Agimi dhe Bruno janë gjallë, I nderuari Ibrahim Çavolli

0
782

Më 26 janar të këtij viti, në Curih , me rastin e përurimit të librit të Agim Sylejmanit  “REXHEP MALAJ zjarr lufte që nuk shuhet” u takova me shumë bashatdhetarë, ndër ´ta edhe me veprimtarin e njohur Osman Osmanin i cili më njoftoi se në librin e Ibrahim Çavollit, shkrimtarit, gazetarit dhe ish-diplomatit shqiptar, “Jam kosovar…! (2)”, botuar në Ndërrmarrjen Botuese, “Gjon Buzuku” në Prishtinë, më 2008, autori, shkruante edhe për mua.

Osmani më dërgoi librin pas dy-tre ditësh për çka e falënderoj dhe dua t´i jem  mirënjohës edhe publikisht.

Në faqet  224 – 227 të librit  me nëntitullin “TUNGJATJETA BRUNO”, ku autori, pa na njohur fare, mua e as mikun tim francez, shkruan për ne me respekt të lartë…

Më 4 shkurt 2014, që ishte në përputhje me ditëlindjen e tij të 86 të, i telefonova Bacës Ibrahim, duke e njoftuar se, telefonuesi është “Agimi”, shoku i francezit Bruno…

U gëzua shumë dhe nga ngazëllimi dëgjohej zëri i tij ëmbël: Miku im i dashur Ramadan, sot e kam ditëlindjen dhe telefonata jote, është urimi më i çmuar që po e marr sot!…

Në marrëveshje me autorin, po e publikojmë shkrimin në fjalë:

TUNGJATJETA BRUNO!

Tefik Straja më pat dhënë një letër, të cilën, e kishte gjetur, siç më tha, në shtëpinë e vet që ishte bërë strehë për shumë kosovarë, të ikur nga dhuna e egër e armikut në Kosovë ose që shkonin e vinin për veprimtari ilegale, në dobi të çështjes së lirisë. Letra qe shkruar frengjisht dhe mbante datën 7.11.1979. Ishim në verën e vitit 1982.

–       Kush ta dha, – e pyeta.

–       Nuk e di…Ka kohë që e mbaj…Dikush e ka harrue…e ndoshta ty të hyn në punë. Më duket se mund ta ketë lanë Ramadan Shala.

E lexova me vëmendja dhe u preka shumë. Ajo i drejtohej një miku francez dhe i lutej që ai të interesohej për të ndihmuar shokët që dergjeshin burgjeve dhe vuanin të zitë e ullirit.

Ka të ngjarë që ajo të ishte kopje e letrës së nisur në adresen e duhur, pasi ishte daktilografuar ose rishkruar dhe ndofta, ishte lënë pastaj, në shtëpinë e Tefikut, për të mos iu gjendur autorit në xhep, në rast të ndonjë kontrolli të mundshëm, gjatë udhëtimit të kthimit në vendlindje. Ishin kohë të vështira dhe punë me zarar.

Letrën e shkruante Agimi. Vetëm kaq. Emër i vërtetë apo pseudonim? Kush fshihej pas tij? Në fund të fundit, atëherë, kjo nuk kishte shumë rëndësi. Çfarëdo emri që të ketë, ai, qe një luftëtar, një njeri i devotshëm që nuk shikonte vetëm punën e vet po mundohej e shqetësohej për hallet e shokëve të mbyllur në qelitë e errëta e sidomos, për mjerimin e madh të Kosovës së shumëvuajtur.

Letra i drejtohej Brunos, diku në Francën e largët. Pseudonim apo emër i vërtetë? Edhe kjo nuk dihet. Adresë nuk ka. Kush është ky francez? Ndofta kurrë nuk do të merret vesh emri i vërtetë i tij. Ku i dihet fatit të luftëtarëve të lirisë? Fakt është se edhe ai, si Agimi, i ishte kushtuar çështjes sonë, lirisë së Kosovës.

E përfytyroj të ri e të pashëm. Të pastër e të çiltër. Mbi të gjitha, trim e të sakrifices. Ai është i lire. Ndofta nuk i mungon asgjë në jetë. Fare mire mund të merrej me punët e veta. Të argëtohej e të kënaqej me ato që i kishte “hoby”, të bridhte i gëzuar brigjeve të Senës, të shëtiste i qetë në Shanzelize, apo në Jardin du Luxemburg, të sodiste kryeveprat e Luvrit etj. Por jo! Që nga Franca e largët dhe e bukur, ai shqetësohej e vuante, së bashku me ne, mendonte e përpiqej të ndryshojë fatin tone të zi, bënte çmos që të fitojmë edhe ne ato të drejta që gëzojnë njerëzit në botën e gjërë të pane. Kjo do të thotë se ishte një mik, një vëlla, një njeri me zemër të madhe si vetë mirësia.

Kam dëshirë të madhe ta njoh. Do të doja ta përqafoj fort, me dashuri e mirënjohje. Në pamundësi po i bëj vetëm një përshëndetje e një urim, shqiptarçe: TUNGJATJETA BRUNO!

Autori i letrës, Agimi, ndër të tjera i kërkon atij që t’i drejtohet me një emër të ri: Viktor. I jep dhe një adresë të re: Ahmet Lleshi (Japagici) në Stamboll. Mbaj mend se ky pat ardhur te Niazi Straja, të më takonte dhe më pat lënë përshtypjen e një njeriu tepër modest. Më vonë, në një bisedë me professor Bujar Hoxhën, ky e përmendi emrin e Ahmet Lleshit, me shumë konsideratë, duke lënë të kuptohej se qe nga kokat e Lëvizjes për lirinë e Kosovës. Në kushtet e atëhershme, kur duhej ruajtur shumë sekreti, nga rreziqet e UDB-së, unë nuk e zgjata më tej, as çështjen e letrës në fjalë. Tani po e jap të plotë, me fare pak shkurtim:

“ I dashuri Bruno!

Po të shkruaj nga Turqia, ku kam ardhur për disa ditë, për të rregulluar disa punë…Ti e di mire se për çfarë! Të njoftoj se e kam marrë letrën tënde por nuk më thoje nëse i ke rregulluar dokumentet për shokun tonë A.D. Unë jam i sigurt, në fakt, që ti do të bësh çdo gjë për ne. Prandaj ne (ti dhe unë) duhet të vazhdojmë të punojmë në kanalin tone, por tani më ndryshe: Këtu në Stamboll, kam gjetur një shok (atdhetar shqiptar), me të cilin mund të mbash korrespondencë. Kështu, unë do të jem ca i larguar nga rreziku. Ti e di që policia J…punon shumë për të ndjekur kanalin tone (MNLK)  dhe mund t’i kontrollojë letrat…etj.

Bruno, përpiqu me shokun tend të “Amnisty” nëse mund t’i shkruani “Internacional Amnisty”-së, për shokët tanë që janë në burg. Ata bëjnë një jetë tepër të rëndë, ata janë shumë keq me shëndet. Ja, po t’i jap emrat e tyre: Adem Demaçi, në burgun e Stara Gradishtës, është sëmurë, Isa Kastrati, i sëmurë dhe aktualisht ndodhet në spitalin psikiatrik të Beogradit (9,5 vjet burg), Niazi Korça (7 vjet burg) etj.

Qeveria jugosllave, me 15 Korrik 1979, futi në burg, pa asnjë fakt, 5 shokë të tjerë. Klika e Titos përpiqet të shtypë e të mbysë lëvizjen tone atdhetare. Ai (Tito) flet për paqe por, në fakt, saboton luftën për liri të popujve. Shokët që u dënuan me 15 Korrik, nga gjykata e Prishtinës, janë Agim Sylejmani, dënuar 5 vjet, Faik Thaçi, dënuar 4 vjet, Tefik Thaçi, 4 vjet, Abedin Kërçova, 3 vjet, Hasan Kërçova, 3 vjet.

I dashur Bruno, nuk e di nëse e ke shkruar letrën për Havanën. Nëse e ke dërguar, më shkruaj një kartolinë në Kosovë me “H…bien”…

I dashur Bruno, shokët e mi janë shumë të gëzuar që kanë një mik francez si ti. Ti je shoku i parë i MNLK  dhe ne krenohemi me ty. Ti mund të vazhdosh detyrën për të cilën kemi folur. Në se ka mundësi të bësh një takim me Beharin ose me militantët e POF! Ti ruaj linjën politike si mik i Kosovës…Nuk di a më kupton? Nëse ke bërë gjë për Komitetin…mua më prezento si Viktor.

Bruno, mund të më dërgosh me postë librat për të cilat më ke folur kohët e fundit. Librat politike mbaji e ruaji vetë. Do të qe mirë sikur të vije ndonjë ditë në Kosovë, gjatë pushimeve të tua. Mund të vish me tren. A ke ndonjë libër nga Shqipëria? Nëse ke marrë, më shkruaj në kartolinë: 2Librat…po!”. Besoj se e ke lexuar “Imperializmi e revolucioni” ose “Shënime për Kinën”. Ç’mendon për to?

Me kaq po e përfundoj letrën. Përshëndetje vëllazërore

Miku yt Agim (Tani e tutje VIKTOR)”

Siç del nga kjo letër, autori e quan veten pjestar të MNLK. Në të njejtën kohë, përmend Adem Demaçin si “shokun tone”. Mga një artikull i Selatin Novosellës, kemi mësuar se Adem Demaçi drejtonte LRBSH-në. Është fjala për Korrikun e vitit 1979, pra para demonstrative të vitit 1981.

Ka gjëra, të panjohura, për mua në këtë letër. Përmenden emra njerëzish shqiptarë dhe francezë si dhe një organizat e MNLK apo shoqatë me emrin POF. Nuk kam synuar të merrem me shkoqitjen e këtyre. Mua më tërheq vëmendjen fakti që një i huaj, me emrin Bruno, është angazhuar për çështjen tonë. Agimi, alias, Viktori, e përshëndet si vëlla mikun e largët, për ne të panjohur, por gjithsesi të dashur e të nderuar dhe shumë të afërt shpirtërisht. Kaq i afërt më duket sa që më vjen se e shoh tani që qesh e gëzohet bashkë me ne, në këto ditë hareje të Kosovës së lire. E përfytyroj të ulur në “Grand”, duke shijuar birrë Peje, me djemtë e Prishtinës. Më duket se, nga të katër anët e Kosovës, i vijnë përshëndetje: Tungjatjeta Bruno! Përshëndetje nga zemra si për një mik të vjetër e të njohur sepse ndihma e tij nuk harrohet kurrë.

Edhe në mos qoftë kështu, pra, edhe mos paste shkuar në Prishtinë, kudo që të jetë, i miri dhe i dashuri Bruno, në Paris, Marsejë a Lyon, me siguri e ndjen jehonën e haresë kosovare, i dëgjon urimet si lumë që shpërthejnë nga gjokset tona për NATO-n e U ÇK-në, për Klintonin, Blerin e Ollbrajtin. Mes tyre tingëllon edhe emri i tij : Bruno. Nga gjithë kosovarët sigurisht, po, në radhë të pare, nga Agimi, alias, Viktori. Nëse është gjallë!

Bruges (Bryzh), Belgjikë,  Nëntor 1999, Agimi , Ramadan Pllana e Bruno, në mes me syze, te vëllau im Brahimi, duke e festuar çlirimin e Kosovës.

Nga: Ramadan Pllana

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu