Aktakuza e 13 bosëve të rrjetit kriminal të sigurimeve

0
1384

Prishtinë – 13 mashtrues kanë rënë në pranga të policies, për mashtrime me sigurime aksidentesh. Ata kanë arritur që, në mënyrë të paligjshme, t’i fitojnë më shumë se një milion e gjysmë euro, duke mashtruar kompanitë e sigurimeve.

Mashtruesit sipas akuzave të një prokurori kosovar, Ali Rexha janë: Kolë Puka, Zef Marleku, Lon Palushaj, Fatbardh Makolli, Avdullah Robaj, Isa Salihu, Isa Rexha, Besnik Nikçi, Ali Kryeziu, Merkur Dobroshi, Mithat Jakupi, Mentor Rruka dhe Genc Dika.

Njeriu, i cili është edhe kreu i kësaj organizate, është gjyqtari Kolë Puka. Sipas prokurorit, ai që nga viti 2002 e deri në 2008 e ka themeluar dhe udhëhequr këtë grup kriminal. Në bashkëpunim më të tjerët ai ka gjetur, zbuluar, gjykuar dhe ka marrë vendime së bashku me Zef Marlekun dhe Lon Palushajn. Diku 31 raste aksidentesh i ka konstruktuar dhe ka marrë kompensimet e tyre. Shumica prej këtyre aksidenteve as që kishin ndodhur.

Sipas prokurorit, Kolë Puka, në bashkëpunim me Zef Marlekun dhe përfaqësuesin e Fondit të Sigurisë, Isa Salihu, ka siguruar dokumentacionin për lëndën C. nr. 1198/06. Kjo lëndë nuk është regjistruar në Gjykatën e Klinës, ndërsa në Fondin e Garancisë është regjistruar si lëndë për të cilën është paguar kompensimi prej 40 mijë e 700 eurosh.

35 raste ata kanë falsifikuar dokumente mjekësore, ndërsa në mesin e falsifikimeve është edhe një dëshmi mbi vdekjen e një personi. Kolë Puka kishte caktuar Bedri Bakallin, Mithat Jakupin dhe Merkur Dobroshin që të kryejnë ekspertiza mjekësore me dokumente të falsifikuara.

Puka, së bashku e Zef Marlekun, Lon Palushajn, Fatbardh Makollin, Avdullah Robajn dhe Isa Salihun, në dy lëndë civile, përveç marrëveshjes gjyqësore në Gjykatën Komunale të Klinës, kanë rënë në ujdi për shuma të mëdha parash për kompensim të dëmeve, të cilat më pas janë gjetur në organizatat të cilat i kanë paguar dëmet.

Ish-gjyqtari Puka besohet se, bashkë me rrjetin e tij, ka përgatitur me dokumente false dy raste të aksidenteve, duke falsifikuar, madje, edhe raportin e Policisë. Kështu kanë fituar 148 mijë 847 euro. Zef Marleku, në bashkëpunim me Kolë Pukën, ka ushtruar padi pa autorizim në 28 raste.

Ortopedi Merkur Dobroshi ka kryer katër ekspertiza mjekësore fiktive. Ortopedi tjetër, Mithat Jakupi, dyshohet se ka lëshuar dhjetë dokumente mjekësore fiktive në emër të personave që nuk kanë qenë të lënduar dhe nuk janë trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës. Ortopedi tjetër, Mentor Rruka, dyshohet po kështu se ka lëshuar dokumente të vizitave konsultative neuropsikiatrike për dy persona, të cilët pastaj kanë përfituar nga kompensimi material.

Departamenti Special Anti-Korrupsion, me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake ka arrestuar javën e kaluar këta 13 persona në qytetin e Pejës, Gjakovës, Klinës dhe në Prishtinë. Në këtë operacion, me autorizim të prokurorit special, janë bastisur 10 lokacione në qytetet e përmendura dhe 13 personat e arrestuar dyshohen se kanë kryer veprat penale, si shpërdorim i pozitës zyrtare, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, mashtrim, legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, lidhje e kontratës së dëmshme dhe krim i organizuar. Ata janë lidhur me njëri-tjetrin në një rrjet kriminal.

“Ky operacion policor është realizuar nën dyshimin e bazuar se personat e dyshuar kanë vepruar në bashkëveprim si strukturë e organizuar, duke keqpërdorur pozitat e tyre dhe duke u sjelle vetës apo të tjerëve përfitim të kundërligjshëm, në vlerë prej rreth një milion e dyqind mijë euro.

Dyshohet se nga dëmi që u është shkaktuar kompanive të sigurimeve dhe dhjetëra qytetarëve, si viktima të aksidenteve të trafikut, të cilët nuk janë zhdëmtuar fare, të dyshuarit kanë realizuar mjete në emrin e tyre, pa dijeninë e viktimave dhe dyshohet se kanë imagjinuar aksidente të trafikut, pa ekzistuar fare ato.

Gjatë këtij operacioni policor, si prova materiale janë konfiskuar shtatë 7 kompjuterë, prej tyre dy lap-topë, një veturë e cila dyshohet të jetë blerë nga pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme dhe disa dokumentacione të ndryshme.

Ky rast ka filluar së hetuari nga Departamenti Special Anti-Korrupsion, në kohëzgjatje prej rreth një viti dhe realizimi i tij është mbështetur nga Njësitet Speciale Operative. Të arrestuarit, me autorizim të prokurorit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu