A po i shërben kombit Rruga e Kombit?

0
979

Kemi rrugën, amá; dhe dënglat patriotike mbi Rrugën e Kombit; dhe baltën e zemërimin që derdhet mbi ata që mendojnë se kombit mund t’i bëhet dëm edhe duke ndërtuar një Rrugë Kombi dhe se kombit mund t’i shërbehet edhe duke ngritur zërin kundër atyre që duan të marrin kredite patriotike e avantazhe elektorale me paratë publike

Ia mban kujt të bëjë ndonjë arsyetim kritik lidhur me atë që quhet Rruga e Kombit? Mund të flisni edhe kundër vetë kombit, por jo kundër Rrugës së Kombit. Bëjeni, po të doni, por aty për aty do të shpalleni armik, tradhtar, renegat etj. Nuk është se nuk ju lejohet të villni vrer kundër Rrugës së Kombit; jo, nuk ju lejohet edhe shumë më pak se sa kaq; nuk ju lejohet të flisni mbi koston stratosferike të këtij investimi, mbi korrupsionin e bërë në dritë të diellit (Berisha, për t’u mbrojtur nga akuzat, gjeti strehë ose te fraza “nuk mund të ngrihet padi kundër një vendimi kolegjial të Këshillit të Ministrave”, ose te fraza tjetër “Mos i kruani brirët me ‘Bechtel’-in”, ose te përmasa patriotike e kësaj rruge), mbi logjikën marroke ekonomike mbi të cilën është ndërmarrë ky investim, mbi borxhin publik që është rritur frikshëm bash për shkak të kësaj vepre, mbi përdorimin elektoral që iu bë këtij investimi me paratë e të gjithëve në funksion të interesave politike të njërës palë, mbi faktin që kjo rrugë është përuruar nja tri herë etj., etj.

Edhe opozita nuk ka folur. E sikur të mos mjaftojë që s’ka folur, spin doctor-ët e mazhorancës kanë mbushur opinionin me fjalë, se gjoja Edi Rama e paska quajtur ‘rruga e turpit’, e jo ‘rruga e kombit’. Dhe Rama, plot skrupuj e drojë, zë e sqaron miletin se nuk e ka thënë këtë gjë, përkundrazi, ai mendon se kjo është e vetmja gjë me vlerë që ka bërë Berisha. Nuk harron të nënvizojë korrupsionin e bërë me paratë e kësaj rruge, por kuptohet se e ka sa për të larë gojën e sa për të marrë ndonjë opozitare. Çfarë mbahet mend është mendimi i tij, se “kjo është një vepër e mirë e Berishës”.

Po mirë, nuk është e vërtetë, që rruga në fjalë ka një vlerë në planin e kompaktësimit nacional? Sigurisht që është e vërtetë; kjo është një gjë që s’mund të vihet në diskutim. Kjo rrugë ka shtuar mundësitë e një komunikimi intensiv mes shqiptarëve në të dyja shtetet. Nuk kemi statistika që tregojnë se sa është shtuar ky komunikim për shkak të rrugës, por nuk do mend që rruga është një mundësi e jashtëzakonshme. Mirëpo kritikat që bëhen janë një argument tjetër, që nuk përplaset fare në asnjë pikë me argumentin e dobisë patriotike. Dhe kush nuk don të pranojë diskutimin mbi atë argumentin tjetër, don të thotë se është me idenë që “s’ka gjë që kanë bërë korrupsion, mjaft që kanë bërë rrugën”. Me njerëz të tillë nuk ia vlen të hysh në diskutime të asnjë lloji; e as të shqetësohesh prej reagimit të tyre nervoz.

Në terma ekonomikë kjo rrugë ka qenë një çmenduri, për të cilën po paguajmë sot e do të paguajnë brezat e ardhshëm. Sikur të mos kish zgjidhje tjetër, do t’ia vlente që brezat e ardhshëm të paguanin për një vepër me interes të qartë nacional për të sotmen e për të nesërmen. Por ka pasur një zgjidhje tjetër. Ajo rrugë mund të bëhej me dy korsi, dhe mund ta kryente mjaft mirë edhe funksionin patriotik (një rrugë e mirë me dy korsi do të përmbushte nevojat e trafikut Shqipëri-Kosovë edhe për nja njëzet vite të plota), edhe funksionin e leverdishmërisë ekonomike.

Lidhur me këtë të fundit, të gjithë janë bindur tanimë se investimi është i natyrës idiotike. Në një artikull të gazetës online “Osservatorio Balcani” jepeshin disa të dhëna, që zyrat shqiptare të Tiranës e të Prishtinës nuk para kanë qejf t’i japin: “Importi që Kosova merr nga Shqipëria është 3% e importit total; eksporti që Kosova bën në Shqipëri është 10% e eksportit total; 40% e mallrave të importuara hyjnë në Kosovë nga Maqedonia, 12% nga Mali i Zi dhe 11% nga Serbia; vetëm 5% e importit kosovar hyn nëpërmjet së ashtuquajturës ‘Rrugë e Kombit’”.

Siç shihet, kjo rrugë jo vetëm nuk është motivuar nga fluksi i shkëmbimeve mes dy botëve shqiptare, por as nuk ka mundur ta inkurajojë këtë fluks. Mos vallë është menduar në plan perspektiv, duke menduar se ndërtimi i pjesës tjetër të autostradës do t’u hapë rrugën serbëve e të tjerëve atyre anëve për të transituar import-eksportet e tyre në Durrës? Nuk ka asnjë gjasë që të ndodhë një gjë e tillë, pasi kjo autostradë që çon në Portin e Durrësit është thjesht një rrugë alternative për të tjerët; këta të fundit e kanë më të lehtë të gjuajnë Portin e Selanikut, pasi porti i Durrësit është i vogël, aspak eficient dhe i mbushur me sedimente rëre. Ah, sikur një pjesë e atyre parave që u hodhën (e u vodhën) në këtë rrugë të ishin harxhuar për të zgjeruar e modernizuar Portin e Durrësit! Kjo po që do sillte zhvillim e që do kombinonte anën patriotike me atë ekonomike të investimit.

Por Berisha nuk ka bërë arsyetime të tilla. Ai ka pasur në mendje veç gjigandomaninë, zhurmën, përurimet, flamujt partiakë që valëviten në fushatë elektorale, emërtimin “Rruga e Kombit”, marrëdhëniet e ngrohta me “Bechtel”-in dhe me klientët politikë të “Bechtel”-it në Washington e gjetkë, fitoren në zgjedhjet e ardhshme, namin si baca i kombit që ndërtoi Rrugën e Kombit, tangjentet që do binin në xhepa ministrash etj., etj., dhe mbi këtë bazë mori vendimin e madh për ta ndërtuar rrugën, në të cilën sot kalojnë vetëm vetura (kush ka udhëtuar në këtë rrugë me siguri nuk ka mundur ta largojë asosacionin ‘anti-patriotik’, se më shumë se një miliard euro janë hedhur në një high-way që rrihet nga jo më shumë se disa qindra vetura në ditë, e që – siç thotë Gjergj Erebara në numrin e djeshëm të “Shqip”-it – “nuk po nxjerr pará as për të garantuar një mirëmbajtje të zakonshme të vetvetes”.

E sikur ato para – po e mbyll duke i zënë besë instinktit e logjikës prej ekonomisti të Gjergj Erebarës – “të mos ishin hedhur [kot më kot] në malet e Mirditës, ne sot do kishim borxhin publik 10% më të ulët, do kishim bankat që do të vijonin me kreditimin e sektorit privat të uritur për kredi, e do kishim vijuar me rritje ekonomike”. Këto mundësi nuk i kemi më. Kemi rrugën, amá; dhe dënglat patriotike mbi Rrugën e Kombit; dhe baltën e zemërimin që derdhet mbi ata që mendojnë se kombit mund t’i bëhet dëm edhe duke ndërtuar një Rrugë Kombi dhe se kombit mund t’i shërbehet edhe duke ngritur zërin kundër atyre që duan të marrin kredite patriotike e avantazhe elektorale me paratë publike.

 

Shkruan: Mustafa Nano

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu