Adem Graboci, PDK-ja dhe e vërteta

0
793

Adem Graboci, miku im i vjetër dhe i ri, në Partinë Demokratike të Kosovës është anëtar i Kryesisë së kësaj partie, ose njëri nga të 27 anëtarët e Kryesisë. Asgjë më shumë. Siç jam edhe unë (posi!). Nga Kryesia e PDK-së u propozua dhe u zgjodh “shef” i grupit të kuvendarëve (deputetëve) të PDK-së. Ky është statusi i tij legal në PDK dhe në organet e saj. Mirëpo, kur dëgjon deklaratat, intervistat dhe paraqitjet e tij publike të krijohet përshtypja se ky është “shef”-“komandant” i përgjithshëm i PDK-së, ose është vetë PDK-ja!! Flet në emër të PDK-së bash sikur PDK-ja të ishte “firmë” e tij private dhe jo parti e anëtarëve të saj dhe parti demokratike me organe të zgjedhura, të cilat kanë mandat ta drejtojnë partinë për katër vjet (midis dy kuvendeve-kongreseve).

Paraqitja, prononcimet dhe deklaratat për çështje të rëndësishme pa u biseduar dhe debatuar, pa pasur qëndrime ose vendime në organet e partisë tregojnë qartë se diçka në këtë subjekt politik nuk po funksionon, nuk po funksionon demokracia e brendshme, nuk po funksionon Partia! Në këtë parti, siç e di mirë Graboci, ka kohë që ka “vdekur” debati dhe kanë “vdekur” organet e Partisë, të cilat kanë marrë fytyrën dhe emrin e mbiemrin e ndokujt, janë personalizuar-privatizuar!

Ka tre vjet që në emër të kësaj partie flasin, debatojnë, deklarohen, prononcohen, japin intervista, vjedhin votën, privatizojnë-trafikojnë pasurinë kombëtare të këtij vendi ata që më së paku kanë mandat (në kuptimin legal) në këtë parti dhe pa miratimin e asnjë organi partiak, sepse organet e Partisë nuk mblidhen dhe as diskutojnë për asgjë nga ato që përditë i dëgjojmë në mediat publike, nga këta përfaqësues të saj legalë dhe ilegalë! Në fund të fundit, përderisa nuk mblidhen organet e Partisë, nuk debatohet, nuk merren qëndrime e vendime dhe nuk miratohen politikat në organet e zgjedhura të Partisë, çdo gjë që thuhet dhe çdo gjë që bëhet në emër të kësaj partie është personale, grupore, private dhe jolegale. Ndoshta miku im, Ademi, debaton me dikë e diku, por në organet e Partisë jo…!!

Me thënë të drejtën, mua nuk më habisin paraqitjet, deklaratat dhe angazhimet e disa “Hugo Çavezëve” në emër të Partisë. Këta përbëjnë atë kategorinë e prurjeve në Parti, atë grupin e të rinjve në dukje, por të ideve dhe botëkuptimeve të vjetra, me bindje dhe ideologji “çavezjane” (titiste), të cilët në PDK erdhën dhe vërshuan vetëm për ta ndarë kulaçin e fituar me shumë përpjekje dhe me shumë mund nga qindra e mijëra veprimtarë dhe anëtarë të PDK-së dhe falë zgjedhësve tanë të njohur për një besnikëri të pashoqe ndaj vlerave dhe politikave kombëtare, demokratike dhe ekonomike të PDK-së.

Nuk më habisin ata që shkojnë përtej Hugo Çavezit, duke u angazhuar për kultin e individit mu si në kohën e Titos, për “zgjedhje” pa kundërkandidat!! Në fund të fundit kulti i individit në sistemet dhe shtetet njëpartiake-moniste ndoshta është i pashmangshëm (prodhim i asaj mendësie dhe atij sistemi), por të kërkosh, të angazhohesh dhe të propagandosh kultin e individit në një sistem me demokraci shumëpartiake-pluraliste është ultra e dëmshme dhe ultrakërcënuese dhe rrënuese për një demokraci dhe për një shoqëri si kjo jona.

Habitem dhe më vjen keq për ndonjërin si Adem Graboci, i cili nëse nuk e ka përfunduar SHKOLLËN demokratike të LPK-së, ku debati ka qenë rruga kohezive dhe organizative për të arritur në çdo vendim, të paktën ka bërë disa vite në atë SHKOLLË, e cila edhe sot mbetet e pakapërcyeshme për këto partitë “demokratike” të Kosovës, të cilat po bëhen parti kryetarësh dhe kryetarët po bëhen vetë partia (kryetari-udhëheqësi është partia dhe partia është kryetari!)!! Shoku dhe miku im, Adem Graboci, ka qenë për disa vite kryetar i Nëndegës së LPK-së në Zvicër.

Nuk besoj t’i ketë harruar kaq shpejt mësimet dhe përvojat e asaj SHKOLLE vërtet demokratike. SHKOLLË për të cilën ka nevojë më shumë se kurrë partia ku jemi unë e Ademi dhe shoqëria jonë. Apo, me sa duket, mikun tim e ka lënë kujtesa qysh se e morën para vetes ata që bënë rrush e kumbulla pasuritë e Kosovës, duke privatizuar-trafikuar dhe kontrabanduar çdo gjë që mund të trafikohej e kontrabandohej në këtë vend! Nuk është e rastit, miku im Adem, që ata që ishin në krye apo pjesë organike e këtij procesi u bënë ministra, ambasadorë… Ka edhe të tillë që rrinë nën hije dhe presin ditën e tyre…

Në PDK, thotë për media miku im, Adem Graboci, debatohet për çdo problem, derisa ka paralajmëruar se nuk do të ketë më anëtarë të privilegjuar…! Në vazhdim, miku im, duke i dhënë VULËN e madhe, vulën e njeriut që vulos fatin e Partisë dhe fatet e njerëzve(!?), thotë se “koha kur janë privilegjuar persona të caktuar në Parti ka përfunduar”! E kush është më i privilegjuar se Adem Graboci dhe shokët e tij në këtë Parti?! Në vazhdim, Adem Graboci “vërteton” se në PDK ka pasur debat!? Përgjigjja jonë (kush jeni ju e kush janë të tjerët?), thotë Ademi, është dhënë atë ditë në Kuvendin e Kosovës, jo vetëm për individë të caktuar, por në tërësi për bllokun që është me konceptin e vjetër!

Nuk kam çare miku im Adem pa të thënë ty dhe atyre që ta kanë dhënë këtë “superpushtet” mbi Partinë se, unë, Xhevat Bislimi, do ta shfrytëzoj të drejtën time edhe si qytetar edhe si anëtar i Kryesisë së PDK-së dhe si njëri nga themeluesit e saj, që ta them hapur: Nëse me koncept të “ri” kuptohet mohimi, dhunimi, mbytja dhe persekutimi i së drejtës së mendimit, fjalës dhe votës së lirë (e kemi fituar me shumë vite burg, sakrifica e luftë) në Parti dhe kudo tjetër, nëse me koncept të ri kupton mohimin, nëpërkëmbjen, shkeljen dhe dhunimin e lirive dhe të drejtave politike, demokratike, ekonomike dhe kombëtare, nëse me koncept të ri kupton trafikimin dhe kontrabandimin (në vend të privatizimit për interesa publike dhe shtetërore) e pasurive të këtij vendi nga mafia vendore dhe “ndërkombëtare”, nëse me koncept të ri kupton ose kuptoni ngufatjen, mbytjen, dhunimin dhe suspendimin e organeve dhe të demokracisë në Parti, nëse me koncept të ri kupton-i krijimin e kultit të individit, autokracinë dhe diktatin në Parti e shoqëri, nëse me koncept të ri kupton-i fushatën kundër drejtuesve, figurave kryesore në qendër dhe nëpër degë, nga njëra anë, dhe vrapimin pas “figurave” të tredhura të LDK-së, partive tjera dhe disa “spinuçiqave” e bashkëpunëtorëve të pushtuesve, uzurpatorëve dhe profiterëve (duke i joshur me poste të larta), nga ana tjetër, dhe nëse me konceptin e ri kupton-i fushatën për denigrimin e figurave kryesore të Partisë për t’i sjellë në Parti ca të tjerë (siç keni vepruar me Kuvendin-Parlamentin) që nuk ishin kurrë të organizuar në Parti, e, të cilët (disa prej tyre) me dëshirë do t’i sistemoja (po të ishte në dorën time) në segmente të rëndësisë së veçantë për shtetin, por kurrë në Parlament e Parti, unë, Xhevat Bislimi, me dëshirë, me kurajë, me forcë e guxim dhe me krejt qenien time do ta kundërshtoj këtë frymë shkatërruese për partinë dhe shoqërinë tonë ose, këtë koncept “të ri”, siç keni paturpësinë ta quani dhe ta lidhni me interesa të ngushta të profiterëve ordinerë!… Unë, miku im Adem kurrë nuk do të jem me ata që projektojnë, përpiqen dhe angazhohen për krijimin e blloqeve në Parti, kurrë me ata që do të lëshonin pe qoftë edhe një milimetër (sepse nuk kanë lënë vend më) përtej planit, edhe ashtu tepër të dëmshëm, të Atisarit.

Po të ishte në dorën time, me atë koncept të “ri” nuk do të të linja as ty miku im Adem dhe asnjërin nga ata që kanë bërë shumë vite burg, veprimtari, angazhim, përkushtim dhe luftë kundër konceptit që po shpalos përditë ti Adem Graboci dhe ata që kanë përqafuar këtë koncept të “ri”, i “ri” për ty dhe “dashamirët” tu, por i vjetër sa vetë ideologjitë dhe shtetet autoritare…

Prandaj, miku im, Adem Graboci, mblidhe veten, përmbaju dhe dëshmo se ke kaluar nëpër një SHKOLLË të madhe demokratike, mos e ngushto mendjen dhe zemrën tënde vetëm në shërbim të interesave ditore. Jepi ndihmesën dhe përvojën tënde të çmuar për fuqizimin e Partisë Demokratike të Kosovës, për demokratizimin e vazhdueshëm të saj, sepse demokracia ndjehet e kërcënuar shpeshherë edhe në vende me traditë shekullore e jo më te ne.

Unë dhe ti, të gjithë ne kemi themeluar këtë Parti dhe jemi në të për vlerat e saj demokratike, politike, qytetëruese, kombëtare dhe ekonomike. Ky është misioni ynë, kjo është detyra jonë, ky ishte vullneti qytetar, kjo ishte dhe mbetet aspiratë legjitime e popullit tonë tani të lirë, por që me luftë, gjak e sakrificë, erdhi në ditën e sotme të lirisë, duke kapërcyer nga e kaluara tragjike në liri dhe demokraci, të cilën nuk ia falëm as unë as ti, por e fituam të gjithë bashkërisht!

 

Nga Xhevat Bislimi

(Autori është anëtar i Kryesisë së PDK-së)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu