AK- Nishanit: Hiqi ‘Urdhrin e Skënderbeut’ Janullatosit, dekoro themeluesit e Kishës Autoqefale Shqiptare

0
697

Aleanca Kuq e Zi ka dorëzuar sot para zyrës së Presidentit një kërkesë zyrtare t’i heqë dekoratën kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Sipas AK-së, presidenti Nishani duhet t`i heqë “Urdhrin e Skënderbeut” Janullatos pasi kryepeshkopi ka kryer veprime antikushtetuese pasi ka lejuar nazistët e Agimit të Artë të hyjnë në kishat shqiptare.

“Fryma e Anastas Janullatos është kundër sovranitetit territorial shqiptar. Sipas Kushtetutës, kisha është e ndarë nga shteti dhe politika. Kryepeshkopit Anastas Janullatos duhet t’i hiqet “Urdhri i Skënderbeut”. Të dekorohen themeluesit e kishës shqiptare, jo uzurpuesit antishqiptarë”, theksuan përfaqësuesit e AK-së

Gjithashtu, Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar ngaa presidenti Nishani të dekorojë tre themeluesit e Kishës Autoqefale Shqiptare Negovanin, Nolin, Xhuvanin dhe Kisin.

Letra e AK për Nishanin

100 Vjetori i Pavarësisë shënoi pa asnjë mëdyshje një nga ditët më të bekuara në historinë e popullit shqiptarë. I madh e i vogël në Shqipëri, në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë si dhe shqiptarët e diasporës tonë kudo në botë, kremtuan të gëzuar e të mallëngjyer përvjetorin e lavdishëm të pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë 100 vjetor, do të ishte shumë e udhës të ishin dekoruar figura të shquara patriotike të cilat dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, duke ndalur përkohësisht vlerësimet e njerëzve nga fusha të tjera si ato të shkencës, sportit, artit e kulturës. Konstatojmë me keqardhje se janë mënjanuar dhe sigurisht harruar jo pa qëllim, klerikë të lartë të besimit ortodoks, veprimtarë të palodhur të Kishës Autoqefale Shqiptare.

U harruan ata që u përleshën me hierarkët më të lartë të Kishës greke, vetëm për të mbajtur të gjallë e të pavarur Kishën Autoqefale Shqiptare. Askush nuk u kujtua nga administrata e lartë, nga institucionet e kulturës në Shqipëri, aq më pak nga Kisha aktuale pseudo-autoqefale të nderojë ata që themeluan Kishën Ortodokse Shqiptare.

Nuk u kujtua njeri në këtë 100 vjetor për Fan Nolin, Visarion Xhuvanin, Papakristo Negovanin, Kristofor Kisin e sa, e sa të tjerë që ishin jo vetëm klerikë të shquar të besimit ortodoks në Shqipëri, por patriotë e luftëtarë të çështjes kombëtare shqiptare.

Duke parë e krahasuar se çfarë kanë bërë drejtuesit aktuale të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e sidomos këto vitet e fundit, na vijnë nder mend ngjarjet e turpshme të ndodhura në Këlcyrë, Bularat, Himarë, Boboshticë, Kosinë e të tjerë. Në të gjitha këto ngjarje për fat të keq, ka qenë e dukshme edhe dora e drejtuesve grekë të Kishës aktuale Autoqefale të Shqipërisë. Me politikën që kanë ndjekur liderët e saj, lehtësisht bie në sy, mbështetja që ato i kanë dhënë politikës së shtetit grek si dhe pretendimeve të tij territoriale ndaj Shqipërisë.

Natyrisht, rolin kryesor në këtë aktivitet antishqiptar e ka luajtur Anastas Janullatosi, lideri uzurpator i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Për dy dekada me radhë, ai punoi për interesat e Greqisë, duke vazhduar me besnikëri rrugën e Kozma Etolianit, i cili më shumë se 100 vjet më parë i kushtoi jetën e vet helenizimit të Epirit, hapjes së shkollave dhe kishave greke në territore të mbushura historikisht me shqiptarë.

Si për ironi të fatit ardhja e këtij njeriu në krye të Kishës sonë u bë në kundërshtim të hapur me interesat e Shqipërisë e të besimtarëve ortodokse shqiptare. U veprua haptas në kundërshtim me statuset e hartuara në Kongresin e Beratit të vitit 1922 si dhe në Kongresin e Korçës të vitit 1929. Si për çudi u harrua vendimi i Patriarkanës së Stambollit i marrë në vitin 1936, ku shprehimisht thuhet se “Çdo komb ka të drejtë të ketë kishën e tij të pavarur dhe Kryepeshkopin e racës së vet”.

Të gjitha këto na çojnë në konkluzionin se ka ardhur koha t’i themi besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë brenda dhe jashtë territorit ku jetojnë të zgjedhin në krye të Kishës sonë ortodokse, një prift shqiptar, një patriot që ta dojë me shpirt popullin dhe vendin e vet.

Ka ardhur koha që t’i themi Anastas Janullatosit “largohu nga Shqipëria me paqe”. Mbylli vitet e fundit të jetës tënde sa më larg këtij vendi e këtij populli, i cili për hatër të së vërtetës duhet thënë që të ka parë qysh ditën e parë që erdhe në Shqipëri si një çiban të rrezikshëm, i cili në emër të fesë e të ortodoksisë shqiptare punoi për interesat e shtetit e të Kishës greke.

Të bindur se aktiviteti i Janullatosit nuk i ka shërbyer interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve kërkojmë nga ju, i nderuari President i Republikës, z.Bujar Nishani, t’i hiqet atij dekorata “Urdhri i lartë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që i është dhënë tre vite më parë.

Për këto arsye iu adresojmë zyrtarisht kërkesën për dekorimin e tre themeluesve të kishës autoqefale shqiptare Fan Noli, Visarion Xhuvanin, Papakristo Negovanin, Kristofor Kisin dhe njëkohësisht kërkojmë heqjen e “Urdhrit të lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu” për kryepeshkopin Anastas Janullatos për shkak të veprimtarive të tij antikushtetuese në një shtet laik si Shqipëria ku feja është e ndarë nga shteti”

Aleanca Kuq e Zi shpreh besimin se në funksionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ju do të ushtroni kompetencën në mbështetje dhe zbatim të Kushtetutës për të ruajtur vlerat dhe parimet laike të shtetit juridik në Shqipëri.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu