Adresimi i gabuar i tjetërsimit

0
427

(Reagim ndaj disa dimensioneve të shkrimit “A po asimilohet populli shumicë në Kosovë?”, të autorit Leon Duhanaj, publikuar javë më parë në disa portale elektronike)

 

Kosova gjatë periudhës së pasluftës u përshkua me procese politike, trende kulturore, por edhe me realitete ekonomike e sociale kryesisht të papritura dhe të paparashikuara nga shumica e qytetarëve. Pritjet ishin për më shumë. Idealizmi nacional, vlerat, rimëkëmbja ekonomike si dhe fuqia dhe rëndësia politike e Kosovës u paramenduan të jenë më të theksuara, ndërkohë që doli ndryshe. Një e vërtetë është që Kosova në këtë kohë mori një rrugë të projektimit të shtetësisë (multietniciteti, simbolet, himni, etj.) më ndryshe seç pritej, dhe të instalimit në politikëbërje të formateve multinacionale, me gjasë të projektuara jashtë, dhe jo rastësisht në këtë kohë na shfaqet edhe ideja e kombit të paqenë kosovar. Realiteti kompleks, mbi të gjitha politik, në Kosovë, i modelit të neutralizimit të identitetit nacional shqiptar, mund të shpjegohet nga disa perspektiva. Për disa kjo qe rruga e vetme për ta zënë hapin e vonuar drejt BE-së dhe kombeve të modernizuara. Për disa të tjerë kjo qe as më shumë e as më pak se një projekt antishqiptar, që ka për synim zhbërjen identitare dhe kulturore të etnosit shqiptar në Kosovë, dhe rrjedhimisht është e pafalshme. Cila do nga këto interpretime të ketë arsye, prapëseprapë gjetja e arsyeve nuk e zhbëri realitetin e krijuar jashtë perceptimit etno-nacional të shumicës shqiptare që Kosova të merr trajtën e një shteti multietnik. Shembujt nga historia e sh(për)faqjes së nacionalizmit përbëjnë një realitet kompleks. Në botë pati kryesisht dy modele të projektimit dhe manifestimit nacional, shtetëror dhe politik. E para ka të bëjë me idenë e kombit etnik që mbështetet në etnicitet, prejardhje, racë, kulturë, gjuhë ose fe të përbashkët të njerëzve që jetojnë brenda një territori duke formuar kështu shtet-kombin e bazuar në origjinën kolektive (shembulli i Gjermanisë). Tjetri ka të bëjë me idenë e kombit qytetar që mbështetet në perceptimin kolektivizmit të tyre si fat të përbashkët për të jetuar brenda atij territori, pavarësisht origjinës, racës, etnicitetit, është gjithëpërfshirje në identitetin qytetar e të gjithë njerëzve dhe grupeve etnike që jetojnë brenda tij (p.sh. modeli i Francës dhe Italisë), për të cilët vlen barabartë nënshtrueshmëria ndaj ligjit brenda atij territori. Implikime të kësaj mendësie mes njërit dhe tjetrit format shtetformues dhe “kombformues” pati edhe në rastin e Kosovës, “rast” dhe proces ky që pa mëdyshje qe edhe pjesë e agjendës ndërkombëtare-perëndimore ndaj saj, rrjedhimisht u mundësua modeli aktual. Por ç’e do që interpretimi i realitetit politik multietnik kosovar nganjëherë provohet të bëhet edhe në logjikën e paragjykimit, dezinformimit dhe subjektivizmit.

Njëra nga “ndodhitë” që ndezi përplasje debatuese dhe mediatike në Kosovë, në rrafshin e kësaj politike denacionaliste, ishte edhe ndryshimi i Emblemës së Komunës së Prizrenit, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kjo, nga Leon Duhanaj në shkrimin “A po asimilohet populli shumicë në Kosovë?”, shpjegohet kështu: “E gjithë kjo është si rrjedhojë e vullnetit të një komuniteti pakicë, e i cili është fajtori kryesorë që ne si komb gjendemi në mjegull të pafundme, në një gjumë shekullor, e që më këtë rast edhe njëherë e konfirmon armiqësinë që kanë ndaj nesh si komb, e, për të cilën flet qartë ky rast.”

Nga referimi në fjalë dalin së paku dy kundërthënie: a) Kërkesa për rishqyrtimin e Emblemës së Lidhjes së Prizrenit që është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nuk është bërë nga “një komunitet pakicë”, por nga dy komunitetete pakicë, ai turk dhe ai boshnjak; b) Kërkesa e inicuesve të procesit në fjalë, doli që nuk ka pasur fare të bëjë me ndryshimin e figurës së Emblemës së Lidhjes së Prizrenit, por vetëm me respektimin e shumëgjuhësisë, duke i shtuar Emblemës ekzistuese emrin e komunës në turiqsht dhe boshnjakisht. Qëndrimi i tyre erdhi pas një fushate kundërshtimesh, më shumë mediatike, ndaj tyre, ndërkohë që ata sqaruan: “…kërkesa jonë bazohet në faktin se brenda emblemës komunale duhet të qëndrojë Lidhja e Prizrenit, dhe në rreth të shkruhet komuna edhe në gjuhët turke dhe boshnjake. Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër zgjidhjes që në emblemë të jetë i pranishëm simboli i Lidhjes së Prizrenit. Duhet ta sqarojmë njëherë e përgjithmonë: Ne nuk jemi kundër Lidhjes së Prizrenit!”. Në realitet, në bazë të të dhënave historike, del që Lidhja e Prizrenit nuk ishte kundërshtim ndaj Perandorisë Osmane, përkundrazi ishte mobilizim për kundërshti ndaj aneksimit të tokave brenda Perandorisë Osmane, konkretisht Kosovës. Në këtë mënyrë, në bazë të nënshkrimeve në dokumentet e Lidhjes së Prizrenit, pjesëmarrës në të, përveç shumicës shqiptare ishin edhe përfaqësues nga komunitetet pakicë, turq dhe boshnjakë. Prandaj ekziston një arsye qenësore që ata të mos e kundërshtojnë Emblemën. Jo rastësisht, përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Prizren që e iniciuan këtë proces në Gjykatën Kushtetuese u shprehën se “…komunitetet joshumicë e ndjejnë rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike dhe janë të vetëdijshëm se në mesin e pjesëmarrësve ka pasur edhe përfaqësues të boshnjakëve dhe etnive të tjera.” Atëherë kush e ndryshoi dhe pse u ndryshua embelma? Komunitetet që kërkuan dygjuhësi-plus në atë emblemë, konform ligjit apo një “dorë” e mistershme? Qëndrimi jorealist nga autori vazhdon më tutje: “…një komuniteti pakicë, e i cili është fajtori kryesorë që ne si komb gjendemi në mjegull të pafundme, në një gjumë shekullor, e që më këtë rast edhe njëherë e konfirmon armiqësinë që kanë ndaj nesh si komb, e, për të cilën flet qartë ky rast.” Nga sa pamë kjo nuk qe rrjedhojë e asnjërit komunitet, ngase kërkesa ishte ndryshe, dhe me që kërkesa e tillë u iniciua nga dy komunitete, atëherë cili komunitet qenka fajtor për “mjegullën tonë të pafundme” dhe “gjumin shekullor”? Paragjykimi për “fajin historik” bën që misterin e vendimit për ndryshimin e emblemës ta kërkojmë në adresë të gabueshme, duke iu shmangur edhe dyshimeve për kamuflime të qëllimshme politike. Nëse kërkesa për Emblemën ka pasur të bëjë vetëm me respektimin e një dygjuhësie-plus, atëherë kjo ka qenë kërkesë konform kushtetutës sonë, që krahas gjuhës shqipe dhe angleze, ajo të përfaqësojë edhe komunitetet pakicë, e në këtë mënyrë “faji” nuk është te inicuesit nga minoritetet, por “faji” është te infrastruktura juridike që mundëson, ligjëson dhe legjitimon kërkesën e tyre. Shfaqet e çuditshme pse tërë elaborimi i këtij autori i referohet kundërshtisë ndaj turqve dhe Turqisë, por jo edhe ndaj “shenjtërimit” të pakicës serbe me gjithë “kulturën”, “trashëgiminë” dhe “të drejtat” e mitizuara të tyre, çka shpërfaq orientimin dogmatik të autorit ndaj një etniteti. Referimi i mëtejmë i artikullit polemizues është ky:  “A nuk është kjo një ironi e llojit të vetë se ky komb i ashtuquajtur “mik e vëlla”, i cili, na robëroj dhe na shkatërroj për shekuj të tërë, të veproj ta fshijë edhe historinë e këtij vendi dhe njerëzve që rezistuan me shekuj…”. Nëse bashkëjetesa, kultura dhe dija që i ngriti shqiptarët brenda një qytetërimi llogaritet si shkatërrim, atëherë do të duhej që gjenocidin serb ta quajmë paqe. Në kohën e Perandorisë Osmane, shqiptarët u shkolluan në qendrën e Perandorisë, privilegj të cilin shqiptarët e gëzuan më shumë se kushdo tjetër, në saje të të cilit i njohu mbarë bota. Emrat e shqiptarëve të mëdhenj në veprat e artit, arkitekturës, letërsisë, në të gjitha shkencat tjera dhe në udhëheqje përjetojnë lulëzim pikërësht në periudhën osmane. Opusin e vlerave që buroi nga qytetërimi i kohës së tyre ata e patën të inkorporuar në tërë vizionin e tyre jetësor, kombëtar, letrar dhe artistik. Botëkuptimi i autorit i përket një interpretimi të tejkaluar të realitetit historik që nuk ka bazë historiografike, por vetëm prapavijë dogmatike. Prandaj dalja jashtë kësaj linje të interepretimit ekskluzivisht “të zi” e dogmatik të historisë në sytë e dikujt mund të tingëllojë si e papranueshme. Ndërsa burimet e literaturës, veçmas dokumentet arkivore sigurojnë një mbështetje historiografike për jetën, rendin, bashkëjetesën, dijen, arsimin, kulturën dhe aspekte tjera qytetërimore që u jetësuan tek popujt që gjendeshin brenda Perandorisë Osmane e me theks të veçantë nga shqiptarët. Model i vetërealizimit qytetërimor, shkollar, vleror dhe nacional në vatrën e Perandorisë Osmane është Sami Frashëri, emri të cilit admirohet dhe përmendet me pietet si një personalitet me sens enciklopedik. Shembuj të tillë, nga Samiu, Naimi, Pashko Vasa e Ismail Qemajli dhe shumë mendimtarë e rilindës të tjerë është e mbushur përplot e kaluara. Ata u shkolluan, kontribuuan dhe qenë pjesë e modelit qytetërimor osman, duke afirmuar kujdesshëm, me vëmendje e përkushtim indentitetin nacional shqiptar.

Meqenëse urrejtjet nacionaliste janë të destinuara të “trashëgohen” ndër breza dhe të nguliten në etno-psikologjinë nacionaliste, po të kishte “luftë pesëqindvjeçare” mes shqiptarëve dhe turqve, kjo do të pamundësonte gjithmonë ndërlidhjen, integrimin dhe jetën paqësore të dy popujve në periudhat e mëpastajme si p.sh. të sa e sa shqiptarëve në Turqi edhe sot e kësaj dite, ndërsa realiteti flet edhe për një tejintegrim. Po ashtu trashëgimi i asaj “urrejtjeje” do të pamundësonte të shfaqej një gatishmëri e flaktë e shtetit turk për të qenë pranë Kosovës dhe Shqipërisë, me nisma, përkrahje dhe bashkëpunime të nivelit të lartë në planin e zhvillimit ekonomik e të jetë modeli më i shkëlqyeshëm i miqësisë. Po ashtu roli dhe gatishmëria e Turqisë ndaj shqiptarëve u tregua edhe më 1997 kur ishte pikërisht shteti turk ai që i doli në ballë rrezikut grek ndaj Shqipërisë. Roli i saj në intervenimin e trupave të NATO-s në Kosovë, po ashtu është për t’u vlerësuar, e deri te njohja e Kosovës si shtet, ndër vendet e para menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë.

Logjika që nënvlerëson harmoninë dhe pluralizmin në kohën e Perandorisë Osmane, mund të mos e pëlqejë modelin qytetërimor të saj për arsye botëkuptimore por jo të mohojë ekzistencën burimore të artit, poezisë, kulturës, arsimit, administratës dhe infrastrukturës e edhe të afirmimit nacional shqiptar. Çështja është të mos krijohen modele të panevojshme të mitizimit nacionalist antiosman me prapavijë botëkuptimore të manipulimit historiografik. Modeli i afirmimit shqiptar s’ka nevojë të jetë rrjedhojë e dogmatiz(i)mit antiosman, ngase po të ishte ashtu s’do të kishim në letërsinë tonë një krijimtari të bujshme letrare që përshkruhet si letërsi e bejtexhinjve, me filozofi, botëkuptim, ndërtim dhe estetikë të veçantë, as krijimtari në fusha tjera të dijes dhe shkolla e institucione arsimore dhe kulturore të themeluara nga mendimtarë e rilindas, personalitete të larta shqiptare që ditën të jenë aktivë në linjën kohore dhe qytetërimore si në rrafshin nacional ashtu edhe në atë tejnacional që sot e kësaj dite shërbejnë si model progresi për neve, shqiptarëve. Prandaj, adresën e tjetërsimit duhet kërkuar, gjetur dhe shpjeguar në kuadër të fakteve të mirëqena dhe kornizave të arsyeshme analitike, sociologjike, historike dhe politike.

Blerim Halili

(Student i shkallës master, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Sociologjisë)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu