pohim hamendësor, mbasi kronisti i njohur Gjon Muzaka (kushëriri i parë i Donikës), pra njohës i mirë i krushqive, thotë se Mara, motra e Skënderbeut u martua jo me Jovanin, por me Stefan Cërnojeviçin, i cili veç të tjerave, nuk kishte lidhje fare me Balshët. Si rrjedhim, kemi të bëjmë me një hamendësim kaq të dobët sa para se të na flasë për martesën duhet ta bindë lexuesin se Skënderbeu kishte një vajzë. Kjo për arsye se Heroi po të provohet se nuk kishte vajzë, praktika endogame e martesës fluturon në erë.
Pavarësisht nëse Skënderbeu kishte ose jo një vajzë, e cila edhe po të jetë e vërtetë, nuk duket se ka luajtur ndonjë rol të tillë sa të përmbysi historinë e shkruar deri sot, – ajo që na shtyn të trajtojmë këtë çështje është prirja që vihet re herë pas here te disa amatorë të historisë, të cilët kërkojnë të ndërtojnë një histori duke lexuar vetëm një ose në fund të fundit dy shkrime. Është njësoj si ajo zonja e përrallave të dikurshme, e cila kërkonte të bënte byrekë për dasmorë vetëm me pesë gram miell.
Shkrimi i zotit I. Gjika vuan nga një varfëri e theksuar burimesh dokumentare. Duke lexuar shkrimin e tij, gjithkush që e njeh problemin mund të verë re se ai nuk ka fare dijeni mbi vargun e gjatë të gjenealogjive të fantazuara me të cilat është mbushur historiografia skënderbegiane e shekujve të kaluar. Fakti se ai nuk na përmend asnjë burim dokumentar historik, dëshmon se ai është një amator tepër i cekët. Ai nuk e di as që vargu i gjenealogjive të shtrembëruara fillon që në mes të shekullit XVI, kur një drishtian Andrea Engjëll Kmeneni botoi punimin e tij me titull: “Gjenealogjia e perandorëve romakë dhe kostantinopolitanë etj” (Andrea Angelo, Genealogia d’imperatori romani et Costantinopolitani, etj. Romë 1553), në të cilën ai u përpoq ta paraqiste lidhjen farefisnore (një lidhje e trilluar) të familjeve Engjëllore të Drishtit me familjen e Kastriotëve të Heroit. Nuk është aspak për t’u çuditur se në sajë të madhështisë së veprës që kurorëzon emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, qarkullojnë edhe sot pas më tepër se 500 vjetësh njerëz ose familje që pretendojnë se janë pasardhës gjenetikë të Heroit. Pyesim: a është e vërtetë se sot ka pasardhës gjenetikë të Kastriotit të madh? Ta shohim!
* * *
Në lidhje me gjenealogjinë e saktë të Heroit do të përmendim në radhë të parë fisnikun shqiptar bashkëkohës së Skënderbeut, Gjon Muzakën, i cili në Memorandën që ai la të shkruar te një noter napoletan në vitin 1510, kur ishte në pleqëri të thellë, ka ndër të tjera, të dhëna për ne të sigurta, për Skënderbeun. Kalimthi po themi se pohimi i amatorit tonë se Memorandën e Gjon Muzakës e ka zbuluar dhe botuar historiani gjerman C. Hopf, nuk është i vërtetë. Atë e ka zbuluar para Hopfit, historiani italian Ricca, i cili e botoi tetë vjet më parë, në veprën e vet “La nobiltà delle due Sicilie”, pjesa e parë, tomus III, Napoli 1865. Besimi ynë se njoftimet e Memorandës janë përsa i përket Kastriotëve të sakta, mbështetet në dy fakte. E para, se ai qe fisnik shqiptar bashkëkohës i Skënderbeut, dhe, si i tillë, kishte dijeni mbi jetën e fisnikëve të kohës së vet; e dyta, se autori i memorandës, Gjon Muzaka, ishte kushëriri i parë i Donika Kastriotit, bashkëshortes së Skënderbeut. Lidhjen farefisnore me Donikën e pohon vetë kur shkruan se: “Donika ishte bija e Arianit Komninit” dhe se “i sipërthëni zoti Arianiti ishte kunat me babanë tim, sepse pati për grua zonjën Maria Muzakën, motrën e babait tim”. (Il detto Signor Arayniti era cognato a mio padre, perche hebbe per moglie la signora Maria Mosachi, sorella de mio padre). Si rrjedhim, thotë ai, “Andronika ishte kushërira ime e parë dhe kur u martua u quajt Skanderbega, sipas emrit të burrit”. (Andronica era mia sorella consoprina, et hebbe nome poi Scanderbegha per il nome del marito). Sikurse do të shohim, këtë emër të dytë “Skanderbega” ajo e mbajti derisa vdiq edhe kur ishte në mërgim në Spanjë.
Në lidhje me trungun familjar të Skënderbeut, kronisti duke iu drejtuar tre djemve të vet, thotë; “Ta dini se gjyshi i zotit Skënderbe quhej zoti Pal Kastrioti dhe nuk kishte më tepër se dy fshatra të quajtur Sina e Gardhi-i-Poshtëm” (Sappiate com’ l’avo del Signor Scanderbeg se chiamò Signor Paulo Castrioto, e non hebbe piu de due casali nominati Signa e Gardi-ipostesi). Dihet me siguri se fshati Sinë, i cili ekziston edhe sot dhe Gardhi i Poshtëm, pranë Sinës, sot një gërmadhë, ndodhen në mikrokrahinën e Qidhnës, në afërsitë perëndimore të Peshkopisë, në Dibrën e Poshtme.
Të dhënat gjenealogjike nuk shkojnë përtej Pal Kastriotit. Dihet se biri i tij ishte Gjon Kastrioti, i jati i Skënderbeut. Gruaja e Gjonit ishte Vojsava Tripalda, familja e së cilës, sipas Gjon Muzakës, ishte fisnike shqiptare. Një personalitet humanist italian, Raffael Volaterranus, e quan të jatin e Skënderbeut, Gjon Dibra ose Dibrani (Johannes Dibra sive Doberensis). Kjo do të thotë se i jati i Gjonit, Pal Kastrioti, nuk ishte rastësisht Zot i dy fshatrave të Qidhnës së Dibrës. Nga defteri mufassal i rrethit të Dibrës hartuar nga administrata perandorake osmane në vitin 1467, pra kur Skënderbeu ishte ende gjallë, del se ndër pak familje që janë regjistruar në fshatin Sinë, njëra prej tyre kishte për kryefamiljar një farë Dhimitër Kastrioti. Nuk përjashtohet mundësia që ky Dhimitër Kastrioti të ishte farefis me Skënderbeun, posa që mbante atë mbiemër dhe banonte në po atë fshat që kishte patur për zot Pal Kastriotin, gjyshin e Heroit. Por për këtë nuk jemi të sigurtë. Gati 104 vjet më vonë nga regjistri i vitit 1467 kemi një regjistër tjetër të hollësishëm të popullsisë dhe të fshatrave të Dibrës, të hartuar nga administrata osmane në vitin 1571. Në këtë defter, në fshatin pranë, në Qidhnën e Epërme, pra fqinjë me Sinë, janë regjistruar njëri pranë tjetrit emrat e dy kryefamiljarëve homonimë, mbasi që të dy quhen Pal Kastri (Oti). Për më tepër, 31 vjet më vonë na shfaqet një tjetër pinjoll Kastriotas nga Qidhna. Ai ka nënshkruar me dorën e vet Jozef Kastrioti nga Qidhna si përfaqësues i krahinës së Dibrës në kuvendin ndërkrahinor shqiptar, që u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit më 1602. Të gjitha këto tregojnë pa mëdyshje se Kastriotët, pra edhe Skënderbeu, ishin nga krahina e vogël e Qidhnës, një krahinë shpatmali që shtrihet në afërsitë perëndimore të Peshkopisë. Nëqoftëse amatori ynë do të kishte dijeni të këtyre njoftimeve të botuara dhe të ribotuara, nuk do të thoshte atë që ai ka shkruar, se ende nuk dihet prejardhja krahinore e Skënderbeut.
Të kthehemi te Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut. Gjon Kastrioti, biri i Pal Kastriotit, nuk dihet të ketë patur vëlla. M. Barleti thotë se Gjon Kastrioti kishte katër djem dhe pesë vajza. Emrat e katër djemve na i thotë vetë Gjon Kastrioti. Emrat e tyre ai i përmend në një akt noterial të nënshkruar me Manastirin e Hilandarit në vitin 1426: Stanishi, Reposhi, Kostandini dhe Gjergj Kastrioti. Po këto emra i jep edhe Gjon Muzaka me ndryshim të radhës: Reposhi, Stanishi, Kostandini dhe Gjergji. Emrat e vajzave i mësojmë nga Gjon Muzaka. Ato quheshin: Maria, Jella, Angjelina, Vllajka dhe Mamica. Sipas rregullit, fëmijët e vajzave dhe fëmijët e fëmijëve të tyre nuk hyjnë në listën e pasardhësve gjenetikë të Skënderbeut, pasi ata janë pinjollë të baballarëve të tyre. Si rrjedhim, jemi të detyruar të ndjekim vetëm linjën e trashëgimisë gjenetike në vijën mashkullore.
Të fillojmë me djemtë e Gjon Kastriotit. Prej tyre më i madhi Stanishi, sipas M. Barletit, u martua kur shërbente në ushtrinë osmane me një turkeshë, emrin e së cilës nuk e dimë. Ai pati një djalë Hamza Kastriotin, i cili sipas traditës gojore, lindi dhe u rrit kur i ati ishte bërë mysliman. Sipas një njoftimi që kemi nga Papa Piu II, edhe i ati i Skënderbeut, Gjon Kastrioti kur u shpall vasal i sulltanit u kthye për disa kohë mysliman (ka mundësi rreth vitit 1423). Gjithnjë sipas tij, u quajt Hamza. Nëse tregimi i Papës është i saktë, atëherë del se djali i Stanishit lindi në kohën kur Gjoni ishte mysliman, prandaj ai i vuri djalit të vet emrin e gjyshit Hamza. Se çfarë ndodhi me Hamzain më vonë, nëse pati apo jo fëmijë, nuk dihet. Djali i dytë i Gjonit, Reposhi për të cilin Gjon Muzaka thotë se ishte murg manastiri, kurse në varrin e tij pranë Manastirit të Hilandarit ai përmendet si dukë ilir (duc illiricus), pra jo murg, nuk dihet të ketë pasur fëmijë. Djali i tretë Kostandini vdiq, siç thuhet, në moshë të re, pra as ky nuk la trashëgimtarë. Vimë kështu te djali i katërt Gjergj Kastrioti. Gjergj Kastrioti i mbiquajturi Skënderbe, Heroi Kombëtar i shqiptarëve, lindi rreth vitit 1405. Në historiografi ndeshim disa data të ndryshme për vitin e lindjes së Skënderbeut. Dikush njofton vitin 1401, dikush 1403, madje ka supozime se lindi në vitin 1412. Historiografia shqiptare ka pranuar vitin 1405, duke u mbështetur në dy njoftime të sigurta: se Skënderbeu vdiq më 1468 dhe, e dyta, se kur vdiq ishte 63 vjeç. Duket se amatori ynë nuk e njeh këtë problem. Sapo mori vesh se, sipas një gjenealogjie fantaziste, Skënderbeu paska lindur më 1403, mori penën dhe u turr kundër historianëve shqiptarë, duke shpallur se me këtë zbulim do të përmbyset historia.
Skënderbeu u martua më 1451, kur ishte rreth 46 vjeç, me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit, e cila ishte 24 vjeç. Me këtë rast duhet sqaruar se pikëpamja e përhapur, sipas së cilës celebrimi i martesës u krye në kishën e Manastirit të Ardenicës pranë Fierit, vështirë të besohet. Kjo pikëpamje mbështetet në thënien e përhapur nga një murg i Manastirit të Ardenicës në shekullin e kaluar, sipas së cilës Gjergj Arianiti ishte Zot i Himarës. Në të vërtetë, Arianiti ishte zot i Shpatit dhe i Çermenikës. Edhe po të pranojmë se Gjergj Arianiti banonte në Himarë, nuk ka arsye përse celebrimi i martesës së Skënderbeut të bëhej në kishën e Ardenicës. Sipas të drejtës zakonore, celebrimi i martesës zakonisht bëhej në kishën e vendbanimit të dhëndrit. Pra, celebrimi duhet të jetë bërë kryesisht në Krujë, ku kishte një katedrale peshkopale dhe jo në Ardenicë ku kishte një kishë manastirore. Le të vazhdojmë më tej. Gjergj Kastrioti pati nga martesa me Donikën, një djalë, i cili lindi rreth vitit 1454. Djali u pagëzua sipas zakonit me emrin e gjyshit. U quajt Gjon Kastrioti. Njoftimi që ndeshet në biografitë e mëvonshme të Skënderbeut se ai pati edhe një vajzë së cilës i vuri emrin e gjyshes Vojsavë, nuk vërtetohet nga burime dokumentare. Përkundrazi, burimet dokumentare që ne njohim, pohojnë se Skënderbeu kishte vetëm një djalë. Senati i Republikës së Venedikut, sapo mori vesh vdekjen e Skënderbeut, mori vendim më 13 shkurt 1468, me 124 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim, që proveditori Francesk Kapelo të nisej sa më parë për në Lezhë dhe në Durrës për t’u takuar dhe për të qëndruar pranë “të shoqes dhe të birit të të ndjerit zot Skënderbe”. Disa ditë më vonë, më 24 shkurt 1468 mbreti i Napolit, Ferdinandi, ngarkoi ambasadorin e vet Jeronim de Karvinjo, të shkonte në Krujë. Aty t’i deklaronte Donikës dhe birit të Skënderbeut në emër të tij, se e merrte me mend se ç’hidhërim të madh do të kenë ndjerë nga vdekja e Skënderbeut bashkëshortja dhe i biri. Në porosinë drejtuar de Karvinjos, thuhet gjithashtu: “Pra ju, o Jeronim, të shkoni pranë së shoqes dhe të birit të të ndjerit Skënderbe dhe t’i ngushëlloni prej anës sonë”. Pra, sikurse shihet, si nga vendimi i senatit të Republikës së Venedikut, ashtu dhe nga mesazhi i ngushëllimit të mbretit të Napolit, Ferdinand, nuk bëhet fare fjalë për një vajzë të Skënderbeut. Edhe kronisti i përmendur Gjon Muzaka, sikurse do të shihet, nuk thotë gjëkundi që Skënderbeu kishte një vajzë. Më në fund, edhe Marin Barleti, i cili jep plot të dhëna mbi gjendjen familjare të Skënderbeut, nuk zë fare në gojë se Heroi kishte një vajzë. Përfundimisht, sikurse shënon historiani italian i ditëve tona, P. Petta, është krejtësisht i pabazë pretendimi se Skënderbeu kishte bij e bija të tjera. (P. Petta, Despotë të Epirit e Princër të Maqedonisë, përkthyer nga P. Xhufi, Tiranë 2001, ff. 30-31).

 

Nga Kristo Frashëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu