Abramopulos-Panariti drekë pune. Zbardhet dialogu

0
752

Greqia presion ministrit të Jashtëm Panariti për të miratuar deri në fund të 2012-ës, Marrëveshjen e Kufijve Detar, midis Shqipërisë dhe Greqisë. Panariti i përgjigjet më zgjidhjen e Çështjes Çame dhe pronat e tyre. Lajmi bëhet i ditur nga mediat dhe portalet greke, ku Ministri i Jashtëm grek Abramopulos i ka kërkuar homologut të tij shqiptar Edmond Panariti gjatë një dreke pune të shtruar për nder të këtij të fundit, mbylljen deri në fund të 2012-ës të Marrëveshjes së përcaktimit të Kufirit Ujor. Takimi i ministrit Panariti ka pasur dy anë të medaljes, atë mediatike dhe zyrtare sipas protokollit dhe deklaratat përkatëse të palëve, si dhe anën tjetër, joformale, atë të drekës së punës shtruar nga Ministri grek Abramopulos posaçërisht për homologun shqiptar Panariti, bëjnë të ditur burime nga mediat dhe agjencitë greke të lajmeve.

Dreka

Sipas mediave greke Ministri i Jashtëm Abramopulos i ka kërkuar homologut të tij Panariti përpilimin dhe nënshkrimin e miratimin në kuvend sa më shpejtë, mundësisht deri në fund të vitit 2012, të marrëveshjes për Kufirin Detar dhe Ujor midis dy vendeve fqinje. Sipas mediave greke, Abramopulos në shkëmbim të marrëveshjes i ka ofruar qeverisë shqiptare Lobimin në Bruksel për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Shprehimisht Ministri i Jashtëm grek ka thënë: “Nëse doni që Greqia të bëhet zëri juaj i parë në Bruksel, për anëtarësimin në BE, duhet që të vendosim sa më shpejt për çështjen e Marrëveshjes së Kufirit Detar”. Deklarata e ministrit Abramopulos vjen menjëherë pas thirrjes që Komisioneri Fyle i ka bërë Greqisë për të mbështetur dhe promovuar hyrjen dhe zgjerimin e Bashkimit Europian me vende fqinje me shtetin Helen. Pas këtyre kërkesave ministri i Jashtëm shqiptar është hedhur menjëherë në sulm duke iu drejtuar homologut grek me fjalët, “dakort zoti Ministër, por edhe shteti grek duhet që të zgjidhë njëherë e përgjithmonë sipas marrëveshjevetë reciprocitetit që dy shtetet kanë, çështjen e pronave çame në Greqi”. Deklaratë kjo e cila është konfirmuar për gazetën “Shekulli” edhe nga zyra e shtypit në Ministrinë e Jashtme. Një tjetër presion që Abramopulos i ka bërë ministrit Panariti ka qenë edhe marrëveshja e sapo nënshkruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga tre shtetet, Itali, Shqipëri, Greqi, për gazsjellësin TAP. Duke i ritheksuar se “është firmosur një memorandum mirëkuptimi, por Greqia do të shikojë me kujdes ofertat që kanë ardhur dhe nga kompani të tjera”.

Deklaratat zyrtare

Ministri grek Abramopulos ka deklaruar në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun Panariti se, “takimi është zhvilluar në një klimë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi, e cila nuk duhet të karakterizohet nga deklarata dhe ëndrra obsesionistësh ekstrememistë, të cilët prodhojnë vazhdimisht stereotipe negative të vjetruara, por të mbështetet në gjithçka që bashkon dy shtetet fqinjë”. Dy ministrat e jashtëm ranë dakord që të zhvillohen dy takime të përhershme në vit midis dy ministrive dhe ministrave përkatës, si dhe të informohen dhe këshillohen menjëherë pas këtyre takimeve dhe dy qeveritë e Kryeministrat respektivë, një herë në vit. Takimet do të kenë në qendër të vëmendjes çështjen e pronave të shqiptarëve në shtetin fqinj Greqinë, patentat, sigurimet shoqërore, çështjet e minoritetit grek. Sipas dy ministrave të jashtëm Abramopulos dhe Panariti, është rënë dakord edhe për këshillimin e ndërlidhur të dy qeverive, greke dhe shqiptare, në bazë të nevojave të çdo ministri apo ministrie. Sa i përket nënshkrimit të Marrëveshjes për përcaktimin e Kufirit Detar dhe Ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë, kreu i diplomacisë shqiptare Panariti ka theksuar se, “shteti shqiptar është i gatshëm të vijojë me arritjen e marrëveshjes për Kufirin Detar dhe Ujor, por kjo duhet bërë sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe se Drejtës Ndërkombëtare”, është shprehur Panariti në prani të mediave greke. Panariti në vijim nënvizoi se, “në axhendën e marrëdhënieve dypalëshe ka edhe çështje, të trashëguara apo të reja, që duhet të futen në rrugën e trajtimit për të gjetur zgjidhje. Këto çështje u ngritën gjatë këtij takimi dhe mund të them se gjetëm mirëkuptim për negocimin e tyre në nivel ekspertësh, në takime të veçanta apo komisione të përbashkëta, sipas vetë çështjeve”.

Grekët kthejnë flamurin kombëtar me kokëposhtë

Provokacion dhe prishje të imazhit kombëtar gjatë konferencës për shtyp të dy ministrave të jashtëm, Abramopulos dhe Panariti. Në momentin e daljes publike për mediat e dy ministrave është vënë re një fenomen skandaloz nga ana e organizatorëve të takimit dhe protokollit të Ministrisë së Jashtme greke. Flamuritkombëtar shqiptar, i cili ndodhet në pjesën e prapme të kryediplo-matit Panariti, i është kthyer me kokë poshtë shqiponja dykrenare. Sipas burimeve të brenda stafit të delegacionit shqiptar, mësohet se as që nuk është vënë re ky skandal dhe nuk është bërë asnjë protestë zyrtare aty për aty nga pala shqiptare. Ky është një tjetër provokacion i radhës nga ana e Athinës zyrtare, por shteti shqiptar nuk bën as reagimin më të vogël për një rast kaq flagrant dhe në prani të stafit diplomatik dhe ministrit të Jashtëm.

Takimi me Papulias Në vijim Panariti është pritur më pas edhe nga Presidenti i Republikës greke Karolos Papulias, i cili është shprehur se, “i konsideroj shumë të rëndësishme marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë, jo vetëm për dy popujt tanë, por edhe në kuadër të gjithë marrëdhënieve me shtetet e Ballkanit. Mendoj se këto marrëdhënie janë drejt një rruge të mbarë pasi ka dhe një vullnet politik pozitiv, dhe të gjithë sëbashku të shohim përpara drejt prosperitetit dhe zhvillimit të dy vendeve. Kjo për të mirën e rajonit të Ballkanit, i çili me problemet që ka i duhet më shumë stabilitet dhe siguri”, nënvizoi Papulias. Nga ana e tij ministri Panariti është shprehur se ka qenë nder për të që takon Presidentin Papulias, një personalitet të shquar dhe mik të popullit shqiptar. “Kjo miqësi, tradicionale, historike e Shqipërisë me Greqinë jam i sigurt se do të konsolidohet edhe me shumë dhe do të njohë hapa më të mëdha në të ardhmen”, ka nënvizuar kryediplomati shqiptar.

 

Nga Plarent Shehu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu