Ai e braktisi Kosovën, për t’u kthyer në Kosovë

0
1028
Pamje nga promovimi i librit ‘’Sytë nga Kosova’’ të autorit Kadri Gërvalla në Institutin Albanologjik

Në vargjet, intervistat dhe shkrimet e tij te shumta, Kadri Gërvalla sikur
ndërton tempullin e këngës dhe krenarisë kombëtare, në të cilin Zanat
nga Kulina pasi të kenë flladitur ballin me ujët e Albit, do t’iu këndojnë
bijëve të lirisë……

Sipas ”Iliadës”, Odiseu do t’i drejtohej tempullit të Dodonës, për të mësuar nga
faltorët orakuj se si mund të kthehej në Itakë. Se ç’drejtim duhej të mbante ai
do t’i rrëfenin pëllumbat e bardhë sajuar nga priftërinjtë paganë.Por, veprimtari,
publicisti dhe poeti  Kadri Gërvalla  në vend të  Orakullit dodonian,  në vargjet,
intervistat dhe shkrimet e tij të shumta, sikur ndërton  tempullin e këngës dhe
krenarisë kombëtare, në të cilin Zanat nga Kulina pasi të kenë flladitur ballin me
ujët e Albit do t’iu këndojnë bijëve të lirisë dhe ashtu në këngë do të rrëfejnë
rrugën e cila të shpie për në Kosovë. Prandaj nuk duket të jet e rastit që autori
tashmë i tre librave, atë të fundit e ka titulluar ”Sytë nga Kosova”. Gjithashtu nuk
është rastësi që libri në fjalë brenda një kohe shumë të shkurtër të prezantohet
me mjaft sukses një herë në Prishtinë në Institutin Albanologjik dhe herën tjetër
në Heidelberg të Gjermanisë.
Për poetin Gervalla atdheu është kopsht i miliona luleve të çelura në pranverat
e të cilit zemra të rritet, është edhe valle  koreografuar me sukses nëpër mijëra
demonstrata, por është  edhe lule e lagur me lotë në mes të errësirës  së thyer
nga drita e qirinjëve të ndezur.Për autorin e ”Bregut të diellit” Kosova është edhe
këngë të cilën duhet kënduar gjithëmonë, qoftë edhe vetëmëvete pas grilave, por
është edhe mall që të gërryen përbrenda me duar të hapura në përqafimin e
shumëpritur.
Ngjyrat e shprehjes së tij poetike përbëhen nga një gërshetim notash liriko-epike
aty këtu mbase edhe idealiste. Ato në vete bartin plot forcë dhe energji. Jorrallë
përshkruhen me ritme shpërthyese, si zë dashurie e në ndonjë rast të veçantë
mbase edhe si revoltë dhe protestë kundër gjendjes në të cilën ishte e ndonjëherë
edhe mund të gjendet populli dhe vendi i tij, sepse për poetin atdheu nuk fillon
në Merdar e as nuk përfundon në Morinë, nuk fillon vetëm atje në Qafëthanë, por
as nuk përfundon në Kakavijë.
Zëri i Gërvallës është zë origjinal. Ai sikur del nga brendia e atdheut, si sfidë e
hapur ndaj përçudnimeve që mund t’i bëhen popullit dhe vendit të tij. Ai nuk
kërkon mbinjeri në luftimin e dukurive dhe veseve te këqija, as grusht të fortë
për të goditur malin që s’bën zë. Ai, ato i vë në pah, pasi ironizon gjithë të metat
dhe përçudnitë e tyre, kërkon dhe i lufton në formën dhe mënyrën e duhur.
Të tillë e hasim Kadriun kudo. Me kohë e kishte mësuar drejt alfabetin e jetës. Ai
u lind, u rrit dhe u edukua në kohën e kthesës së madhe. Ishte vetëm dy vjeç
në kohën e Motit të madh të ’68-tës. Kur ai u lind, aso kohe shqiptarëve sikur
Kali i Trojës u ofrohej Plenumi i Brioneve dhe se disa nga bashkëvendësit e tij
pritnin se do të lirohen Ademi, Zeqa, Sabiti e shumë të tjerë. Por ç’ndodhi…!?
Si gjithëherë kur atdheu lëngon në robëri; vrasje, përndjekje dhe burgosje të reja.
Bashkëfshatarët e tij  takoheshin te lendina prane lagjes pasiqe i nderronin cigaret e para me ze te ulet i thonin njëri tjetrit…..shumë burgosje jane bërë…Adilin dhe Ilazin e Pirevajve i kishin burgosur. Kadriu edhepse mjaft i vogël në moshë, sikur vërente zymtësinë dhe trishtimin e më të rriturve në familje.

Edhe gjatë shkollës fillore në fshatin e lindjes në Lupç te Poshtëm, krahas shkronjave dhe drejtshkrimit me sukses do të kryente edhe mësimet e para të jetës.Shkollën e mesme dhe fakultetin juridik i kreu në Prishtinë ku shpesh provoi gazin lotësjellës dhe topat me ujë të policisë serbe.
Gjithashtu ka përfunduar kursin pasuniversitar për marrëdhënie ndërkombëtare e
diplomaci, në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë, ku edhe është pajisur
me diplomën e ADSH-së.
Në vitet 1990-1991, ishte njëri ndër themeluesit e shoqatës ”Bashkimi i Rinisë”
që vepronte në  Kosovë. Asokohe të veproje në Kosovë ishte mjaft vështirë,
prandaj në nëntor të vitit 1991 emigroi në Austri. Ai si shumë të tjerë si i thonë
një fjale…. braktisi Kosovën, për t’u kthyer në Kosovë. Atje (në Austri) kreu detyrën e
kryetarit te shoqatës ”Fadil Vata”, e më pas kryesoi degën e LPK-së për Austrinë      e Ulët.
Gjatë viteve 1995-1997 ishte sekretar i shoqatave shqiptare ne Austri. Ishte
korrespondent i ”Zërit të Kosovës”, kryeredaktor i gazetës ”Eugjenika” si dhe
redaktor i gazetës ”Alba”. Ishte mjaft aktiv ne fondin ”Vendlindja Thërret” ku dhe
kreu detyrën e përgjegjësit për informim dhe propangandim të këtij fondi. Që nga
paslufta është i angazhuar politikisht në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës,
ndërsa tani është zëdhënës i saj për degën që vepron në Gjermani.
Kadri Gërvalla në gjithë mërgatën që jeton e vepron në Gjermani e më gjerë, është
emër mjaft i respektuar, djalë mjaft punëtor dhe i zgjuar e mbi të gjitha veprimtar
i cili gjithëmonë iu gëzohet sukseseve të atdheut dhe gjithëherë i dhembin plagët e
tij.

Me respekt

Sami Krasniqi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu