Ahmeti: Ndalni punimet ilegale

0
750

(E plotësuar) Ka vetëm tre ditë prej që është shpallur fitues i garës për Prishtinën, dhe u bën thirrje ndërtuesve pa leje që të ndalin menjëherë punimet, e të mos i nxjerrin punë më pas.

Shpend Ahmeti, i cili shumë shpejt do ta marrë timonin e kreut të Prishtinës, në intervistën dhënë gazetës “Zëri”, bën të qartë se s’do të ketë kompromis për ilegalët, të korruptuarit dhe ata që kanë problem me ligjin. Bile nuk “çan kokën” as për financuesit e partive të mëdha politike, të cilët janë ndërtues të mëdhenj në Prishtinë.

Ndërkohë që këmbëngul se nuk do të bëjë koalicion me asnjë subjekt politik. Por bën me dije se do të bashkëpunojë me secilin, ngase, sipas tij, “asnjërit në ballë nuk i shkruan se nga cili subjekt politik vjen”. Ndër punët e para emergjente, me të marrë postin është nxjerrja në ankand e veturës Audi Q7 të ish-kryetari, Isa Mustafa.

Zëri: Çfarë do të bëni në 100 ditët e para të qeverisjes me Prishtinën?

Ahmeti: Nuk janë dhënë zotime të paarritshme, nuk po i quaj as premtime, se kur po u them premtime po kujtojnë që po barazohem me premtimet e të tjerëve, kemi dhënë zotime të cilat jam munduar t’i mbaj në nivel të arritshmes, por gjithmonë duke i bërë të prekshme për qytetarët. Do të thotë i kemi prekur problemet të cilat ne e dimë se i kanë munduar.

Disa zgjasin më shumë, disa do të jenë një mandat, disa do të jenë 24 muaj e disa do të fillojnë që në ditën e parë të qeverisjes. Mendoj që në 100 ditët e para, do të ketë një përmirësim të dukshëm në transparencë, në ndaljen e së keqes.

Ndalja e së keqes nënkuptohen plot gjëra të këqija, që janë ndërtimet pa leje, korrupsioni që mund të ndalet, hapja ndaj qytetarëve, transparenca, një bashkëpunim më i mirëfilltë, edhe me qytetarët edhe me shoqërinë civile, tubimet nëpër lagje do të vazhdojnë ngase e kam dhënë një zotim që pas zgjedhjeve do të shkojë në çdo lagje, të paktën një herë në tre muaj. Mendoj se pritjet janë të mëdha, mirëpo në 100 ditët e para do të vërehet një ndryshim në qeverisje.

Zëri: A do të pastrohet struktura e LDK-së që është brenda administratës, apo drejtorët e shkollave?

Ahmeti: Kjo fjala pastrim nuk më pëlqen dhe nuk përkon me atë që do të bëjmë ne. Ne do ta përmirësojmë administratën, duke u bazuar në vlerësimin e punës së secilit. Do të thotë, nuk do të ndodhë që ne të shkojmë ditën e parë e të themi se këta, këta e këta persona nuk janë më, por do të kemi vlerësim të punës së administratës, përmirësim të shërbimeve, menaxhim të ri.

Dukshëm do të mundohemi që ta përmirësojmë menaxhimin e shërbimeve dhe pastaj në bazë të termave të referencës edhe do të vlerësojmë stafin, ndërsa do të kemi tolerancë zero ndaj korrupsionit. Në momentin që dikush është i dyshuar apo ndaj tij është ngritur aktakuzë, nuk do të ketë vend në komunë.

Audi Q7 së shpejti në ankand publik

Zëri: Cilat do të jenë ato tri vendimet e para që do t’i merrni?

Ahmeti: Ne i kemi 12 zotime, dhe do të fillojmë me secilin. Mund të them se do të fillojmë me ujin, por ai është një projekt që merr 24 muaj, por do të fillojmë që në ditët e para që të vëmë kontakte me ekspertë, të cilët veçse i kemi kontaktuar dhe të shohim se si do t’i ndërmarrim hapat konkretë.

Ne kemi premtuar p.sh. deri në mars të vitit tjetër të bëjmë vlerësimin e nevojave për çerdhe në çdo lagje. Këto pra janë gjërat që do të fillojnë që në ditën e parë. E ajo që është diskutuar ndoshta më së shumti është shitja e Audi Q7 në ankand publik, ngase nuk mendojmë që komuna duhet të ketë makina luksoze. Pra njëra ndër vendimet e para do të jetë shitja e kësaj veture dhe kjo është e sigurt tashmë.

Zëri: Njëri nga zotimet tuaja është se në vitin 2016 qytetarët e Prishtinës nuk do të ballafaqohen me mungesë uji?

Ahmeti: Ai zotim mbetet. E çka nëse nuk realizohet ky zotim, atë pyetje do të ma bëni në vitin 2016. Shpresoj që atëherë do ta kemi më të qartë gjendjen, por gjatë tërë kohës ne do të komunikojmë me publikun, me mediat, do ta bëjmë vlerësimin real dhe do të themi se kjo po ndodh, kjo nuk po ndodh.

Mendoj se me këtë komunikim, ne edhe do t’i mbërrijmë zotimet, por edhe qytetarët çdo herë do të jenë të informuar. Për atë arsye ne kemi thënë se nga 12 zotimet që janë, qytetarët mund të na kërkojnë llogari për secilën prej tyre. Dhe kemi kërkuar nga qytetarët që ato 12 zotime t’i mbajnë në kuletë në mënyrë që kudo që të na shohin të na thonë kjo është gjendja.

Zëri: Kur flasim për ndërtimet ilegale, a do të legalizohen apo do të rrënohen?

Ahmeti: Nuk mund të legalizojmë objekte për të cilat ndërtimtari apo arkitekti thonë se janë të rrezikshme për banorët, apo u ka shkaktuar kaq shumë probleme banorëve. Ato që janë të rrezikshme duhet t’i vëmë si prioritet dhe me të gjithë të tjerët që janë hisedarë në politika, do të shohim se si do t’i zhvendosim e si të bëjmë zgjidhje në mënyrë që të mos rrezikojmë banorët tanë.

Ka ndërtesa në lagje të ndryshme të qytetit, ku zjarrfikësit apo ndihma e shpejtë nuk mund të arrijë. Dhe ky është problem. Fatmirësisht nuk ka ndodhur asnjë zjarr. Ata që nuk i përmbushin dhe nuk janë në përputhje me ligjin, natyrisht që do të pësojnë rrënime. Edhe vetë ndërtimtarët kanë filluar të ndërtojnë e të thonë ndërtoni shpejt këtë muaj se kur të vijnë këta…

Kjo është mirë që po diskutohet, mirëpo unë u bëj thirrje edhe përmes mediave që t’i ndalin punimet të gjithë ata që janë duke punuar pa leje tashmë, sepse me të vërtetë me këtë mandat që e kemi marrë nga qytetarët, shumica po kërkojnë që të vihet rregulli në komunën tonë. Jo sepse unë jam ndonjë person i rreptë apo po dua të tregoj ndonjë fuqi, por thjesht qytetarët po kërkojnë një jetë normale në qytetin e tyre.

Zëri: Ka kompani ndërtuese të cilat janë financuese të partive të mëdha politike?

Ahmeti: Ata mund ta kenë përkrahjen, por ne jemi pushteti në komunë tash, dhe komuna vendos për disa gjëra. Këto janë kompetencat e garantuara me Kushtetutë. Ne në qoftë se marrim vendime, atë vendim janë të obliguar që ta zbatojnë edhe policia, edhe gjykatat dhe të gjitha organet e shtetit. Por e kemi edhe përkrahjen dhe solidaritetin e qytetarëve. Mund të jetë kushdo ai, edhe i afërm i dikujt, por për neve nuk do të ketë dallim.

Ligji ose do të zbatohet tërësisht ose në mënyrë selektive nuk ka efekt. Dhe e dyta, nuk janë të gjithë ndërtimtarët mafia, ka edhe të tillë që kanë punuar me rregulla, me leje e me të gjitha. Duhet ta bëjmë edhe atë dallim, por që duhet të ndalet ky kaos urbanistik, ka ardhur koha që në Prishtinë të shpëtojmë çka mund të shpëtojmë. Nuk guxojmë të vazhdojmë ta degradojmë qytetit qysh është lejuar deri tani.

Zëri: Ndaj kujt do të ketë përjashtime?

Ahmeti: Nuk do të ketë përjashtime. Është përgjigje shumë e thjeshtë.

Përfundimisht s’ka koalicion

Zëri: Ju jeni përfaqësues i Prishtinës, por megjithatë i ke vetëm 10 asamblistë të “Vetëvendosjes”, pa koalicion si do të veproni?

Ahmeti: Unë i kam thënë po bashkëpunimit e jo koalicioneve. Mendoj se debatin duhet ta ngremë në nivel politik dhe, p.sh., unë them që duhet të kemi shujta për klasën e parë deri në të pestë dhe në Kuvendin Komunal dikush që mendon se kështu mund t’ia bëjmë më mirë apo kështu, le të ngrihet e le ta thotë.

Le të bëjmë debat. Mendoj se do të ketë fokus të mediave në Kuvendin Komunal ngase të gjithë presin. Unë jam i interesuar që debatin ta ngremë në nivel politik dhe me secilin prej këshilltarëve të Kuvendit Komunal jam i gatshëm të diskutoj, përveç atyre që janë me akuza apo nën hetime.

Zëri: A të bën krenar mbështetja e PDK-së në Prishtinë që u tha dje nga një anëtar i kësaj dege?

Ahmeti: Ne votuesit i shohim së pari si qytetarë e më pas si votues të një subjekti politik. Para raundit të dytë, partia në fjalë ka thënë se nuk e mbështesin as Shpendin e as Isa Mustafën e tash dalin persona që thonë të kemi mbështetur. Shumë mirë. Ata i shoh si votues dhe tash unë kam përgjegjësi ndaj të gjithëve, edhe ndaj atyre që e kanë votuar Isa Mustafën.

Edhe ata janë banorë të Prishtinës dhe i përfaqësoj edhe ata tash dhe nuk shoh dallime të tilla. Arsyetimet mund të gjejnë se ku çka ka ndodhur, por zyrtarisht nuk ka pasur mbështetje. Nuk ka pasur kurrfarë takimi, por thjesht ka pasur gatishmëri të qytetarëve për ta mbështetur këtë opsion dhe unë jam i lumtur që kemi marrë vota edhe nga votuesit e LDK-së, AAK-së, edhe “Vetëvendosjes”, edhe nga njerëz që nuk janë fare subjekte politike.

Për herë të parë njerëzit i kanë kaluar vijat politike për ta mbështetur një ndryshim. Tash përgjegjësia ime është edhe më e madhe ngase ka pritje të mëdha të njerëzve, të cilët po presin ta zbatojmë këtë program dhe ta përmirësojmë jetën e qytetarëve. Dhe ky është qëllimi im i vetëm.

Zëri: E nëse nuk do t’i realizoni këto zotime që i keni dhënë, a do të japësh dorëheqje?

Ahmeti: E respektoj institucionin e llogaridhënies. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari morale e politike e besa edhe ligjore për dështimet që mund t’i kem. Problemi më i vogël është të jap dorëheqje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu