Akademi përkujtimore për Heroin, Avdi Mujaj

0
491

 

Në dhjetë­’vjetorin e vrasjes së eprorit të UÇK-së, AVDI MUJAJ

Në Akademin përkujtimore kushtuar Veprimtarit të Levizjes Popullore të Kosovës dhe Luftëtarit të orëve të para të UÇK-së dhe Komandantit të Batalionit të Dytë “Myrtë Zeneli” në dhjete vjetorin e vrasjes, sot në Schlieren të Zvicrres u tubuan qindra bashkatdhetar, bashkluftëtar të Avdiut dhe bashkveprimtar ku u fol për veprimtarin e Avdiut deri ne sakrific.

Në Akademin përkujtimore folen, Bashkluftëtari Azem Zekaj, bashkveprimtari Sejdi Gegaj, Veterani i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Florim Berisha dhe u lexuan shume Telegrame përshendetese, nga Shoqatat e ndryshme, u lexua dhe Telegrami i Shoqates së Veteraneve të UÇK-së, Kolonel Avdyl Mushkolaj.

Fjala e Azem zekaj në Akademin përkujtimore të Heroit Avdi Mujaj

Njëri ndër atdhetarët më të kompletuar e më të devotshëm, i shquar për burrëri e trimëri, për nder, sakrifica e dinjitet njerëzor e kombëtar, padyshim ishte veprimtari shumëvjeçar i ilegales dhe eprori i UÇK-së, Avdi Mujaj. Që në ditët e rinisë së hershme për gati dy dekada, me tërë qenien veproi e luftoi për çlirimin e Kosovës, pa u ndalur për asnjë çast, derisa kriminelët ia shuan jetën padrejtësisht para shtëpisë së tij, më 1 tetor 2003.

Gjatë vitit 1985/86 Avdia u detyrua të largohet nga vendlindja. U vendos në Aarau të Zvicrës, ku menjëherë kyçet në radhët e ilegalëve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), në radhët e të cilës veproi mbi 18 vjet.

Krahas punës së pandërprerë për të mbajtur Familjen e tij, Avdia për asnjë çast nuk i ndali përpjekjet dhe veprimtarinë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbo-jugosllavë. Si anëtar i Këshillit të LPK-së në Aarau të Zvicrës, në kohërat më të vështira, Avdia ishte në detyrat më të vështira në përpjekje të ndryshme për lirinë e Kosovës, në organizimin e qindra demonstratave e tubimeve për sensibilizimin e opinionit botëror për çështjen e Kosovës, si në Aarau, Genève, Zürich, Bon, e qytete tjera në Perëndim.

Punoi jashtëzakonisht shumë në mbarëvajtjen e punëve të “Zërit të Kosovës” (organ Historik i LPK-së), që ishte bërë zëdhënës i luftës për liri; pastaj në Shoqërinë Kulturore “Luftëtarët e Lirisë”; në Fondin e luftës “Vendlindja Thërret”, në Sektorin për Çështje Praktike të Kryesisë së LPK-së, etj.

Për rritjen dhe forcimin e UÇK-së bëri gjithçka mundi nga diaspora. Por përsëri iu duk pak. Prandaj, që në ditët e para të shpërthimit të luftës frontale, në pranverën e vitit 1998, Avdia e la rehatinë e Zvicrës, dhe u kthye në Kosovë për të luftuar me vetëmohim të pashoq deri në çlirimin e vendit. Prej majit të vitit 1998 deri në fund të gushtit 1998 luftoi e veproi si komandant njësiti në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në Strellc. Avdia u kthye në Kosovë kur shumëkush largohej prej saj. Në shkurt të vitit 1999, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e caktoi Komandant të Batalionit të Dytë të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, detyrë kjo që e mbajti me sukses e përgjegjësi të lartë.

Avdi Mujaj, i njohur me emrin e luftës “TRIMI” – në luftë për liri hyri me njëmendësi dhe vendosmëri të palëkundshme dhe si i tillë qëndroi deri në fund, duke luftuar përkrah luftëtarëve më të denjë, siç ishin dëshmorët Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake të ZOD-it, Fadil Nimani – Komandant “Tigri” i tri ushtrive çlirimtare, Lulzim Morina, komandant i Brigadës 135 “Agim Zeneli” e shumë të tjerë. Gjatë tërë luftës u shqua për vendosmëri e gjakftohtësi, guxim e trimëri dhe qëndresë të paepur. Në atë vijë të frontit ku ishte Avdi Muja me shokë, forcat serbe kurrë nuk kanë mundur të depërtojnë. U dallua për qëndresë të pashoqe për muaj të tërë në vijën e parë të frontit në Gërgoc, ku në afërsi me forcat pushtuese serbe luftohej për jetë a vdekje. Pastaj u dallua edhe në luftimet e zhvilluara në Buçan, Shqiponjë, Zhebel, Maznikë, Dashinoc, Kosuriq, Baran, Potërç e vendluftime të tjera.

Më 20 shtator 1999, u demobilizua dhe përkohësisht u kthye në Zvicër, por Avdia nuk e pranoi kurrë parashtesën ish, sepse ishte dhe mbeti veprimtar i madh. Ishte pjesë e pandarë edhe e dy ushtrive tjera çlirimtare UÇPMB dhe UÇK- Kombëtare në luftërat çlirimtare në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni.

Avdia ka lënë pas vetes dy fëmijë, Lindën e Lirimin, të cilët duhet të mburren me babanë e tyre, sepse shumë ndershmërisht veproi e luftoi, u bë pjesë e pandarë e historisë së re dhe e lirisë që e gëzojmë sot.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu