A na kanë thënë të vërtetën për vdekjen e Bin Laden?

0
1064

Osama

Së fundmi po flitet për vdekjen e Osama Bin Laden, duke pretenduar se ka pasur një konspiracion në nivele më të lartë të qeverisë amerikane dhe pakistaneze për vrasjen e tij.

E kam investiguar Al Kaedan dhe Bin Ladenin për BBC për thuajse dy dekada- një përpjekje që më ka dërguar në shpellat e Tora Boras e deri tek shtëpia me mure të larta, ku edhe gjeti fundin e përgjakshëm.

Por a ka ndonjë të vërtetë në teorinë e fundit?

Seymour Hersh, një veteran amerikan i gazetarisë investigative, i ka turpëruar edhe më parë qeveritë amerikane në lidhje me masakrën e My Lai-t në Vietnam dhe abuzimet në burgun Abu Ghraib në Irak.

Ai vendosi të heshtë për disa javë, pasi ishte në qendër të vëmendjes së medias, por pranoi që të flasë me mua në lidhje me artikullin e publikuar në “London Review of Books”.

Hersh pretendon se inteligjenca pakistaneze- ISI- e mbante Bin Laden të burgosur prej gjashtë vitesh në qytetin Abotabad, dhe ua dorëzoi amerikanëve në një operacion të inskenuar.

Sipas Hersh, versioni zyrtar amerikan është thjesht një përrallë.

Michael Morell, zëvendësdrejtor i CIA-s, që udhëhoqi mbledhjen e informacioneve, dhe që ishte në qendrën e operacioneve në CIA natën e aksionit në vitin 2011, më dha po ashtu opinionin e tij për teorinë e zotit Hersh.

“Janë gjëra pa kuptim, plehra, thuajse çdo fjali është e pasaktë”, tha Morell.

Historia e CIA-s flet gjithmonë për një ndërlidhës, një idhtar i Al Kaedas, të cilin e gjurmuan për tetë vite derisa i çoi në shtëpinë e Bin Laden.

Në kohën e vdekjes së tij, zbulova për Panoramën se ISI i kishte dhënë CIA-s një numër telefoni, pa e ditur domethënien e tij, dhe që mbikëqyrja amerikane e atij numri çoi tek korrieri.

Disa analistë të CIA-s dhe zyrtarë të lartë amerikanë kanë dëshmuar për zbulimin dhe gjurmimin e ndërlidhësit.

Megjithatë Hersh e mohon këtë dhe thotë se figura më e rëndësishme ishte një oficer i inteligjencës ushtarake pakistaneze, i dalë në pension.

Ai shkoi në ambasadën amerikane në Islamabad në gusht të vitit 2010 dhe i tha CIA-s se vendi i tij po e fshihte Bin Laden- në këmbim të shpërblimit prej 25 milionë dollarë.

Hersh argumenton se drejtuesit më të lartë të ushtrisë dhe inteligjencës pakistaneze e dinin vendndodhjen e Bin Laden.

CIA e hedh poshtë këtë pikëpamje, duke thënë se zyrtarët e lartë pakistanezë nuk dinin gjë.
Ka megjithatë një shpjegim të mundshëm- historia e turbullt e elementëve mashtrues brenda inteligjencës dhe ushtrisë pakistaneze, të lidhur me militantët islamikë.

“Ata po e fshihnin”

Është e mundur që dikush e dinte ose e ka ndihmuar Bin Ladenin të strehohej. Edhe mua më dukej e pabesueshme që ai të kishte jetuar në Abotabad, nën hundën e elitës ushtarake pakistaneze, pranë akademisë ushtarake të vendit.

Carlotta Gall, që raportonte për NYTimes nga Pakistani, mbështet dëshminë e Hersh. Ajo mësoi nga një burim lokal se ISI kishte një hapësirë pune të veçantë vetëm për Bin Laden, të drejtuar nga një person.
“Ata po e fshihnin dhe po e mbanin pak a shumë në një lloj kujdestarie”, thotë ajo.

Por disa ekspertë të respektuar në fushën e sigurisë e kundërshtojnë këtë dhe theksojnë se nuk është bindëse që nivelet e larta e dinin për Bin Laden.

Problemi me shkrimin e zotit Hersh është se ai bazohet kryesisht në një burim amerikan, një oficer i lartë i inteligjencës amerikane, tashmë në pension, i cili nuk do të identifikohet.

Morell e hedh poshtë këtë, duke thënë se ky person nuk ka qenë kurrë në takimet e tyre- takime shumë të ndryshme nga ato për të cilat flet Hersh.

Por ajo që ndodhi natën kur u vra Bin Laden, sërish lë shumë pikëpyetje.

Ai u qëllua brenda 12 minutave që kur marinsat e SEAL zbarkuan në operacion.

Por një nga helikopterët u rrëzua, ka pasur krisma dhe shkatërrim dyersh dhe disa marinsa të SEAL ishin në terren prej 40 minutash.

Fqinjët alarmuan policinë lokale, por atyre iu tha nga komanda ushtarake që të mos reagonin.

Pra, a është e mundur që amerikanët i lajmëruan pakistanezët në minutat e fundit për një operacion me një objektiv kaq të lartë- pa u thënë se kush, dhe autoritetet lokale bënë një sy qorr?

Disa analistë të sigurisë në Pakistan e favorizojnë këtë teori.

Një nga akuzat më tronditëse të zotit Hersh është se pjesëtarët e Navy SEALS hodhën pjesë të trupit të Bin Laden nga helikopteri. Kjo akuzë nuk bazohet tek biseda direkte me ndonjë prej marinsave, por tek informacionet që kanë depozituar ata.

Howard Wasdin, një ish-SEAL, i njeh burrat që ishin në operacion.

“Hersh po tregohet i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm”, më thotë me zemërim.

“Nuk njoh asnjë marins të SEAL, që i copëton trupin një qenieje njerëzore”.

Po ashtu ka shumë skepticizëm nëse trupi i Bin Laden është varrosur në det.

Michael Morell më tha se ai ka parë fotot dhe video nga varrimi, por nuk iu përgjigj pyetjes sime nëse do e shohim ndonjëherë këtë video, duke theksuar se kjo është një çështje e Shtëpisë së Bardhë.

Michael Scheuer, që drejton “Station Alec”, një njësi speciale e CIA-s, që gjurmonte Bin Ladenin, beson se është një gabim mospublikimi i fotove të trupit të Bil Laden.

“Nuk e di pse nuk e kanë bërë, por fshehtësia ushqen teoritë konspirative”.

Michael Morell spekulon se Hersh mund të ketë shpikur këtë historinë e ISI, për të lehtësuar disi turpin e tyre nga ky operacion amerikan.

Por Morell thotë se ka pjesë të historisë, që bota nuk do i mësojë kurrë.

“100 për qind e historisë që ka dalë në publik, është e vërtetë, por atje nuk ka dalë 100 për qind” e tere ngjarjes, thotë ai.

Historia e Bin Laden nuk mbaron me vdekjen e tij-ajo vazhdon të mahnisë botën.

Sa kohë të ketë pyetje të bezdishme dhe detajet nuk sqarohen, do ketë edhe spekulime për jetën dhe vrasjen e tij.

Nga Jane Corbin, BBC

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu