Ahmeti: “Hib” ka mashtruar, bëhet fjalë për mbi 500.000 euro

0
879

(E Plotsuar) Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahemti, ka ndërpre kontratën dhe ka ngre padi për kontraktuesin e shkollave të Prishtinës “HIB Petrol”. Ai këtë hap e ka marr pasi laboratorët në Itali, e kanë rikonfirmuar se derivati i djegur në shkollat e Prishtinës përmban sasi alarmante të sulfurit.

Rezultatet që të hënën komuna i kishte marr nga Italia, bëjnë të ditur se derivati i djegur nuk është fare naftë ashtu siç është paguar, por është vaj për djegie i cili përmban 800 ppm sulfur, ndërkohë që norma e lejuar është 10 ppm. Për këtë hap të kryetarit Ahmeti, gazeta “Zëri”, ka raportuar në numrin e ditës së martë (18 mars)pasi nga burimet e saj brenda komunës së Prishtinës, ka mësuar se të martën kryetari Ahmeti do të bëjë publik rezultatet bashkë me vendimin e tij për shkëputje të kontratës me kompaninë “Hib Petrol”.

“Jemi mashtruar nga kompania” Hib Petroll” me ç’rast në vend të naftës jemi furnizuar me vaj për djegie”, tha kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti. Ai shtoi se për këtë shkak Komuna e Prishtinës do të shkëpusë kontratën me këtë kompani. ‘Kjo nuk është naftë, por është vaj për djegie me sasi të sulfurit 890 ppm, me sasi të cilat e dini se 10 ppm është kufiri ligjor në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti.

‘Pika e djegies së kësaj substance është nën 20 gradë celcius ndërsa me ligj duhet të jetë 56 gradë celcius dhe kjo naftë nuk është e paraparë të përdoret nëpër shkolla’, vlerëson kryetari Ahmeti. Përgjegjësi për këtë, u tha se do të kërkohet edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Prishtinë, pasi që sipas Ahmetit, ata nuk e kanë marrë seriozisht shëndetin e qytetarëve e sidomos fëmijëve.

”Do t’i marr të gjitha masat ligjore për padi në gjyq për mashtrim ekonomik sepse çmimi i këtij vaji është diku 30 përqind më i lirë se i naftës. Këtu ka ndodhur një mashtrim dhe dëmtim i Komunës së Prishtinës për një kontratë e cila e ka vlerën 1.5 milion euro në vit.”, theksoi Ahmeti. E Ministria e Tregëtisë dhe Industrisë sipas kryetarit të Komunës Shpend Ahmeti nuk ka bërë asnjë hetim pasi që kjo lëndë është futur ilegalisht në vendin tonë.

**************************************

Laboratorët në Itali, e kanë rikonfirmuar se derivati i djegur në shkollat e Prishtinës përmban sasi alarmante të sulfurit. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka marrë rezultatet të hënën nga Italia, të cilat bëjnë të ditur se derivati i djegur nuk është fare naftë ashtu siç është paguar, por është vaj për djegie i cili përmban 800 ppm sulfur, ndërkohë që norma e lejuar është 10 ppm.

Gazeta “Zëri”, nga burimet e saj brenda komunës së Prishtinës, ka mësuar se të martën kryetari Ahmeti do të bëjë publik rezultatet bashkë me vendimin e tij për shkëputje të kontratës me kompaninë “Hib Petrol”. Po ashtu Ahmeti, do ta paditë këtë kompani.

“Kryetari Ahmeti do të padisë kompaninë ‘Hib Petrol’ për mashtrim ngase me kontratë kjo kompani detyrohej që të furnizonte shkollat me naftë Eurodisel 10 ppm, kurse në rezervuare është gjetur Gas Oil me 800 ppm”, ka bërë të ditur burim i “Zëri”-it.

Këto rezultate nga Italia, kanë nxjerrë në pah edhe mashtrimin që kompania në fjalë i ka bërë Komunës së Prishtinës, duke i faturuar naftë me çmimi prej 1.22 euro, derisa komunën e ka furnizuar me vaj për djegie, i cili në treg është më çmim prej 0.80 euro.

Postat ekspres refuzuan ta dërgojnë mostrën

Pasi që në rezultatet e dala nga laboratorët e “KPU Inspektit”, tregonin se vaji në rezervuarët e shkollave përmbante sulfur deri në 600 për qind më tepër se normat e lejuara, kryetari i Prishtinës për të vërtetuar të gjithë këtë kishte vendosur që një mostër ta dërgojë në laboratorët jashtë shtetit. Por, kjo nuk i kishte dalë edhe lehtë. Pasi që një burim i gazetës brenda Komunës së Prishtinës, ka treguar se përkundër vështirësive që ka pasur kryetari për të dërguar mostrën jashtë shtetit më në fund rezultatet janë kthyer.

“Pas disa tentimeve për të dërguar këtë mostër deri në Itali, kryetari ka hasur shumë vështirësi, madje gati 3 javë postat ekspres si ‘DHL’ dhe dy tjera, nuk kanë marrë këtë mostër për ta dërguar”, ka thënë ky burim, duke sqaruar se mostra ka shkuar në Itali tek para 10 ditëve, dhe e ka dërguar një person të cilin e kishte autorizuar kryetari i Komunës. Pasi që rezultati ka arritur në zyrat e Komunës dhe kryetari e ka parë atë, ai ka vendosur që të shkëpusë kontratën me kontraktuesit e “HIB Petrol”, ka sqaruar për gazetën “Zëri”, ky burim.

Prokuroria kishte vërtetuar skandalin me naftën

Me 28 shkurt, gazeta “Zëri” kishte raportuar se rezultatet e laboratorëve për naftën me përmbajtje të lartë të sulfurit, e cila ishte përdorur për ngrohje në shkollat e Prishtinës, ishte vërtetuar edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Mostrat e marra nga kjo Prokurori në 43 shkolla të kryeqytetit kishin dalë të njëjta me ato që janë bërë kohë më parë nga laboratorët e autorizuar në vendin tonë.

Të gjitha raportet e Prokurorisë tregojnë së rezultatet kanë dalë jokonform normës së lejuar. Burime të besueshme të gazetës brenda Prokurorisë, kishin bërë të ditur se njëri nga raportet laboratorike i marr në këto shkolla tregon se vaji për djegie përmbante mbi 800 promil sulfur. Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, e kishte konfirmuar se hetuesit i kanë përfunduar të gjitha analizat laboratorike te të gjitha mostrave të marra nga rezervarët e shkollave të kryeqytetit.

Kryeprokurori Beka, kishte thënë se dyshohet së vaji për ngrohje që kishte përfunduar në rezervuarët e shkollave ishte kontrabanduar në Kosovë. “Jemi duke hetuar prej nga ka ardhur ky vaj, pasi që është vërtetuar se ky vaj nuk është në përputhje me letrat që i kemi siguruar. Dyshojmë se është futur kontrabandë”, kishte thënë Beka për gazetën “Zëri”.

OBSH-ja konfirmon: Sulfuri, kancerogjen

Edhe pse Institut i Shëndetit publik kishte dalë me një komentim të analizave laboratorike ku nuk kishte sqaruar asgjë rreth rrezikut nga ky vaj. Një përgjigje të qartë e kishte dhënë Organizata Botërore e Shëndetësisë ku thuhej se ekspozimi afatgjatë në emetimet prej djegieve, përfshirë produktet që përmbajnë sulfur, mund të shkaktojnë efekte të ndryshme shëndetësore, që varen nga karakteristikat toksike të kemikaleve të liruara dhe sillen prej sëmundjeve kardio-vaskulare deri tek kanceri, dhe çrregullimet tjera shëndetësore.

Dyoksidi i sulfurit prek shëndetin e njeriut kur thithet me ajër kishte qenë përgjigjja në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që është përpiluar më 12 shkurt të këtij viti. Skënder Syla, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kishte thënë se Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtimin e Kancerit ka klasifikuar shkarkimin e motorëve të llojit Dizel si kancerogjen të rangut të parë.

Gazeta “Zëri” kishte raportuar për këtë rast më 4 shkurt. Ku më pastaj pasuan zhvillimet tjera ku kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte mbyllur shkollat dhe kishte kërkuar nga instituti i shëndetit publik se sa është i rrezikshëm ky vaj i cili ishte më 800 për qind më tepër sulfur në rezervuarët e shkollave.

Pas kësaj, prokuroria themelore e Prishtinës kishte nisur hetimet, pasi që ishte vërtetuar se kontraktuesi “HIB Petrol” kishte mashtruar komunën, duke i shitur vaj në vend të Eurodisel 10 ppm, ashtu siç ishin marr vesh në kontratë. Gjatë gjithë kësaj kohe kur po ndodhnin këto zhvillime ministri i tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, lëshonte komunikata dhe tirrte konferenca për të larguar përgjegjësin nga MTI-ja se nafta dhe vaji në Kosovë janë konform Udhëzimit Administrativë 07/2012.

 

Nga: Liridon Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu