Aktakuzë kundër Limajt për korrupsion dhe krim të organizuar

0
880

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë të ditur përmes një komunikate se është ngritur aktakuzë kundër ish Ministrit të Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit dhe katër personave të tjerë për krim të organizuar dhe korrupsion.

Ish Ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit është deputeti në Kuvendin e Republikës së Kosovës,Fatmir Limaj.

Në komunikatë thuhet se në aktakuzën e ngritur nga një prokuror ndërkombëtar, ata dyshohen për “vepra  të ndryshme penale përfshirë –krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitos dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin”.

“Prokurori pretendon se tre të pandehur kanë manipuluar me procedurat e tenderit, janë marrë me dhënie dhe marrje të mitos dhe me pengim të provuarit në lidhje me administrimin e dy tenderëve në kompetencë të Ministrisë së Transportit.  Këta të pandehur pretendohet se i kanë kryer këto vepra për përfitim material personal”.

“Dy të pandehur pretendohet se janë angazhuar në keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike, si edhe në veprën penale të dhënies së mitos. Sipas prokurorit, këto vepra ndodhën më 2008 kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit”, thuhet në komunikatën e EULEX-it, në të cilën nuk përmenden emrat e të dyshuarve.

Prokurori pretendon se buxheti i Ministrisë së Transportit është dëmtuar për së paku 890.000 euro.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu