AAK- për bojkot, LDK- president konsensual, Pacolli nuk tërhiqem ?

0
733

AAK- Zhvillimet e fundit në skenën politike kanë bërë Këshillin Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të mblidhet në një takim.

Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, ka bërë të ditur se nuk është diskutuar lidhur me mundësinë e hyrjes në koalicion me PDK-në, ndërsa ka përsëritur se AAK-ja do të bojkotojë seancën për zgjedhjen e presidentit, në rast se Behxhet Pacolli do të jetë sërish kandidat për president.

“Qëndrimi i deritashëm zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është mospjesëmarrja në seancën parlamentare deri në një moment tjetër; derisa zotëri Pacolli do të jetë kandidat për president të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancë”, ka thënë ai.

LDK merr vendim: President konsensual ose nuk mbështesim asnjë kandidat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të jetë rezultat i një marrëveshjeje konsesuale të partive politike, në të kundërtën LDK-ja nuk do të përkrahë zgjedhjen e shefit të shtetit.

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili përbëhet nga 107 anëtarë, është mbledhur të dielën në një takim rreth dy orësh, për të diskutuar situatën e re politike të krijuar pas aktgjykimit të Kushtetueses se zgjedhja e Behgjet Pacollit për president ishte jo kushtetuese.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përsëritur kërkesën e saj për një marrëveshje konsensuale për zgjedhjen e presidentit të vendit, në kohën kur koalicioni qeverisës është lëkundur pas kërcënimit të AKR-së për të shkëputur koalicionin me PDK-në.

I pyetur se a do të përkrahë LDK-ja kandidaturën e Behgjet Pacollit për president, Mustafa ka thënë se gjatë mbledhjes nuk i janë referuar mbështetjes së kandidaturave.

Sa i përket gatishmërisë së LDK-së për të marrë pjesë në rast se mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, Mustafa është shprehur se subjekti politik që ai drejton është i gatshëm për çdo proces politik, ndërsa nuk ka bërë të ditur nëse LDK-ja do të bojkotojë seancën ku do të bëhet zgjedhja e presidentit.

Ndryshe, LDK kishte bojkotuar seancën e Kuvendit më 22 shkurt, në të cilën u bë zgjedhja e Behgjet Pacollit për president.

 

Pacolli nuk tërhiqet

Behgjet Pacolli ka mohuar që kryeministri i vendit, Hashim Thaçi t’i ketë kërkuar që ai të tërhiqet nga kandidatura e sërishme për president të Kosovës.

“Askush nuk ka kërkuar nga unë që të mos kandidohem”, ka thënë të dielën Pacolli për RTK.

Pacolli tha se gjithçka do të qartësohet të hënën, gjatë takimit që do të zhvillohet ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, ku do të bisedohet pikërisht rreth kësaj çështjeje.

Më tej ai tha se nuk ka kurrfarë detyrimi ndaj tij për të dhënë dorëheqje nga posti i presidentit.

“Nuk ka kurrfarë domosdoshmërie për të dhënë zyrtarisht dorëheqjen, meqenëse unë faktikisht e respektova vendimin e gjykatës dhe nuk dukem më në zyrë, ndërsa procesi i zgjedhjeve presidenciale do të fillojë së shpejti nga e para”, tha Behgjet Pacolli.

 

Bajram Rexhepi: T’i japim Pacollit 100 ditë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se Kuvendi i Kosovës, sipas të gjitha gjasave, gjatë javës së ardhshme sërish do të zgjedhë Presidentin.

“Opozita duhet të tregojë konstruktivitet dhe nuk mund të bojkotojë parlamentin, sepse për këtë nuk kanë votuar qytetarët”, ka deklaruar ministri Rexhepi për agjencinë serbe të lajmeve, “Tanjug”.

Ministri Rexhepi, duke dashur të tregojë se nuk është “rendi” për zgjedhje të reja, ka deklaruar se Kosova “është afër katër vjet” larg nga zgjedhjet parlamentare.

Ndryshe, ministri i Brendshëm i Kosovës, Rexhepi, ka thënë se shpreson që “opozita do të ketë më shumë mirëkuptim”, pasi, sipas tij, “nuk është e mirë që çdo muaj të humbin nga 20 milionë euro për zgjedhje”.

Ai tha se Pacollit duhet t’i jepet shansi që të tregohet në 100 ditët e para si dhe deklaroi që nuk është në dijeni nëse do të jetë Pacolli kandidat nga AKR apo do të jetë dikush tjetër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu