Aktivizohet prap Dell, takon Thaçin, Mustafën e Pacollin

0
535

Prishtinë 4 prill – Liderët PDK-së, LDK-së dhe AKR-së kanë nisur sot takimet me ambasadorin amerikan Christopher Dell në kërkim të opsioneve për daljen nga situata aktuale politike e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila shpalli jokushtetuese zgjedhjen e Behxhet Pacollit president.

Burime të KosovaOnline brenda AKR-së dhe LDK-së bëjnë të ditur se ambasadori Dell ka mbajtur një takim të përbashkët me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ish presidentin Behxhet Pacolli ku është diskutuar për mundësitë e gjetjes së një zgjidhje për presidentin. Gjithashtu Dell ka takuar sot edhe liderin e LDK-së Isa Mustafa po me të njëjtin qëllim.

Në kuadër të këtyre konsultave, pasdite vetura e Pacollit është parë të hyjë në Ambasadën Amerikane, duke shënuar kështu takimin e dytë brenda ditës mes Pacollit dhe Dell.

Burime brenda AKR-së bëjnë të ditur se Pacolli ka kundërshtuar kandidaturën e mundshme të Agim Çekut si president konsensual dhe qëndrimin në koalicion, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit të Ibrahim Makollit nga AKR deri në ndryshimin e nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës.

Gjithashtu, mësohet se Isa Mustafa gjatë takimit me diplomatin amerikan ka ritheksuar qëndrimin e LDK-së për një president konsensual dhe ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë, ndërsa ka përjashtuar mbështetjen e Pacollit.

Ndryshe, në kuadër të konsultimeve rreth zhvillimeve të fundit në vend, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi ka njoftuar se do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e subjekteve politike në vend.

Takimet do të fillojnë ditën e mërkurë, kur Krasniqi do të ketë takime të veçanta me drejtuesit e subjekteve politike parlamentare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu