Adem Demaçi dhe kulti i frymës së tij

0
695

Për veprimtarinë jetësore dhe krijuese të Adem Demaçit kanë shkruar edhe bashkëshortët, studiuesit dhe botuesit e shumë veprave shkencore në fushë të albanologjisë, profesorët universitarë Myrvete & Begzad Baliu. Myrvetja, gjithashtu, ishte edhe veprimtare e përkushtuar në Lëvizjes Ilegale për Çlirimin e Kosovës dhe gjatë viteve ’80 u dënua dy herë me disa vjet burg politik. Ajo, bashkë me Have Shalën dhe me shokë të tjerë, ish të burgosur politikë, në Pejë krijuan bërthamën nismëtare të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve për të jetësuar moton emblematike të krijuesit Adem Demaçi: Jo atyne që janë trima / me ngrehë gishtin e krimit / po atyne që janë trima / me shtri dorën e pajtimit. Ajo është edhe autorja e veprës më të plotë studimore për jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës. Që të dy, në këtë tekst, sjellin një shenjë të veçantë të ndikimit të frymës së Adem Demaçit në botën shqiptare.

Në historinë e popullit shqiptar ka shumë personalitete me veprimtari të shumanshme historike, letrare, politike, por jo të gjithë kanë dominuar në radhë të parë me prirjet atdhetare, profesionale e mendore të tyre. Po të shihet me kujdes vetëm historia e gjysmës së dytë të shekullit XX, nuk është vështirë të vërehet se si personalitetet më me ndikim në jetën shqiptare kanë përshtrirë ndikimin e tyre edhe përmes një fushe të dytë a të tretë. Adem Demaçi është njëri prej shembujve të veçantë në këtë periudhë, së paku për tri arsye: e para, ai ishte i burgosur politik në ish-Jugosllavi, por jo disident i formatit të të burgosurve politikë të popujve të tjerë; e dyta, ai ishte veprimtar politik që drejtonte një organizatë ilegale, por përmasa e veprimit të tij në qarqet politike zyrtare dhe në rrethet ilegale të Lëvizjes çlirimtare e reflektonte atë, para se gjithash, simbol të ilegales shqiptare; dhe e treta, ai ishte njeriu kryengritës me prirje të veçanta letrare, që rrezatonte me frymën më shumë se sa me mesazhin.

Në rrethanat e sotme biografia historike e Adem Demaçit shihet në shumë aspekte dhe paradigma e saj shkon nga ideologjia te historia, nga tradicionalja dhe etnografia te prejardhja sociale dhe nga kujtesa historike te synimet e saj. Mendojmë se arsyeja e paraqitjes koherente të frymës së tij në jetën shqiptare, pavarësisht rrethanave të reja të krijuara brenda të njëjtit sistem politik apo në kontekst të ndryshimeve në strategjinë planetare, qëndron te mosprania e dogmatizmit politik dhe ideologjik në sjelljen dhe konceptet e tij, të cilat mund të përvijohen edhe kronologjikisht: e para, ai synimet e tij i mbështeste paraprakisht në shtetin amë, pavarësisht sistemit politik me të cilin udhëhiqej atje, në kohën që shumica e individëve dhe grupeve politike në diasporën shqiptare, veprimtarinë e tyre e lidhnin paraprakisht me luftën kundër sistemit komunist, si sistem planetar; e dyta, në kohën kur marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike ishin në kulm të zhvillimit miqësor, ai nuk përjashtonte ndikimin e Perëndimit në zgjidhjen e çështjes shqiptare, e sidomos të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi; e treta, në kohën kur po përfundonte zhbërja e federatës jugosllave, ai nuk hezitonte të shpallte idenë e një federate ballkanike; dhe e katërta, në kohën kur Kosova ishte çliruar dhe orientimet e zhvillimit të saj politik e ekonomik diheshin, ai e shquante hapur para bashkëkombësve të tij një sistem ekonomik dhe social njëkohësisht, që po i arrinte majat e ndikimit global ekonomik: sistemin ekonomik të kapitalizmit kinez.

Në këtë rrjedhë është për ta diskutuar dhe vlerësuar mënyrën se si u bartë dhe mbijetoi fryma e Adem Demaçit, përkatësisht kulti liridashës dhe kryengritës i tij dekada me radhë, ndonëse Programi i organizatës së tij nuk është ndonjë traktat më i veçantë prej Programeve politike të Organizatave të tjera ilegale të kohës, ndërsa vetë Adem Demaçi nuk ka shkruar ndonjë manifest politik, intelektual apo krijues, i cili do të reflektonte drejtpërdrejt në jetën politike, intelektuale dhe krijuese, çfarë kanë shkruar shumë disidentë apo luftëtarë për çlirimin e kombeve të tyre nga diktaturat politike apo kolonializmi i shekullit XX. E, Adem Demaçit, studentit shembullor të letërsisë botërore, gazetarit të përkushtuar dhe prozatorit ‘të talentuem’ nuk i mungonte talenti për traktate të tilla me karakter filozofik, politik apo edhe letrar.
Adem Demaçi nuk ishte i pranishëm politikisht në zhvillimet e viteve ’50 apo veprimtar në mesin e ndonjë grupi, si ai i grupit të intelektualëve të Prishtinës, që do të dënohet atë kohë, megjithatë dëshmitarët e tij të dënimit të parë deklarojnë se “Demaçi shkruan shumë bukur si shkrimtar dhe përmes veprave të tij alegorike e shpreh atë që mendon dhe në këtë mënyrë ia përcjell ato popullit” dhe se “në mesin e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës konsidero¬het si shkrimtari më i talentuar” (Dosja Demaçi), prandaj duket qartë se fryma e tij, përkatësisht kulti i tij prej shkrimtari dhe madje intelektuali, që herët ishte formuar dhe kishte ndikim të madh në mesin e bashkëkohësve.


Ndonëse, gjatë viteve gjashtëdhjetë po e mbante burgun e dytë dhe nuk ishte i pranishëm drejtpërdrejt në zhvillimet politike, prania e kultit të emrit dhe frymës së tij në rrjedhat e kohës, menjëherë pas rënies së autokracisë pushtetore rankoviqiste, dhe sidomos gjatë demonstratave të vitit 1968, ishte e madhe. Sikur e ka theksuar disa herë edhe vetë ai, Adem Demaçi nuk kishte pasur ndonjë veprimtari të madhe dhe të rëndësishme gjatë fillimit të viteve ’70, por dënohet disa vjet para demonstratave të Pranverës së vitit 1981. E megjithatë ndikimi i tij në zhvillimet politike të kohës bëhet objekt diskutimi edhe në Lëvizjen ilegale edhe në strukturat politike shtetërore të kohës, duke e shquar vazhdimisht atë si faktor dhe bartës të frymës atdhetare.
Ai, në të vërtetë, nuk ia arriti të bëhej bartës i ndonjë partie me ndikim në jetën politike të kohës edhe në vitet ’90, kur sikur shprehej ‘kishte dalë nga burgu personal dhe po jetonte në burgun kolektiv’, por në të njëjtën kohë bëhet bartës i disa projekteve dhe ideve për lëvizjen qytetare, deri te përfaqësuesi legal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mes të Prishtinës. Pavarësisht nga qëndrimet e tij të shfaqura në dukje të parë, prania e frymës së tij rrezaton në të gjitha veprimet dhe vendimet e mëdha, qofshin ato me karakter kombëtar apo ndërkombëtar.
Si të shpjegohet në këtë rast prania e kultit të frymës së tij në të gjitha këto procese gjysmëshekullore. Sigurisht me faktin se në programin e tij politik nuk e përjashtonte asnjë formë të luftës për çlirimin dhe bashkimin kombëtar, e megjithatë në të gjitha kohët ai e dominon atë me humanizmin e pashtershëm.


Me humanizimin e tij ai i sfidoi të gjithë, madje edhe atëherë kur u keqkuptua. Kur të gjithë prisnin prej tij që të paralajmëronte një luftë revolucionare, ai nga burgjet serbe paralajmëronte një mision afatgjatë historik kundër Jugosllavisë së mbështetur nga Lindja dhe Perëndimi. Kur të gjithë prisnin prej tij që të kundërshtonte Jugosllavinë si shtet dhe si përbërje etnike, duke përfaqësuar individin që nuk lufton për demokracinë jugosllave po për lirinë e popullit të vet, ai përfaqëson mendimin e disidencës jugosllave për lirinë dhe çlirimin e të gjithë popujve. Edhe pas rënies së sistemit komunist dhe madje fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur të gjithë prisnin prej tij që të niste në fushatë kundër popullizmit serb, ai i identifikon ata si ‘vëllezër’ të një misioni të përbashkët. Edhe kur Serbia merr shtyrjen e fundit ndërkombëtare, kur prej Demaçit dikush priste hakmarrjen e fundit kundër atij sistemi dhe atij populli që e kishte mbajtur tri dekada në burgje, ai u bë fryma e humanizmit dhe lirisë së Kosovës: përfaqësues i zyrës së UÇK-së, në të cilën bashkoheshin kërkesat e luftëtarëve të lirisë, ndërmjetësuesit e diplomacisë ndërkombëtare dhe madje kërkesat e qytetarëve serbë.


Frymën e tij humaniste prej misionari Adem Demaçi e reflektoi kudo: si veprim të përditshëm në rrugët e Prishtinës (kur të gjithë presin vetëm plumba ushtarësh serbë dhe raketa ushtarake të NATO-s); si shprehje komunikimi (në rrugë, në televizion, para medieve të huaja etj.) dhe si rrezatim vetjak (performancë). A është kjo edhe një prej arsyeve pse kulti i frymës së tij jo vetëm nuk u zbeh, por ishte dhe mbeti i qëndrueshëm gjatë të gjitha dekadave të veprimtarisë së tij.
Do të donim që këtë ndikim të mos e quajmë të rastit, qoftë edhe duke u mbështetur në një të vetmin fakt: në dëshminë gjyqësore të njërit prej shkrimtarëve të viteve ’50, i cili veç të tjerash theksonte se “ai (Demaçi), mendonte që trupi udhëheqës i organizatës duhet të jetë nga shkrimtarët”, e kjo do të thotë nga njëri prej përbërësve esencial, që përgjithësisht e përshkon krijimtarinë letrare e shpirtërore të krijuesit: kulti i mendimit, kulti i mendimtarit, në të vërtetë kulti i frymës.

 

Myrvete Dreshaj-Baliu

Begzad Baliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu