AAK i dorëzohet PDK-së!

0
800

(E plotësuar) Mbështetja e parezervë që drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë duke i dhënë Qeverisë së Kosovës, për analistët politikë është indikacion i mjaftueshëm që kjo parti do të hyjë në koalicion me partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, edhe nëse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk do të jetë kryeministër.

Për këtë sipas tyre, në pyetje është vetëm koha, përkatësisht, nëse kjo do të bëhet gjatë këtij mandati qeverisës, apo pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Ata theksojnë se ndryshimi radikal i qëndrimit të Aleancës nga një parti që ka kritikuar ashpër qeverinë në një parti që e “ledhaton”, është tregues i qartë se anëtarët e Aleancës vetëm sa nuk janë ulur në kolltukët e ministrave.

Dy veprimet e fundit të AAK-së, kur kanë votuar në favor të Qeverisë, përkatësisht kundër mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilin pezullohej përkohësisht privatizimi i PTK-së dhe mbështetja që i kanë dhënë rezolutës së propozuar nga PDK-ja për bisedimet me Serbinë, për analistët politik janë të mjaftueshme se këto dy parti përfundimisht do të hyjnë në koalicion qeverisës.

Ndërkohë, në një intervistë dhënë medieve, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se kjo parti do të jetë në një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, vetëm nëse qeverinë do ta drejtojë i vëllai i tij, Ramush Haradinaj, ndërsa ka mbështetur bisedimet politike me Serbinë. Për më tepër, Haradinaj ka thënë se Aleanca do të pranojë të jetë pjesë e këtij procesi pavarësisht nëse do të jenë ose jo pjesë e qeverisë.

Së fundi, edhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka fajësuar aktivistët e Vetëvendosjes se kanë qenë të dhunshëm me policinë, të cilën e ka mbrojtur, pavarësisht nga sjellja e saj karshi deputetëve dhe qytetarëve.

Por, e gjithë kjo mbështetje për qeverinë, nga analistët politikë shihet si jo e rastësishme.

“Mendoj se Aleanca në fund do të pranojë të hyjë edhe pa Ramushin”, thotë analisti politik Behxhet Shala.

Nga ana tjetër, Shpend Kursani nga KIPRED, thotë se nëse shikohet se si janë përafruar PDK-ja me AAK-në, atëherë e kupton se, siç thotë ai, AAK-ja virtualisht është pjesë e qeverisë.

Edhe ai e ndërlidh qeverinë mes këtyre dy partive me bisedimet e ardhshme, ndërsa ironizon me Aleancën, duke pohuar se ekzistojnë nisma të deputetëve të PDK-së, të cilat nuk përkrahen nga disa deputetë të kësaj partie, por i votojnë ata të AAK-së.

Ata patën pohuar se ndërkombëtarët synojnë ta krijojnë “UÇK-qeverinë”, përkatësisht koalicionin mes partive të dala nga lufta, me qëllim që ekzekutivi i përbërë nga PDK-ja dhe AAK-ja të pranojnë që veriu i Kosovës të marrë status tjetër nga ai që ka Kosova.

Ky pohim i shoqërisë civile ishte kundërshtuar ashpër nga drejtuesit e AAK-së.

Drejtuesit e AAK-së edhe të premten kanë thënë se në asnjë mënyrë nuk do të hyjnë në koalicion me PDK-në, nëse qeveria nuk do të drejtohet nga Haradinaj.

“Zoti Haradinaj kryeministër, është oferta e parë, e vetme dhe alfa e omega e çfarëdo koalicioni të mundshëm. Nuk do të kishte kuptim që AAK-ja të jetë në koalicion pa Haradinajn”, thotë zëdhënësi i Aleancës, Ernest Luma.

I pyetur pse duhet të përkrahet kaq shumë qeveria, nëse hyrja në koalicion nuk është e sigurt, ai ka thënë se organet e partisë kanë vlerësuar se është me rëndësi për vendin që të përkrahet qeveria në disa fusha të caktuara.

PDK s’ka qëndrim

Derisa AAK-ja insiston se kusht i vetëm i tyre është që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, të jetë kryeministër i qeverisë PDK-AAK, vazhdon të mbesë e paqartë nëse kryeministri Thaçi do t’ia lirojë këtë pozitë Aleancës.

I pyetur për këtë çështje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë nëpërmjet mesazhit telefonik se “kur të vijë koha (e koalicionit) do të flasim se kush dhe çfarë pozite do të ketë”.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu