Ahmeti: Mustafa, ish-kryetar

0
798

Prishtinës po i vjen era fitore, ndërsa Isa Mustafa është ish-kryetar i komunës së Prishtinës, që vetëm edhe dy ditë do të rrijë në vendin e tij të punës.

Kështu ka deklaruar të premten kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, derisa iu ka drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj lëvizjeje.

Në fakt, salla “1 Tetori” në Prishtinë mezi i ka zënë simpatizantët dhe anëtarët e shumtë të kësaj lëvizjeje, të cilët e kanë emocionuar Ahmetin, sikurse edhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Ai ka thënë se gjatë tridhjetë ditëve sa ka zgjatur fushata parazgjedhore ka takuar me qindra persona nga të gjitha lagjet e Prishtinës, nga të cilët ka dëgjuar brengat e ndryshme dhe iu ka ofruar zgjidhje konkrete për to.

“Në Kodrën e Trimave takuam një dyzetvjeçar i cili para treqind vetave tha jam i varfër, shumë i varfër. Jetonte me gjashtëdhjetë euro asistencë sociale, me tre fëmijë”, ka treguar ai njërin nga rastet që ka hasur gjatë fushatës, duke u shprehur i bindur se shumica në Kosovë dhe në komunë të Prishtinës janë qytetarë të varfër.

Nënkryetari i Vetëvendosjes që synon postin e kryetarit të Prishtinës është shprehur i bindur se jo vetëm që do të fitojë, por edhe se si kryetar i kryeqytetit do të bëjë ndryshime radiale në çdo fushë.

Ai ka thënë se Vetëvendosje është partia e cila do t’ia kthejë dinjitetin qytetarit, dhe që do t’i shuajë e shkatërrojë bandat e krimit dhe ata që në emër të demokracisë manipulojnë me pushtetin.

Ndërkaq, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se pushtetarët aktualë janë ata që kanë frikësuar policinë, e cila është e pafuqishme përballë tyre, por sipas tij, pas fitores së Vetëvendosjes policia nuk do të ketë frikë, siç ka thënë ai, nga kriminelët, por kriminelët do të kenë frikë nga policia.

“Nuk do t’i frikësohen më qytetarët pushtetit, por pushteti qytetarëve. Ne jemi Lëvizja e cila do t’i ndjekë hajnat e do ta zhvillojë shtetin”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Kosova është duke funksionuar si në kohën e ish-Jugosllavisë, ku siç ka thënë ai, secili që kërkonte të punësohej duhej ta kishte librezën e partisë, gjë e cila, sipas tij, nuk do të ndodhë kur të vjen Vetëvendosja në pushtet.

 

Nga, Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu