Akademia e Kosovës vazhdon ta nderojë Titon

0
810

Biografia nuk i është plotësuar ende, por emri i figuron në faqen e internetit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) (www.ashak.org). Ish udhëheqësi komunist i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ende vazhdon të jetë anëtar nderi i ASHAK-ut, në një listë të përbashkët me humanisten shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza dhe shkencëtarin shqiptar me famë botërore, Ferid Murati.

E vendosur në një objekt të ri karshi Ministrisë së Arsimit, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës vazhdon të kritikohet për mospërfshirje të njerëzve të rinj dhe për mbajtjen në radhët e saj të njerëzve të vjetër, e sidomos për nderin që u bën figurave sikur ish udhëheqësi komunist Josip Broz Tito.

Josip Broz Tito, i lindur në vitin 1892 në Kumrovc të Kroacisë ishte një ndër prijësit e luftës partizane në Luftën II Botërore, kurse pas saj e dizajnoi federatën e shteteve të Jugosllavisë, nën modulin e vëllazërim-bashkimit, të cilën e udhëhoqi për gati gjysëm shekulli. Gjatë kësaj kohe, shumë shqiptarë të Kosovës si krahinë në kuadër të Jugosllavisë, u vranë, u burgosën dhe u dëbuan për në Turqi.

Akademik Rexhep Qosja, ka thënë për Kosovapress se janë një varg njerëzit që nuk do duhej të ishin anëtarë të asaj akademie.

“Unë mendoj se një varg njerëzish, anëtarë nderi dhe anëtarë të rregullt, s’do duhej të ishin anëtarë të asaj akademie. E shikoni, disave u ka kaluar koha, disa nuk e meritojnë. Kjo a do ngjajë, unë nuk e di”, ka thënë Qosja.

Ndërkaq, akademik Nexhat Daci ka sqaruar për Kosovapress se për t’ia hequr dikujt titullin anëtar nderi duhet të themelohet një këshill apo komision dhe duhet të dokumentohet që ai person me një ndonjë veprim ka bërë një vepër të caktuar, për shembull gjenocid dhe me këtë vepër ka cënuar të drejtën elementare të një kombi apo një populli.

“Rrugë ka, por askush nuk i ka ndjekë. Krejt këta që flasin rrugëve e rrugicave e kanë të drejtën me shkrim ta bëjnë atë. Asnjë qytetari të Republikës së Kosovës dhe askujt në botë nuk i ndalohet ajo që të organizojë, të mbledh dokumentacion dhe të thotë se një person duhet të hiqet. Nuk ka pasur ndonjë propozim kurrë. Kanë mendime individuale, por ajo mbetet aq”, ka thënë Daci për Kosovapress.

Akademik Qosja nuk dëshiron të flas për atë se pse nuk i hiqet Titos titulli i anëtarit të nderit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, por për këtë çështje ai rekomandon që të pyeten udhëheqësit e Akademisë.

“Pyetini ata të Akademisë. Shkoni pyetni udhëheqjen e akademisë. Ata e kanë statutin e akademisë, të punuar duke u mbështetur në statutet e akademive të tjera, kryesisht në statutin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Ata do t’u japin përgjigjen e merituar”, është shprehur Qosja.

Kosovapress ka bërë përpjekje të marrë një përgjigje nga drejtuesit e ASHAK-ut, mirëpo kjo ka qenë e pamundur. Ndërkaq akademik Daci, i cili nga viti 1995 deri në vitin 2002 ishte kryetar dhe sekretar i përgjithshëm i Akademisë, mohon të ketë qenë në dorën e tij që të marrë një veprim të tillë për t’ia hequr titullin e nderit, Titos apo dikujt tjetër.

“Inicimin nuk e bën kryetari i Akademisë, as kryesia. Ai iniciohet me dokument shkencor dhe i dërgohet udhëheqjes, e nëse e refuzon atëherë e merr përgjegjësinë udhëheqja”, ka thënë Daci.

Ndryshe, për dallim prej Akademisë së Shqipërisë, e cila në faqen e saj zyrtare ka të publikuar 27 emra të ndryshëm si anëtarë nderi, shkencëtarë nga SHBA-ja, nga shtet evropiane, pastaj nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, në faqen zyrtare të Akademisë së Kosovës figurojnë vetëm tre emra, mes të cilëve spikatë edhe emri i Titos, figura e të cilit, nëse mund të jetë e nderuar për ASHAK-un, nuk është për shumicën e shqiptarëve të

Kosovës./Kosovapress/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu