Akuzat e EULEX’it për SHIK’un

0
826

Prokurorët e Misionit të BE-së në Kosovë, SHIK’un e konsiderojnë si organizatë kriminale që financohet nga trafiku i drogës dhe armëve. Ata besojnë se edhe vrasjet e zyrtarëve të LDK-së janë kryer nga SHIK-u.

Kështu shkruan sot gazeta “Koha Ditore” e cila në një shkrim të gjatë thekson se prokuroret ndërkombëtarë të EULEX-it e shohin ish Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) si një organizatë kriminale që financohej nga pastrimi i parave, trafikimi me drogë e armë.

Këtë bindje, prokurorët e EULEX’it e kanë fituar gjatë intervistimit të dëshmitarëve e të dyshuarve për përfshirje në veprime të paligjshme.

“A keni njohur që SHIK-u ishte financuar me pastrim parash dhe drogë e armë”, e ka pyetur një prokuror ish komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, gjatë marrjes në pyetje disa muaj më parë në cilësinë e të dyshuarit për krim të organizuar.

Deputeti Syla i është përgjigjur me mohim, derisa prokurori ndërkombëtar e ka pyetur sërish atë se “a ka qenë SHIK-u ndërmarrje kriminale për të pastruar para nga aktivitetet e krimit të organizuar?”.

“Është punë e juaja t’i bëni këto pyetje, por jo dhe jo”.

Tutje, Syla është marrë në pyetje edhe për njohjen e Qeverisë së Bukoshit nga UÇK, komandant i së cilës ishte Syla. Prokurori ka kërkuar të di më shumë për pozitën e Sylës si ministër i mbrojtjes pas Rambujesë në vitin 1999, duke e pyetur atë se a ka qenë i pavarur në punën e tij.

“Është logjikë se çdo ministri drejtohet nga Zyra e Kryeministrit dhe nuk e di pse po e bëni një pyetje të tillë”, është përgjigjur Syla.

Ndërkaq në lidhje me vrasjen e anëtarëve të LDK dhe disa personave të tjerë, konkretisht në rastin e Ibush Kllokoçit, Syla ka thënë se nuk e njeh atë.

“Si emër e kam dëgjuar, por kurrë nuk kam pasur konflikte fizime me të. Kështu që nuk e njoh. Kështu që nuk e njoh. Këtë po e them, pasi që gjatë hetimeve mund të jetë e mundshme, se gjatë hetimeve në atë kohë të di, më siguri se nuk e kam takuar as gjatë hetimeve”.

Ndërkaq në pyetjen në lidhje me vrasjen e anëtarëve të LDK-së, Syla ka thënë se kishte shumë keqkuptime, si me LDK-në, ashtu edhe me FARK-un.

“LDK-ja ishte kundërshtare politike dhe kishte keqkuptime në mënyrën politike. Mëgjithatë tani jemi në koalicion në qeverinë aktuale (intervista e Sylës dhënë para qeverisë aktuale) që janë gjëra normale. Madje edhe Bujar Bukoshi i cili në atë kohë kishte rezerva lidhur me luftën që bënte UÇK-ja, tani është ministër i shëndetësisë”, ka thënë Azem Syla.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu