Afrimi i Kosovës me BE-në, me fusnotë

0
844

Prishtinë, 26 shtator – Procesi i afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian do të jetë i mundur me fusnotë, meqë, sipas ekspertëve në Bruksel, një paraqitje e tillë e vendit nuk është si e një shteti të pavarur. Kështu konkludon një dokument-analizë e ekspertëve ligjorë të Këshillit Evropian, një kopje të të cilit e ka siguruar edhe “Koha Ditore”.

Këshilli Evropian po e shqyrton mundësinë që pas studimit të fizibilitetit Kosovës t`i mundësojë nisjen e negociatave për stabilizim-asociim, si dhe futjen e Kosovës edhe në disa programe të tjera, nga të cilat përfitojnë shtetet që janë kandidate potenciale. Por Kosova, e prezantuar si “Kosovo*”, nuk do të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian si shtet, meqë pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008.

“Koha Ditore” ka arritur që të sigurojë analizën që Zyra Legale e Këshillit Evropian ka përgatitur për 27 vendet anëtare të BE-së, në të cilën shpjegohet se çdo nënshkrim i BE-së me Kosovën që prezantohet me fusnotë sipas konkluzës së arritur në dialogun teknik me Serbinë nuk paraqet njohje të shtetit të Kosovës e as njohje nga shtetet veç e veç, nëse nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Sipas këtij opinioni ligjor të ekspertëve të BE-së, edhe nëse nisin negociatat për stabilizim-asociim me Kosovën, duke mos paragjykuar kështu nisjen e tyre dhe as nënshkrimin, shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën nuk kanë nevojë të shqetësohen, sepse dhënia e një pëlqimi të tillë nga Këshilli Evropian nuk nënkupton njohje të pavarësisë së Kosovës.

Në pikat kufitare më Serbinë me simbole të BE-së

Nga ana tjeter Ministri i Punëve të Brendshëm, Bajram Rexhepi tha sot se në pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të vendosen simbolet shtetërore të asnjërit shtet, por vetëm ato të Bashkimit Evropian.

Kjo ka ardhur si pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve midis dy vendeve, nën mbikëqyrjen e BE-së, tha Rexhepi në një intervistë për RTK-në.

“Në protokoll është parapa që aty të ketë vetëm simbole të BE-së. Ndërsa në ato pjesët klasike që i kemi, secili mundet në territorin e vet ti vendosë simbolet e veta. Por në objektin e përbashkët si është konceptuar në të ardhmen do të jenë vetëm simbolet e BE-së”, theksoi Rexhepi.

Ministri Rexhepi tha se njëra ndër kushtet kryesore për liberalizim të vizave është menaxhimit i Integruar i Kufijve. Ndërsa duke folur rreth zbatimi të kësaj marrëveshje në veri të Kosovës, ai tha se kjo nuk duhet parë si dështim të institucioneve kosovare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu